Rreth 550 mijë protestues në rrugë, 150 policë të plagosur nga përplasjet

Evropë

Rreth 550 mijë protestues në rrugë, 150 policë të plagosur nga përplasjet

Më: 18 tetor 2026 Në ora: 12:17
Fotoilustrim

Franca është përfshirë nga një valë e re dhune gjatë protestave kundër kostos së lartë të jetesës dhe problemeve në sistemin arsimor. Të paktën 1 200 persona janë arrestuar dhe 150 efektivë policie kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 550 mijë qytetarë dolën në rrugët e vendit gjatë së shtunës.

Protestat, të cilat nisën si një lëvizje e nxënësve kundër mungesës së mësuesve dhe kushteve të këqija në shkolla, janë zgjeruar me pjesëmarrjen e sindikatave dhe lëvizjes së njohur si “Jelekët e Verdhë”.

Në Paris, përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijuan deri në orët e mbrëmjes. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë grupet e dhunshme, ndërsa automjeteve dhe ndërtesave iu vu flaka.

Tensione të forta u regjistruan në sheshin “Place de la Republique”, ku protestues të maskuar ngritën barrikada dhe dogjën automjete. Dyqane u plaçkitën, ndërsa të paktën një restorant u shkatërrua nga zjarri.

Dhuna u përhap edhe në qytete të tjera. Në Limoges, një zjarr i madh përfshiu godinën e bashkisë, duke shkaktuar shembjen e pjesshme të çatisë.

Në Lion, u dogj ndërtesa historike e zyrës së turizmit, ndërsa kryebashkiaku Gregory Doucet e cilësoi ngjarjen një tragjedi për qytetin.

Në Saint-Étienne, një i ri humbi njërën dorë pas shpërthimit të një mjeti piroteknik.

Dëme dhe plaçkitje u raportuan gjithashtu në Marsejë, Lilë, Grenobël, Tuluzë dhe disa qytete të tjera.

Kryeministri Sébastien Lecornu dënoi përshkallëzimin e dhunës, duke deklaruar se policia ishte përballur me sulme me intensitet të jashtëzakonshëm.

“Askush nuk do ta imponojë axhendën e tij politike përmes dhunës”, deklaroi ai.

Presidenti Emmanuel Macron paralajmëroi se personat përgjegjës për sulmet ndaj institucioneve, bizneseve dhe pronës publike do të ndiqen penalisht.

Ndërkohë, përplasjet politike janë ashpërsuar. Udhëheqësja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, akuzoi të majtën radikale për nxitjen e dhunës, ndërsa Jean-Luc Mélenchon kritikoi ndërhyrjet e policisë, por dënoi plaçkitjet dhe zjarrvëniet.

Pavarësisht premtimit të qeverisë për punësimin e 3 mijë mësuesve zëvendësues, protestat kanë vijuar, duke e futur Francën në një periudhë tensionesh të forta sociale dhe politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat