Gati gjysma e evropianëve kanë përjetuar probleme emocionale ose psikologjike, përfshirë ankthin dhe ndjenjat e depresionit. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësimin për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor, veçanërisht te fëmijët.
Kështu ka bërë të ditur Komisioni Evropian, në një artikull të publikuar të shtunën, më 10 tetor, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.
Duke iu referuar një studimi të vitit 2023, Komisioni Evropian thekson se pothuajse gjysma e evropianëve kanë deklaruar se kanë përjetuar probleme emocionale ose psikologjike, si ndjenja e depresionit apo ankthit.
Sipas Komisionit, ankthi dhe depresioni janë ndër çrregullimet më të zakonshme mendore dhe mund të ndikojnë në pothuajse çdo aspekt të jetës.
Këto probleme mund të ndikojnë në marrëdhëniet familjare, shoqërore dhe komunitare, si dhe të shkaktojnë ose të përkeqësojnë vështirësitë në shkollë dhe në vendin e punës.
Komisioni Evropian paralajmëron se pasojat ekonomike të problemeve të shëndetit mendor janë gjithashtu të konsiderueshme.
Një shqetësim i veçantë lidhet me ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Sipas Komisionit, platformat moderne digjitale përdorin mekanizma që nxisin përdorimin e vazhdueshëm dhe synojnë t'i mbajnë përdoruesit sa më gjatë të angazhuar, veçanërisht fëmijët.
Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë iniciativa ligjore për të trajtuar përdorimin problematik të platformave digjitale, kohën e tepruar para ekraneve, ekspozimin ndaj përmbajtjeve të paligjshme, bullizmin kibernetik dhe dhunën në internet.
Komisioni bën të ditur se muajin e kaluar BE-ja propozoi edhe aktin ligjor të quajtur “EU KIDS Act”, që synon forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në internet.
Propozimi parasheh ndalimin e qasjes në platformat e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 13-vjeçare, si dhe vendosjen e një moshe minimale në nivel të BE-së për hapjen e llogarive personale nga të miturit.
Në artikull rikujtohet se Bashkimi Evropian e ka përcaktuar shëndetin mendor si një nga prioritetet e politikave shëndetësore.
Në vitin 2023, BE-ja miratoi një qasje gjithëpërfshirëse për shëndetin mendor, me fokus parandalimin dhe trajtimin e faktorëve të rrezikut.
Kjo qasje përfshin edhe kushtet sociale, mjedisore dhe ekonomike që mund të ndikojnë në zhvillimin e problemeve të shëndetit mendor.
Dita Botërore e Shëndetit Mendor këtë vit shënohet me moton “Përvojat e dëgjuara: zëra të vërtetë, ndryshim i vërtetë”.
Përmes kësaj motoje synohet të theksohet rëndësia e dëgjimit të përvojave personale dhe e bisedave të hapura për shëndetin mendor.
Komisioni Evropian ka bërë thirrje që, krahas institucioneve dhe qeverive, edhe qytetarët të kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies mendore, duke dëgjuar dhe mbështetur njëri-tjetrin.