Dodiku dhe deputeti serb për “Serbinë e madhe”: Të gjithë serbët të jetojnë në një shtet

Evropë

Dodiku dhe deputeti serb për “Serbinë e madhe”: Të gjithë serbët të jetojnë në një shtet

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 19:01
Foto nga takimi

Udhëheqësi serb i Bosnjës, presidenti i Republika Sërpskas, Milorad Dodik dhe parlamentari serb Branimir Nestoroviq mbrojtën hapur krijimin e një Serbie të madhe në Banjallukë të mërkurën, duke njoftuar se do të punojnë së bashku për të zbatuar një projekt të tillë.

Nestoroviq, partia e të cilit “Ne – Zëri i popullit” fitoi shtatë mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, udhëtoi me kolegët e tij në Banjallukë për t’u takuar atje me Dodikun dhe të dy u folën hapur gazetarëve se kishin idenë e përbashkët se të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet dhe ata planifikojnë të ndërmarrin hapa konkretë për ta bërë këtë, raporton media kroate “Vijesti.hrt.hr”.

“Republika Sërpska do të jetë e pavarur”, tha Dodiku, duke shtuar se “ky subjekt aktual do të ndërtojë lidhje të forta me Serbinë menjëherë pas ndarjes së saj nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Në anën tjetër, Nestoroviq, duke qëndruar pranë Dodikut, tha se e vlerëson deklaratën e presidentit aktual të RS-së se “është koha që serbët të fillojnë të mendojnë për të jetuar së bashku në një shtet”.

“Të gjithë serbët duhet të jetojnë në një vend dhe të jenë pjesë e botës serbe”, tha Nestoroviq, i cili para se të hynte në politikë njihej si një mjek që kundërshtonte vaksinimin dhe që u kërkoi serbëve të bënin pazar në Milano gjatë pandemisë. Ai gjithashtu deklaroi se nuk është i bindur nga pretendimi se Toka është e rrumbullakët.

Tani ai ka thënë se pret që ai dhe njerëzit me mendime të ngjashme si të tij të vijnë në pushtet në Serbi për tre vjet dhe më pas të fillojnë krijimin e “Serbisë së madhe”, dhe deri atëherë “vijat e tyre të kuqe” do të jenë pengimi i vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, mosnjohjes së Kosovës dhe mbrojtjes së RS-së.

“Ne duam të afirmojmë idenë se të gjithë serbët jetojnë në një shtet dhe menjëherë do të iniciojmë disa veprime në parlamentin serb”, tha Nestoroviq, i cili pretendon se asgjë nuk mund ta ndalojë atë në atë rrugë.

Ai tha se e ka të qartë se e gjithë kjo tani duket e kotë, por shtoi se “edhe Krishti ishte vetëm në fillim”.

Dodiku, sipas “Vijesti”, mbështeti idenë e një “bote serbe”.

“Ç’të keqe ka kjo?”, pyeti Dodiku, i cili pretendon se fajin e kanë komunistët sepse stigmatizuan krijimin e “Serbisë së madhe”.

Të dy konfirmuan se nuk u pëlqen projekti i integrimit evropian dhe duan marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ndërsa Dodiku tha se nga këndvështrimi i tij, BE-ja ka humbur çdo atraktivitet. Ai parashikoi gjithashtu se BE-ja “me siguri do të shpërbëhet përpara se të jetë radha e Be-sëH për t’u bërë anëtare”.

“Qëllimi ynë kryesor është që RS të ndërtojë kapacitetin e saj për veprim të pavarur me lidhje të forta që do të vendosë me Serbinë”, tha Dodiku.

Dodiku ndërkaq tha se si Republika Sërpska ashtu edhe serbët në Kosovë janë nën presionin e Amerikës, Britanisë së Madhe dhe BE-së, e cila ndjek politikën e ShBA-së.

“Kosova është pjesë integrale e Serbisë që injorohet nga disa fuqi, por një numër i konsiderueshëm shtetesh nuk e kanë njohur Kosovën. Ata duan t’ua vështirësojnë jetën serbëve në Kosovë që të dëbohen dhe për këtë duhet t’i inkurajojmë (serbët e Kosovës)”, tha Dodiku pas takimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat