SHBA: Shumë qytete ukrainase janë të rrethuara, Kievi në tym - Britania lëshon alarmin

Evropë

SHBA: Shumë qytete ukrainase janë të rrethuara, Kievi në tym - Britania lëshon alarmin

Nga: Bota sot Më: 10 mars 2022 Në ora: 18:52
Qyteti i Kievit i rrethuar nga tymi pas bombardimeve, 10 mars 2022.

(E plotësuar 01:11) - Johnson i mërzitur pas bisedës me Zelenskyn, tregon si iu përgjigj atij për kërkesën për mbylljen e qiellit

Kryeministri britanik dhe presidenti ukrainas kanë pasur pothuajse çdo ditë telefonata, në të cilat Boris Johnsonit i është dashur të thotë se nuk mund të mbështesë një zonë ndalim-fluturimi të NATO-s.

Boris Johnson ka thënë se ishte "thellësisht merzitëse" dhe "absolutisht shqetësuese" refuzimi i Presidentit Volodymyr Zelensky, i cili kërkoi një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, përcjell Bota sot.

Kryeministri, duke folur për programin Beth Rigby Interviews të Sky News, tha se dyshja kanë pasur disa "biseda shumë të sinqerta", por Mbretëria e Bashkuar dhe NATO nuk mund ta kalojnë këtë kufi.

Të mërkurën, Zelensky i tha korrespondentit special të Sky News, Alex Crawford, në Kiev, se vendet perëndimore ishin të pavendosura në çështjen e "mbylljes së qiejve" kundër atyre që ai i quajti "nazistë".

"Nëse jeni të bashkuar kundër nazistëve dhe këtij terrori, duhet ta mbyllni. Mos prisni që unë t'ju kërkoj disa herë, një milion herë. Mbyllni qiellin", tha ai.

"Mbyllni qiellin dhe ndaloni bombardimet."

Ai gjithashtu e bëri kërkesën gjatë një fjalimi historik të drejtpërdrejtë me video para deputetëve në Dhomën e Përfaqësuesve të martën.

Por Britania e Madhe, SHBA dhe NATO kanë refuzuar vazhdimisht thirrjet e Zelenskyt për një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, pasi ata thonë se kjo do të nënkuptonte që të rrëzoheshin aeroplanët rusë që ka të ngjarë të fillonin një luftë tjetër botërore.

Johnson dhe udhëheqësi ukrainas kanë pasur biseda pothuajse të përditshme në 15 ditët që nga pushtimi i Rusisë.

23-vjeçari që ua mundëson refugjatëve të kontaktojnë me të afërmit në Ukrainë

Davidi, 23-vjeçar, përfaqësues i një kompanie telekomunikacioni, tregoi për punën që ai dhe ekipi i tij bëjnë në mënyrë që t’ua mundësojnë refugjatëve në Poloni të kontaktojnë me të afërmit e tyre që gjenden ende në Ukrainë.

“Ka njerëz që duan të rrinë në kontakt me bashkëshortët e tyre, me gjyshërit, dhe nuk mund të shkojnë në Ukrainë, pasi ka rrezik. Ata dëshirojnë t’i thërrasin në telefon, ata kanë internet nga ne. Ne i vendosim kodet në telefonat e tyre, në mënyrë që ata të mund të thërrasin të afërmit e tyre”, tha David.

“Po punojmë në ndërrime 20 orësh në ambiente të jashtme, është ftohtë, por është mirë që po iu ndihmojmë, vetëm të shohim buzëqeshjet në fytyrat e tyre, kjo është shumë me rëndësi”, u shpreh tutje ai.

“Kur e shoh një fotografi të një fëmije dhe të babait të tij që e thërret, më sjell kënaqësi, më bën të lumtur”.

Sa i përket ndihmës nga vendet perëndimore, David tha se ata duhet të ndihmojnë më tepër, por se, sipas tij, është e rrezikshme, ngase, siç tha ai, Rusia është një vend i madh që ka shumë fuqi.

Image
Davidi, 23-vjeçar

“Kam qarë shumë natën kur kam dëgjuar për luftën, posaçërisht kur i shihja fëmijët duke fjetur jashtë, ishte shkatërruese”, tha më tej Davidi.

“Polakët janë të frikësuar, Rusia do të vijë këtu gjithashtu, nuk dihet se çfarë mund të bëjë Putin, ai është tani i çmendur, ai nuk do të zmbrapset, ai vetëm po ecën përpara”.

Harris: Jemi të përgatitur të mbrojmë të gjitha parimet, përfshirë integritetin territorial të Ukrainës

Zëvndëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka thënë se gjendet në Poloni për të konfirmuar angazhimin e SHBA-së ndaj Polonisë dhe aleatëve të NATO-s.

Harris thotë se janë të përgatitur që të mbrojnë të gjitha parimet si vende të NATO-s, në këtë rast, duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e territorit të Ukrainës.

”Unë jam në Poloni për të pohuar angazhimin tonë ndaj Polonisë dhe aleatëve tanë të NATO-s.

Ne jemi të përgatitur të mbrojmë të gjitha parimet që janë integrale për ne si vende të NATO-s, në këtë rast duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Johnson për Zelenskyn: Një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm të kohëve të fundit

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka cilësuar si njërin nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm të kohëve të fundit presidentin ukrainas, Volodymr Zelensky.

“Mënyra se si ai është mbledhur – ai nuk ka mbledhur vetëm popullin e tij, ai ka mbledhur të gjithë botën – për kauzën e Ukrainës dhe ai na ka bërë të gjithëve të veshim flamuj të verdhë dhe blu dhe ka mobilizuar të gjithë në anën e tij”.

“Mendoj se për shkak se e ka përshkruar kaq qartë dhe shkëlqyeshëm dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës në këtë rast, të gjithë mund të shohin se ky është një akt i pajustifikuar agresioni nga Putini”, tha Johnson në një intervistë për Skynews.

Më pas, Johnson u pyet nëse deklarata e Zelenskyt se miliona mund të vdesin nëse Perëndimi nuk vendos një zonë ndalim-fluturimi është e vërtetë.

“Unë mendoj se varet nga Putini, varet vetëm nga ai dhe vetëm ai. Të gjithë mund të shohin se gjërat nuk po përparojnë në mënyrën që ai shpresonte dhe basti i tij më i mirë mendoj se është të tërhiqet”, tha ai.

Ngjarjet kryesore të ditës së 14-të të luftës në Ukrainë

Më poshtë mund të lexoni, të përmbledhura, disa prej ngjarjeve kryesore të ditës së 14-të të luftës në Ukrainë:

Që nga 24 shkurti kur nisi pushtimi rus në Ukrainë janë vrarë të paktën 71 fëmijë dhe më shumë se 100 janë plagosur, tha të enjten një zyrtar i Parlamentit ukrainas.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, u bëri thirrje ushtarëve rusë që të dorëzohen.

Vullnetarët thonë se qytetarët në Ukrainë kanë nevojë për ushqim dhe ujë.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, shumë njerëz në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit, tani kanë mbetur pa ushqim për fëmijët e tyre.

Agjencia e shëndetit riprodhues të Kombeve të Bashkuara njoftoi të enjten se dy maternitete të tjera ukrainase janë sulmuar dhe shkatërruar para sulmit rus të së mërkurës në Mariupol.

Afër 120 milionë funte janë mbledhur në Mbretërinë e Bashkuar për tw ndihmuar Ukrainën.

Autoritet e qytetit tw Mariupolit, njoftuan se asnjë civil nuk është larguar të enjten nga ky qytet.

Biden dhe Erdogan diskutuan për “shqetësimin e tyre të përbashkët”, pushtimin rus të Ukrainës.

Më shumë se 80,000 njerëz janë evakuuar nga zonat përreth Kievit dhe Sumy-t gjatë dy ditëve të fundit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se ka frikë se Rusia do të përdorë armë kimike.

Ministria ruse e Mbrojtjes i ka thënë agjencisë së lajmeve Interfax se do të hapë një numër korridoresh humanitare në Rusi për qytetarët ukrainas pa miratimin e Kievit.

Departamenti Amerikan i Shtetit beson se forcat ruse kanë rrethuar “shumë” qytete të Ukrainës.

BE do të heq dorë nga karburantet fosile ruse

Bashkimi Evropian duhet të ndalojë përdorimin e karburanteve ruse në gjysmë dekade.

Keshtu ka thënë presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen në samitin e liderëve të bllokut në Versajë të Francës.

“Ne jemi shumë të varur nga karburantet fosile ruse”, shkruan ajo në Twitter.

Von der Leyen thotë se ajo do të propozojë një plan në mesin e majit për të “shkarkuar” naftën, gazin dhe qymyrin rus deri në vitin 2027.

SHBA: Shumë qytete ukrainase janë të rrethuara

Departamenti Amerikan i Shtetit beson se forcat ruse kanë rrethuar “shumë” qytete, pasi shkatërruan pjesën më të madhe të infrastrukturës së tyre, tha zëdhënësi Ned Price.

Price nuk specifikoi se cilat qytete ukrainase janë aktualisht të rrethuara.

Në fjalën e tij, Price tha se sulmet ruse në qytetet e Ukrainës kanë lënë banorët pa ujë, energji elektrike, ushqime dhe ilaçe.

Shumë njerëz, shtoi Price, nuk kanë mundur të shpëtojnë si rezultat i “bombardimeve të pamëshirshme”.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia po angazhon “një numër të shtuar” forcash për të rrethuar qytetet ukrainase.

“Kjo do të zvogëlojë numrin e forcave të disponueshme për të vazhduar përparimin e tyre dhe do të ngadalësojë më tej përparimin rus”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

“Lufta në Ukrainë duhet të ndalet”

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha në Prishtinë se pushtimi rus i Ukrainës “ishte censurë apo një thirrje zgjimi referuar rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Ajo tha se kjo luftë të ndalet, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, është duke sulmuar ukrainasit me bomba dhe raketa.

“Kjo luftë po bëhet me bomba dhe raketa kundër njerëzve në Ukrainë dhe për këtë arsye duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë këtë luftë dhe të krijojmë korridore humanitare”, tha ajo.

Baerbock foli edhe për sanksionet që Perëndimi i ka vendosur ndaj Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë.

Ajo falënderoi Qeverinë e Kosovës që i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe tha se ky qëndrim i qartë ka treguar edhe njëherë se Kosova si i gjithë rajonit i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës.

“I vendosim sanksione që ne mendojmë që janë të nevojshme. Kur i vendosim ato, e dimë që i vendosim për një kohë të gjatë, prandaj i shqyrtojmë me saktësi para se t’i vendosim sepse nuk duam t’i tërheqim menjëherë. Nëse do të mund ta ndalnim luftën, do ta bënim. E dimë që Putin ka rezerva dhe nuk do ta ndalojë luftën menjëherë”, tha ajo.

“Goldman Sachs” bëhet banka e parë amerikane që largohet nga Rusia

Banka amerikane e investimeve “Goldman Sachs” njoftoi të enjten se do të tërhiqet nga Rusia, duke u bërë institucioni i parë i Wall Street që distancohet nga Moska pas pushtimit të Ukrainës.

“Goldman Sachs po mbyll biznesin e saj në Rusi në përputhje me kërkesat rregullatore dhe licencuese,” tha një zëdhënëse e kompanisë.

“Ne jemi të fokusuar në mbështetjen e klientëve tanë në të gjithë globin në menaxhimin ose mbylljen e detyrimeve para-ekzistuese në treg dhe garantimin e mirëqenies së njerëzve tanë”.

Goldman Sachs nuk dha detaje për numrin e punonjësve që janë të punësuar dhe do të mbesin pa punë.

Citigroup, një tjetër bankë e madhe amerikane e cila kishte një ekspozim total ndaj Rusisë prej 9.8 miliardë dollarësh në fund të dhjetorit, tha se ata po “vlerësonin opsionet e tyre për tu larguar nga Rusia”, raporton mediumi i pavarur Moscoëtimes në gjuhën angleze.

Vitin e kaluar, Citigroup njoftoi se do të kërkonte të shesë operacionet e tij bankare me pakicë në Rusi.

Rusia është duke u përballur me sanskione të ashpëra për shkak të agresionit në Ukrainë. Të gjitha vendet e BE-së dhe SHBA-ja i ka vendosur sanksione ekonomisë ruse, duke e tkurrur shumë edhe rublën, paren ruse.

Ambasadorja amerikane akuzon Rusinë për krime lufte

Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara është shprehur se veprimet e Rusisë kundër popullit ukrainas janë krime lufte.

“Ato përbëjnë krime lufte, janë sulme ndaj civilëve që nuk mund të justifikohen nga askush në asnjë mënyrë”, tha ambasadorja, Thomas Greenfield në një intervistë për BBC.

Ajo tha se Kombet e Bashkuara po punojnë për komunitetin ndërkombëtar për të dokumentuar krimet e luftës që Rusia po kryen kundër popullit ukrainas.

“Akoma po shoh imazhe të një gruaje që del nga spitali, shtatzënë, me gjakderdhje, njerëz që bërtasin, fëmijë që qajnë. Është thjesht e pandërgjegjshme. Dhe ne i bëjmë thirrje Rusisë të ndryshojë diskurs. Ata duhet t’i japin fund këtij konflikti, duhet të ndalojnë luftimet dhe duhet t’i kthehen diplomacisë. Dhe ne e kemi bërë të qartë mbështetjen tonë të fortë për thirrjen e ukrainasve që kjo të ndalet”, tha ambasadorja, shkruan CNN

Twitter fshin postimin e ambasadën ruse për bombardimin në spitalin e Mariupolit

Twitter ka hequr postimet në Twitter të Ambasadës Ruse në Mbretërinë e Bashkuar, në lidhje me bombardimin e një spitali fëmijësh në Mariupol, pasi i konsideron shkelje të rregullave të tij kundër mohimit të ngjarjeve të dhunshme.

Kjo kompani njoftoi të enjten se “ndërmorën masa kundër postimeve, pasi ato ishin në kundërshtim me Rregullat e Twitter-it, veçanërisht politikat tona të kundër urrejtjes dhe sjelljes abuzive në lidhje me mohimin e ngjarjeve të dhunshme”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, njoftoi të enjten se tre persona, u vranë në sulmin ajror të së mërkurës në maternitetin dhe spitalin e fëmijëve në qytetin ukrainas.

Në mesin e viktimave ishte edhe një fëmijë.

Rusia: Do të hapim korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga Ukraina në Rusi

Ministria ruse e mbrojtjes tha sot se do të hapte korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga Ukraina në Rusi çdo ditë në orën 10 të mëngjesit me kohën e Moskës, raportoi Reuters duke cituar agjencinë e lajmeve Interfax.

Ukraina hodhi poshtë më parë një propozim të ngjashëm nga Rusia më herët gjatë konfliktit, transmeton Bota sot.

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e quajti "absurd" propozimin për të ndërtuar korridore humanitare për civilët që të shkojnë nga Ukraina në Rusi.

Çfarë ka ndodhur me konvojin e gjatë rus jashtë Kievit? Intelegjenca britanike jep detaje

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar sapo ka publikuar raportin e saj më të fundit të inteligjencës mbi situatën në Ukrainë, ku thuhet se kolona ushtarake ruse në veriperëndim të Kievit s’ka bërë progres dhe është duke përjetuar humbje të vazhdueshme nga forcat e armatosura të Ukrainës, shkruan The Guardian.

Ministria tha se ka pasur një “ulje të dukshme në aktivitetin e përgjithshëm ajror rus” mbi Ukrainë në ditët e fundit, duke vënë në dukje se ka të ngjarë për shkak të “efektshmërisë dhe qëndrueshmërisë së papritur” të forcave të mbrojtjes ajrore ukrainase.

Raporti gjithashtu vë në dukje se kolona e madhe ruse në veriperëndim të Kievit ka “bërë pak përparim në më shumë se një javë” dhe po pëson “humbje të vazhdueshme” në duart e forcave të armatosura ukrainase.

“Me rritjen e viktimave, Putini do të detyrohet të tërheqë forcat e armatosura ruse nga vendet tjera për të zëvendësuar humbjet”, shton raporti.

Biden dhe Erdogan diskutojnë për pushtimin rus të Ukrainës

Presidenti i SHBA, Joe Biden dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan diskutuan për “shqetësimin e tyre të përbashkët”, pushtimin rus të Ukrainës.

Përmes një njoftimi për shtyp, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se të dy presidentët përmes një telefonatë që kanë pasur, ripohuan mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Biden vlerësoi përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se telefonata zgjati rreth një orë.

Kryeministri britanik ka frikë se Rusia do të përdorë armë kimike

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin për një përpjekje “cinike” për të krijuar një pretekst për përdorimin e armëve kimike në Ukrainë.

Johnson tha se ka frikë se regjimi “barbar” i Kremlinit mund të jetë gati të përdorë armët e ndaluara, pasi forcat e tij nuk kanë arritur të bëjnë përparimin e pritur.

Duke folur për Sky News, Johnson tha se gjërat që po dëgjoni për armët kimike, “janë drejtpërdrejt nga libri i tyre i lojës”.

“Ata nisin e thonë se ka armë kimike, që janë grumbulluar nga kundërshtarët e tyre ose amerikanët. Dhe, kur ata vetë i pozicionojnë armët kimike - e kam frikë se mund ta bëjnë - ata i kanë gati këto pretendime të rreme”, tha Johnson.

“Është një qeveri cinike, barbare, kam frikë”, shtoi Johnson.

Më herët, SHBA lëshoi një paralajmërim të ngjashëm për përdorimin e mundshëm të armëve kimike ruse.

Pretendimet e Rusisë se SHBA-ja ka laboratorë të armëve biologjike dhe se ka pozicionuar armë kimike në Ukrainë janë “një mashtrim i dukshëm”, në përpjekje për të justifikuar sulmet e tjera të paramenduara, tha sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Më shumë se 80,000 njerëz u evakuuan nga rrethi i Kievit dhe Sumyt

Më shumë se 80,000 njerëz janë evakuuar nga zonat përreth Kievit dhe Sumy-t gjatë dy ditëve të fundit, tha qeveria ukrainase të enjten.

“Ne kemi evakuar më shumë se 60 mijë njerëz brenda dy ditësh nga qyteti verilindor Sumy dhe vendet përreth”, tha zëvendëskryeministrja, Iryna Vereshchuk në një video të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram.

“Rreth 20,000 njerëz janë evakuuar nga zonat në veriperëndim të kryeqytetit Kiev”, tha ajo dhe shtoi se 3,000 të tjerë u evakuan me vështirësi nga Izyum, një qytet në Ukrainën lindore.

Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rreth 60,000 njerëz janë evakuuar nga qytete të ndryshme anembanë vendit.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 2.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në dy javët e fundit, kur presidenti rus, Vladimir Putin nisi një luftë kundër ish-fqinjës sovjetike të Rusisë më 24 shkurt.

Asnjë civil nuk është larguar të enjten nga Mariupoli

Asnjë civil i vetëm nuk mundi të largohej nga qyteti i rrethuar ukrainas i Mariupolit të enjten, pasi forcat ruse nuk respektuan armëpushimin e përkohshëm për të lejuar evakuimet.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk në televizionin kombëtar.

Afër 120 milionë funte janë mbledhur për Ukrainë në Mbretërinë e Bashkuar

Një apel nga Komiteti i Emergjencës për Fatkeqësitë në Mbretërinë e Bashkuar, ka mbledhur 120 milionë funte për të ndihmuar mijëra ukrainas të prekur nga konflikti.

Këto mjete janë mbledhur në më pak së një javë.

OKB: Materniteti i Mariupolit i treti që shkatërrohet në Ukrainë

Agjencia e shëndetit riprodhues të Kombeve të Bashkuara njoftoi të enjten se dy maternitete të tjera ukrainase janë sulmuar dhe shkatërruar para sulmit rus të së mërkurës në Mariupol.

Spitali në Mariupol nuk është “i vetmi” që u sulmua, tha Jaime Nadal, zyrtar në OKB.

“Materniteti në Zhytomyr u shkatërrua plotësisht. Në Saltivsky gjithashtu”, tha ai.

Zyrtari i OKB-së nuk specifikoi se kush i nisi sulmet në spitalet e tjera apo nëse kishte viktima.

“Ka 300 spitale dhe 69 maternitete në Ukrainë”, tha ai.

Sipas Nadal, në Ukrainë aktualisht janë rreth 240,000 gra shtatzëna, dhe mbi 4,300 gra kanë lindur tashmë në kohën midis pushtimit të Rusisë nga 24 shkurt deri më 7 mars.

Rusët në terr informativ për shkatërrimin e Ukrainës

Teksa Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës, duke sulmuar zona banimi, dhe duke nxitur reagime globale, shumë njerëz, të cilët jetojnë në Rusi dhe në Krimenë e okupuar nga Rusia, konsumojnë rrëfime false, të ofruara nga mediat e kontrolluara nga Kremlini.

Cilësimi i pushtimit si luftë, dhe jo si “operacion special ushtarak”, përbën krim, sipas ligjit rus.

Kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me banorë në Krime, të cilën Rusia ia ka zaptuar Ukrainës më 2014, mes tyre mbizotëronte injoranca.

Intervistat në këtë raport janë realizuar para se REL-i të detyrohej të ndërpriste punën në Rusi dhe në Krime, më 6 mars, pas trysnisë së fortë nga qeveria ruse për të ndalur raportimin e pavarur atje.

Pamje të rënda, shihni ku përfundojnë trupat e të vrarëve në Ukrainë

Qytetarët e Mariupolit, qytetit të rrethuar nga rusët, po përjetojnë ditë ferri. Nënkryetari i këtij qyteti tha se nuk e di saktësisht se sa njerëz janë vrarë, por tregon se shifra e fundit që e dinë është 1,207 persona.

“Këta janë vetëm trupat që kemi mbledhur në rrugë”, tha Sergei Orlov për BBC.

Associated Press ka publikuar një fotografi të të vrarëve, trupat e të cilëve hidhen në një varr masiv.

“Trupat e pajetë vendosen në një varr masiv në periferi të Mariupol, Ukrainë, e mërkurë, 9 mars 2022, pasi njerëzit nuk mund t’i varrosin të vdekurit e tyre për shkak të bombardimeve të rënda nga forcat ruse. (AP Photo/Evgeniy Maloletka)”, thuhet në përshkrimin e AP.

Lexo edhe: Nuk ka paqe në Ukrainë, rusët po vrasin ukrainasit jo vetëm me plumba - katastrofa humanitare

Orlov tha se 47 persona janë varrosur në një varr masiv, në pamundësi për të shkuar në varrezat jashtë qytetit.

“Jo të gjithë ata u identifikuan”, shtoi ai.

Image
Pamjet e trupave të vrarë në Ukrainë
Image
Pamjet e trupave të vrarë në Ukrainë

Ministri ukrainas di si ta bëjë nervoz Putinin

Oleksii Reznikov, Ministri ukrainas i Mbrojtjes, ka bërë një postim në Twitter, ku ka shkruar se të gjitha krerët e institucioneve në Ukrainë, janë në vendet e tyre të punës, pavarësisht përpjekjeve të ruse, që me anë të ushtrisë, luftimeve dhe bombardimeve po tenton t’i  mposhtë ata.

Ai madje është kujdesur të bëjë një fotografi ku shihet plotë disponim dhe një sfond me mot të mirë në Kyiv.

“Mirëmbrëma nga Ukraina

Image
Fotoja e postuar nga Oleksii Reznikov

Presidenti, lidershipi i vendit, anëtarët e qverisë, të gjithë punojnë në vendet e tyre. e dimë se sa pikëlluese është kjo për Rusinë. I rekomandojë secilit ushtar rusë që të ndjekë anijenë ruse para se të jetë vonë. Meqë ra fjala Ukraina do ta pranojë me plotë mirëkuptim kapitullimin e Rusisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat