Vulini i çon specialët në Sanxhak: Ja çfarë do të bëjë xhandarmëria në Novi Pazar

Evropë

Vulini i çon specialët në Sanxhak: Ja çfarë do të bëjë xhandarmëria në Novi Pazar

Nga: B.S. Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 09:20
Aleksandar Vulin

Ministri i punëve të brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi në Novi Pazar se nga sot, aktivitetet e policisë do të intensifikohen dhe Xhandarmëria do të angazhohet në atë qytet, njoftoi ministria serbe e brendshme.

Pas takimit me shefin dhe udhëheqësit e Drejtorisë së policisë në Novi Pazar, Vulini tha se "shteti nuk do të lejojë përplasje midis bandave kriminale" dhe se do të ruajë sigurinë e çdo qytetari, transmetojnë mediat e rajonit kumtesën.

"Qytetarët e Novi Pazarit nuk e meritojnë të jetojnë në një qytet ku vritet, ku ju mund të mbani armë, të qëlloni, të shkelni ligjin pa u ndëshkuar. Ligji është i njëjtë për të gjithë, në çdo pjesë të Serbisë mbron të gjithë qytetarët tanë dhe mbron të gjithë njerëzit tanë" , tha Vulin.

Sipas tij, në takimin ku morën pjesë drejtori i policisë, Vladimir Rebiq dhe bashkëpunëtorët e tij, u ra dakord për masa konkrete dhe hapa që do të ndërmerren.

"Prania e policisë do të jetë shumë më e dukshme dhe e fortë. Xhandarmëria nga Kraleva do të vijë gjithashtu. Të gjithë ata që janë anëtarë të strukturave kriminale do të trajtohen posaçërisht dhe nën vëmendjen tonë vigjilente. Nuk do të ketë vend për ta në këtë qytet," tha Vulin.

Ai tha se "droga, prostitucioni, armët" janë gjëra që nuk do të tolerohen.

"Asnjë lokal nuk do të jetë në gjendje të shkelë ligjin pa u ndëshkuar, jo sepse punon më gjatë, por sepse ka prostitucion, sepse droga shpërndahet në të ose sepse armët mbarten në të," tha Vulin.

Vulin tha se ai pret që të gjithë politikanët dhe vetëqeverisja lokale, të marrin pjesë dhe të ndihmojnë në atë luftë.

"Që nesër, kur policia dhe Xhandarmëria të shfaqen në rrugët e Novi Pazarit, të mos shpikin marrëzira për atë se si dikush po e okupon qytetin, por të jenë të kënaqur që shteti i Serbisë po vepron në çdo pjesë të territorit të tij dhe të na ndihmojë që kjo të mos ndodh më kurrë”, tha Vulin.

Ai shtoi se Ministria e Brendshme nuk do të lejojë përplasje midis bandave kriminale, se do të ruajë sigurinë e çdo qytetari dhe se ligji do të respektohet përsëri në Novi Pazar.

Vulin gjithashtu bisedoi me kryetarin e Novi Pazarit, Nihat Bishevac, të cilin e njoftoi me masat dhe hapat konkretë që policia do të ndërmarrë për të siguruar sigurinë dhe stabilitetin në këtë qytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat