“Visa” njofton probleme me procedimin e pagesave “online” në Europë - Bota Sot
“Visa” njofton probleme me procedimin e pagesave “online” në Europë

Ekonomi

E mërkurë, 20 qershor 2018

“Visa” njofton probleme me procedimin e pagesave “online” në Europë

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 19:20

Biznese të ndryshme nuk kanë mundur të procedojnë me pagesat e tyre përmes kartave elektronike “Visa”. Kompania në fjalë e ka konfirmuar në fakt se ka një “ndërprerje të shërbimit”.
“Visa po përjeton një ngërç në ofrimin e shërbimit. Ky incident po pengon kryerjen e disa transaksioneve me kartat Visa në Europë. Ne po e hetojmë shkakun e këtij problemi, e po punojmë që ta zgjidhim situatën sa më shpejt të jetë e mundur”, tha një zëdhënës për “Sky News”.

“Paymentsense”, një kompani që lehtëson pagesat me kartë, ka raportuar se klientët që përdorin këtë shërbim kanë hasur probleme në marrjen e pagesave përmes kartave “Visa”. Kompania thotë në faqen e saj të internetit se, iu ofron shërbim klientëve të mbi 60 mijë bizneseve të pavarura në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës.

Në deklaratën e publikuar “online”, kompania e pagesave elektronike thotë se “kemi për momentin një ndërprerje të shërbimit për marrjen apo dërgimin e pagesave. Kjo ka prekur të gjithë ofruesit e pagesave”.

“Paymentsense” thotë se po punon së bashku me “Visa”-n dhe se u kërkojnë falje klientëve “për çdo shqetësim të shkaktuar”.

Edhe lehtësues të tjerë të pagesave me kartë janë prekur nga ky problem, siç është “Lloyds Bank”. Gjithsesi, kjo bankë thekson se transaksionet në “ATM” (bankomate) dhe ato me “Mastercard” nuk kanë probleme.

“Worldpay”, ofruesi më i madh britanik i pagesave “online” ka njoftuar se klientët mund të hasen me refuzimin e dërgim-marrjes së transaksioneve me karta “Visa”, pasi kjo ka prekur thuajse të gjithë Europën.

Biznesmenët ndërkohë janë irrituar, pasi siç shprehen, kanë humbur shumë shitje për pasojë të bllokimit të shërbimit të këtyre kartave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test