​Rafuna: Forumi Ekonomik B2B, një mundësi e mirë për sjelljen e investimeve nga Arabia Saudite në Kosovë

Ekonomi

​Rafuna: Forumi Ekonomik B2B, një mundësi e mirë për sjelljen e investimeve nga Arabia Saudite në Kosovë

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 19:36
Foto nga takimi

Në margjina të Forumit Ekonomik B2B që mbahet nesër në Prishtinë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka pritur sot në takim një delegacion nga Arabia Saudite, i përbërë nga Federata e Odave Ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve të këtij vendi.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Federata e Odave Ekonomike nga Arabia Saudite organizojnë të enjten Forumin Ekonomik B2B më të madh në mes të dy vendeve, duke filluar nga ora 09:30.

Pjesë e delegacionit nga Arabia Saudite, do të jenë mbi 50 top biznese nga sektorë të ndryshëm, të cilët do të shikojnë mundësitë e investimit dhe partneriteteve të biznesit në Kosovë.

Sektorët në këtë forum janë: IT dhe trajnime, hotelieri dhe shërbime të turizmit, patundshmëri, prodhim dhe përpunim i plastikës, gastronomi, shëndetësi, prodhim dhe përpunim i ushqimit, logjistikë, prodhim nafte dhe gazi, edukim dhe automobilistikë.

Sipas kryetarit të OEK-ut, Lulzim Rafuna kjo është një mundësi unike për të sjellë investime të huaja në vendin tonë.

Rafuna: Kemi nevojë për më shumë investime

“Lutem që të ketë efekt dhe bizneset tona të kenë marrëveshje të bashkëpunimit. Është një mundësi unike për të bashkëpunuar. Kosova ka biznese, të cilat janë të lakmuara prej të gjithë Evropës për të bashkëpunuar me biznese tona. Jemi një popullatë me moshë shumë të re, një vend me taksat më të ulëta në rajon, me tregun evropian, i cili është 500 milionë konsumatorë, nuk e kemi asnjë tatim përveç tatimit të vlerës së shtuar. Po ashtu, me vendet e rajonit nuk kemi asnjë tatim përveç tatimit të vlerës së shtuar. Me Turqinë vitin e ardhëm e sjellim në zero për shkak të marrëveshjes që kemi. Me Shtetet e Bashkuara kemi tatim preferencial për produktet me origjinë të Kosovës. Kemi një infrastrukturë rrugore shumë moderne. Jemi një vend në tranzit që na lidh me Evropën dhe Ballkanin. Po ashtu lidhemi me dy porte të Durrësit dhe Selanikut. Jemi vend i ri, kemi nevojë shumë për investime,” tha Rafuna.

Ndërsa, presidenti i Odës Ekonomike në Arabinë Saudite, Hassan Al-Huwaizi organizimin e Forumit Ekonomik e sheh si një shtytje të fuqishme drejt thellimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe mundësisë për investime. Ai gjithashtu shprehet se i lumtur kur sheh se ka investues kosovarë në Arabinë Saudite.

Al-Huwaizi: Do të jetë një shtyrje shumë e fuqishme kjo vizitë e jona

“Jemi në shtëpinë e afaristëve dhe kolegëve tonë, larg nga ana zyrtare e qeverisë. Do të jetë një shtyrje shumë e fuqishme kjo vizitë e jona për t’i forcuar marrëdhëniet tona të kamotshme. Jemi shumë të lumtur që kemi ardhur në Kosovë, për të parë mundësitë e investimeve këtu. Shpresoj që prej këtyre takimeve të ketë edhe fryte me bashkëpunim, me të gjithë afaristët te ne dhe te ju. Më herët kemi thënë se politika është shtytësi më i fortë i ekonomisë, por tash ka ndërruar dhe po themi se ekonomia është shtytësi më i fortë i politikës. Sot llogaritet biznesi një shtyrës i madh i ekonomisë dhe i gjitha shteteve në përgjithësi. Riadi i sotëm nuk është kryeqyteti i djeshëm që ka qenë. Me vizionin e ri që ka Arabia Saudite, 20-30 vjet, ka parë se Riadi, kryeqyteti i Arabisë Saudite do të jetë një epiqendër e investimeve prej të gjithë botës dhe gëzohemi kur shohim që ka investitorë kosovarë në Arabinë Saudite,” u shpreh ai.

Al-Huwaizi shton se federata e odës ekonomike të Arabisë llogaritet prej federatave më të rëndësishme në botë e cila përmban 26 oda ekonomike dhe mbi 1 milionë të regjistruat si biznese dhe afarist. Dhe shton se sot lidhja e Arabisë Saudite me Kosovën është shumë më e fortë.

Al-Huwaizi: Sot ne kemi një lidhje shumë të fortë dhe të kamotshme me Kosovën

“Sot, Federata e Odës Ekonomike e Arabisë Saudite llogaritet një prej federatave më të rëndësishme në botë, me 26 oda ekonomike dhe mbi 1 milion e 400 mijë biznese dhe afaristë të regjistruar. Sot, kemi një lidhje shumë të fortë dhe të kamotshme me të dy shtetet, Arabi Saudite dhe Kosovë, dhe shpresoj që këtu të zyrtarizohet dhe të jenë në aspektin privat që të bëhen legjislative,” tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat