Komisioni Evropian pritet të miratojë planin për rritje ekonomike në Ballkan

Ekonomi

Komisioni Evropian pritet të miratojë planin për rritje ekonomike në Ballkan

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 10:45
Selia e Komisionit Evropian në Bruksel.

Në hijen e Paketës së zgjerimit, të mërkurën në Bruksel, Komisioni Evropian (KE) pritet të miratojë dhe të publikojë një plan ambicioz për rritje ekonomike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Për ta promovuar këtë plan, edhe para se ai të miratohet, presidentja e KE-së,Ursula von der Leyen, kishte udhëtuar para një jave në vendet e rajonit.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument ku shpalosen planet se si të ndihmohen vendet e Ballkanit Perëndimor që të arrihet një konvergjencë (përafrim) në zhvillimin ekonomik me Bashkimin Evropian (BE) dhe në këtë mënyrë, të bëhen gati më shpejt për t’u anëtarësuar në union. Plani përmban një varg propozimesh për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në shumë politika dhe programe të BE-së edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut.

Për t’i realizuar qëllimet e këtij plani të rritjes, Komisioni Evropian propozon edhe një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë eurosh do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.

“Konvergjenca ekonomike është element thelbësor për t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian. Në këtë moment, shpejtësia e konvergjencës mes vendeve të rajonit dhe BE-së, dhe niveli i saj nuk është i kënaqshëm - as në aspektin ekonomik e as në atë të reformave. Kjo po e pengon përparimin e tyre në rrugën drejt BE-së”, thuhet në këtë raport.

Në këtë dokument janë edhe të dhënat për Bruto Prodhimin Vendor për kokë banori, sipas fuqisë blerëse, krahasuar me mesataren e BE-së. Kosova për shembull e ka këtë tregues në nivelin prej vetëm 27 për qind krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.

Realizimi i këtyre propozimeve do të rrisë lirinë e lëvizjes së mallrave, punëtorëve dhe shërbimeve edhe mes vendeve te rajonit, por edhe mes tyre dhe Bashkimit Evropian. Si shembull përmenden edhe vendosja e “linjave të gjelbra” në kalimet kufitare, përmes së cilave malli kalon më shpejt me procedura më të shpejta të doganimit.

Shembull që Komisioni përmend është edhe heqja e tarifave për roming në telefoninë mobile dhe internet. Kjo tashmë ekziston në BE, ëshët duke avancuar në rajon ndërsa Komisioni propozon që tarifat të hiqen edhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Lehtësime do të ketë edhe për të rinjtë, të cilët do të mund të studiojnë më lehtë në vendet e BE-së nëse realizohet ky plan.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe para se të anëtarësoheshin në BE, do të merrnin pjesë në disa grupe punuese të Bashkimit Evropian.

“Minimalisht vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhej të marrin pjesë plotësisht në programet relevante të BE-së, përfshirë në veçanti programin e tregut unik, programin fiskal dhe doganor, programin digjital evropian dhe programin Horizon Europe“, thuhet ndër tjerash në dokument.

Por, Komisioni në propozimin e tij tërheq vërejtjen se vendet e rajonit paralelisht me përafrimin me bllokun, më shpejt duhet të rrisin bashkëpunimin ndërmjet vete dhe t’i realizojnë qëllimet e tregut të përbashkët rajonal. Në të njëjtën kohë, këto vende duhet të përshpejtojnë procesin e reformave, sidomos në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit.

Komisioni Evropian beson se, nëse rajoni i Ballkanit Perëndimor i shfrytëzon mundësitë e planit për rritje, një të njëjtën kohë do të përshpejtojë edhe rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat