Të dhëna të reja janë zbuluar nga ekspertiza balistike për ngjarjen në Baldissero d’Alba, në provincën italiane të Cuneos, ku humbi jetën 36-vjeçari me origjinë shqiptare, Gjovalin Lazri.
Rezultatet paraprake të ekspertizës, të raportuara nga mediat italiane, tregojnë se të shtënat dyshohet se janë kryer nga një distancë më e vogël se 14 metra.
Për ngjarjen është nën hetim Roberto Mollo, 35 vjeç, pronari i banesës ku ndodhi incidenti. Sipas rindërtimit paraprak, ai dyshohet se ka hapur zjarr pasi është zgjuar nga zhurmat dhe ka konstatuar praninë e disa personave në pronën e tij.
Gjatë këqyrjes dhe ekspertizës janë gjetur 12 gëzhoja, të përqendruara në një zonë të vetme të banesës. Ekspertët po analizojnë këtë element për të përcaktuar pozicionin nga ku është qëlluar dhe trajektoren e plumbave.
Në vendngjarje janë gjetur edhe tre elektrikë dore, njëri prej të cilëve pranë trupit të 36-vjeçarit shqiptar.
Sipas hipotezës paraprake të hetuesve, Mollo, pasi kishte dëgjuar zhurma nga jashtë, kishte dalë në ballkonin e katit të parë. Nga aty dyshohet se ka qëlluar në drejtim të dritave të elektrikëve që mbanin personat e ndodhur në pronë.
Një prej plumbave goditi Gjovalin Lazrin në qafë, duke i shkaktuar plagën që rezultoi fatale.
Ekspertiza balistike zgjati më shumë se pesë orë dhe synonte të përcaktonte distancën e të shtënave, trajektoret e plumbave dhe pozicionin e personave në momentin e ngjarjes. Në vendngjarje u zhvilluan gjithashtu simulime dhe të shtëna provë.
Në procesin hetimor janë përfshirë ekspertë të prokurorisë, të mbrojtjes së Roberto Mollos dhe të familjes së viktimës. Prokuroria e Astit po vijon hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë, ndërsa 35-vjeçari po hetohet për vrasje.
Hetuesit pritet të rikthehen në vendngjarje gjatë natës, me qëllim verifikimin e kushteve të ndriçimit dhe të fushëpamjes në rrethana sa më të ngjashme me ato të momentit kur ndodhi ngjarja.
Ngjarja u regjistrua në orët e para të 20 shtatorit, kur disa persona dyshohet se hynë në pronën e familjes Mollo. Pas të shtënave, 35-vjeçari telefonoi vetë numrin e emergjencës 112 dhe njoftoi autoritetet se kishte qëlluar një person, duke pretenduar se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.