Presidenti Trump takohet me biznesmenët japonezë

Bota

Presidenti Trump takohet me biznesmenët japonezë

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 06:27
Trump

Në komentet e tij të drejtpërdrejta, këtë herë ndaj biznesmenëve japonezë, Presidenti amerikan, Donald Trump u bëri thirrje atyre të prodhojnë më shumë në Amerikë, duke u ankuar se "Japonia ka dalë fituese" në tregëtinë me Shtetet e Bashkuara për dekada të tëra.

"Tani për tani tregtia jonë me Japoninë nuk është e drejtë apo e hapur," tha presidenti në një mëngjes pune ku morën pjesë udhëheqës të 18 korporatave më të mëdha japoneze dhe 9 kompanive amerikane. "Por unë e di që kjo do të ndodhë," tha presidenti.

Trump parashikoi se tani, pa Partneritetin e Paqësorit (TPP), mes të dy vendeve do të ketë më shumë tregti se më parë.

Por ish-drejtori i Departamentit të Shtetit për Japoninë, Kevin Maher tha: "nuk është koha e duhur për të folur për një marrëveshje të tregtisë së lirë Japoni-SHBA. Është shumë e vështirë të imagjinohet se japonezët do të shkonin më larg sesa ishin nën një marrëveshje TPP, veçanërisht në çështjet e ndjeshme si bujqësia dhe makinat".

Sektori amerikan i bujqësisë është dëmtuar nga tërheqja e marrëveshjes TPP, i tha Zërit të Amerikës, zoti Maher "Anëtarët e tjerë të marrëveshjes TPP do të përfitojnë nga standardet më të mira që do të paraqesin japonezët".

Presidenti Trump, qysh në ditën e tij të parë të plotë në detyrë, i dha fund pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen TPP. Marrëveshja ishte negociuar nga administrata e mëparshme e Presidentit Obama me 11 vende të tjera dhe shihej si një dokument i fortë për të lidhur më ngushtë Shtetet e Bashkuara me Azinë Lindore në klimën e një Kine në rritje.

Presidenti gjithashtu bëri thirrje për rritje të prodhimit në Shtetet e Bashkuara nga prodhuesit japonezë të automobilave.

"Përpiquni të ndërtoni makinat tuaja në Shtetet e Bashkuara në vend që t'i transportoni ato," tha ai. "A është kjo një kërkesë e pasjellshme?"

Ishte sigurisht një koment i habitshëm për prodhuesit japonezë të automjeteve që e ngritën uzinën e tyre të parë në tokën amerikane në vitin 1982, kur Honda filloi prodhimin në shtetin e Ohajos. Dy vjet më vonë Toyota hapi një fabrikë të përbashkët me General Motors në Kaliforni që zgjati deri në vitin 2010.

Japonia ka një prani mbresëlënëse të prodhimit të automobilëve në Amerikën e Veriut. Numri i makinave që prodhohen nga tre prodhuesit më të mëdhenj japonezë të makinave në Shtetet e Bashkuara për disa vite ka tejkaluar atë të tre prodhuesve më të mëdhenj amerikanë të automjeteve. Në total, kompanitë japoneze prodhojnë rreth katër milionë automjete në vit në Amerikën e Veriut - rreth 75 për qind të të gjitha makinave japoneze të shitura në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump gjithashtu bëri thirrje për më shumë makina amerikane në rrugët e Japonisë. Vetëm 20 mijë automjete të prodhuara në Shtetet e Bashkuara shiten çdo vit në Japoni.

"Pothuajse asnjë makinë nuk shkon nga Shtetet e Bashkuara në Japoni," tha presidenti, duke shtuar se për këtë do të duhet të negociohet "në mënyrë miqësore".

Trump, i cili zhvilloi një ditë dytë bisedimesh me kryeministrin Shinzo Abe, ka ndërtuar një marrëdhënie miqësore me udhëheqësin japonez. Ata flasin shpesh në telefon dhe të dielën diskutuan rreth shtimit të armëve bërthamore dhe kërcënimeve të Koresë së Veriut, si dhe mbi tregtinë gjatë një ndeshjeje golfi dhe më pas gjatë darkës me bashkëshortet e tyre në një restorant në Ginza të Tokios.

Pas raundit të parë të bisedimeve të hënën, Trump u tha gazetarëve: "Ishte me të vërtetë një takim i mirë dhe kryesisht lidhej me tregtinë, Korenë e Veriut dhe disa tema të tjera që prekëm. Ne po bëjmë përparim të jashtëzakonshëm, besoj për tregtinë në veçanti, duke ulur deficitet dhe duke pasur një tregti të drejtë dhe të barabartë. Dhe mezi pres që të përfundojmë diskutimet.

"Fokusi i vërtetë i këtij udhëtimi është në fakt çështja e sigurisë", thotë Maher, tani një konsulent ndërkombëtar i biznesit. "Por zotit Trump i duhej të fliste edhe për çështjet tregtare."/voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat