Këshilli NATO-Rusi do të diskutojë për situatën në Ukrainë

Bota

Këshilli NATO-Rusi do të diskutojë për situatën në Ukrainë

Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 18:23
Selia e NATO-s në Bruksel

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot se përfaqësuesit e aleancës do të takohen me diplomatët e Rusisë, më 19 dhjetor, për të diskutuar për konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës, ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Në takimin e Këshillit NATO-Rusi marrin pjesë zyrtari i lartë diplomatik rus dhe ambasadorët e vendeve anëtare të NATOs.

Tashmë, NATO-ja e ka suspenduar bashkëpunimin praktik me Rusinë, prej se Moska e aneksoi ilegalisht Krimenë e Ukrainës.

Por, zoti Stoltenberg tha se bisedimet me Kremlinin janë të domosdoshme me qëllim që të evitohen keqkuptimet, që mund të çojnë në konflikt më të gjërë.

Në këtë kuadër, Stoltenberg tha se “kur tensionet janë të larta, sikur sot, është shumë e rëndësishme për të pasur dialog direkt me Rusinë”.

Takimi i Këshillit NATO-Rusi, më 19 dhjetor, do të jetë i treti me radhë gjatë vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat