Breksit apo Breksik?

Opinione

Breksit apo Breksik?

Nga: Dr. Islam Lauka Më: 2 korrik 2016 Në ora: 13:09
Dr. Islam LaukaDr. Islam Lauka

Termi breksik të vjen në mendje kur lexon analizat e “ekspertëve” shqiptarë mbi Breksitin. Është kombinim i fjalës “Breksit” me atë “eksik”. Kjo e fundit në kuptimin “i, e mangët”, për shembull eksik në mend, e la sëmundja eksik, etj.

Me ndonjë përjashtim të rrallë, autorët e këtyre analizave marrin guximin të etiketojnë zgjedhësit britanikë si izolacionistë, irracionalë, budallenj.

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, në një artikull të tij, shkruajti të zezë mbi të bardhë se “Breksiti ishte një dështim i racionales, përballë iracionales, të arsyeshmes, përballë të paarsyeshmes”. Ai nuk e thotë përse i përdor dy çifte fjalësh me të njëjtin kuptim, racionale-e arsyeshme; iracionale-e paarsyeshme, dy fjalë shqip e dy të huaja, mbase, i duket se kështu shfryn më mirë mllefin e tij ndaj britanikëve të paarsyeshëm. Më tej, ai shkruan se Breksiti “ishte produkt i një çorodie sociale që i bënte të pavlerë të gjithë argumentet pro qëndrimit.

Me një lehtësi të habitshme, “ekspertëte divanit”, në Shqipëri, të gjitha përgjegjësitë i shkarkojnë tek populli britanik, duke e nxjerrë të larë BE-në dhe eurokratët e Brukselit. Skllavë të skemave bardh e zi, ata nuk e shtrojnë, pa lëre më t`i përgjigjen pyetjes, përse, sa herë që merret mendimi i popullit, pra sa herë që organizohen referendume, si rregull, vota popullore shkon kundër elitave teknokratike të Brukselit? A mos ka njëfarë tëhuajsimi të tyre nga populli, nga hallet dhe shqetësimet e tyre? A mos vetë projekti europian ka nevojë, jo për ndërhyrje kozmetike, por më radikale, për ta bërë atë më të afërt me njerëzit, me popujt dhe specifikat e tyre?

Në rolin e kasandrave,“ekspertët” tanë parashikojnë gjithfarë skenarësh të zi, thelbi i të cilëve mund të përmblidhet në idenë fikse të tyre se, me daljen nga Bashkimi Europian, Britania e Madhe, në të vërtetë, del nga historia.

Ende pa dalë mirë rezultatet e Breksitit, Kryeministri Edi Rama, i frymëzuar nga “sukseset” e tij mbresëlënëse si krijues i “mbërrimë”, përfshirë dizajnimin e fanellës së kombëtares së futbollit, në shkrimin e tij, “Britania, Bashkimi Europian, Shqipëria”, botuar me 24 qershor 2016, tashmë, si politolog, dizajnoi të ardhmen e kontinentit dhe të krejt planetit, duke i qarë hallin Londrës se, pas Breksitit, ajo nuk doli as më e fortë, as më e qartë.

Në kurthin e analizave ideologjike, skematike dhe të thjeshtëzuara, ranë jo vetëm ata që pretendojnë se i dinë të gjitha dhe janë kompetentë për gjithçka, siç hiqen politikanët tanë , por edhe analistë që, prej kohësh, njihen si ekspertë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke zgjedhur izolacionizmin, thekson njëri prej këtyre analistëve, Britania e Madhe do të ketë statusin e njëjtë me atë të shteteve europiane, që nuk janë anëtare të BE-së. Në këtë logjikë, ai parashikon se jashtë Bashkimit Europian, Britania e Madhe do të jetë më e dobët përballë Rusisë në marrëdhëniet dypalëshe.

E pakta që mund të thuhet është se të dyja këto teza, janë shumë të diskutueshme, për të mos thënë të paqëndrueshme.

Britania e Madhe, vërtet, nuk është Perandoria e dikurshme, megjithatë, edhe sot ajo mbetet një ndër fuqitë e mëdha.

Është fuqi bërthamore, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, themeluese dhe një ndër shtyllat e Aleancës së Atlantikut të Veriut (një nga pesë vendet e NATO-s që shpenzon mbi 2% të GDP-së për mbrojtjen).

Ajo është ekonomia e katërt në botë, GDP e saj përbën dyfishin e asaj të Rusisë. Eshtë pjesë e Komonuelthit, ku bëjnë pjesë 53 shtete, simbol i të cilit është Mbretëresha Elisabeta e Dytë.

Statusi i një fuqie të tillë, nuk mund të konsiderohet i njëjtë me atë të shteteve të tjera, jashtë BE-së, si Shqipëria, Maqedonia, apo edhe Zvicra. Për shkak të potencialit të saj, Bashkimi Europian ia ka nevojën Britanisë së Madhe, ashtu si Londra ka nevojë për Brukselin. Breksiti nuk duhet kuptuar si shkëputje e plotë e Britanisë nga Europa. Më shumë, ai shtron nevojën e një marrëveshjeje të re midis tyre.

E paqëndrueshme duket edhe teza për raportet e ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Historikisht, politika britanike ndaj Rusisë u është nënshtruar dy parimeve kryesore: Britania e Madhe nuk ka miq as armiq të përjetshëm, ajo ka interesa të përjetshme dhe moslejimi i ndonjë fuqie tjetër që të dominojë Europën kontinentale. Në varësi të tyre, sipas rastit, Britania e Madhe ka luftuar, por edhe ka bërë aleancë me Rusinë. Në shekullin e XIX-të ajo kryesoi koalicionin që çoi në kapitullimin e Rusisë në luftën e Krimesë (1853-1856) dhe ishte në rivalitet të ashpër gjeoplolitik me të, lidhur me Lindjen e Largët dhe Azinë Qëndrore. Në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, në të dy luftërat botërore, ishte aleate me të.

Pas anëtarësimit në NATO dhe, më vonë, në BE, politika e jashtme britanike, si rregull, ka ndjekur politikat dhe strategjitë e këtyre dy organizatave, por pa harruar identitetin dhe specifikat e veta.

Është fakt i njohur se brenda BE-së, Londra ka qenë midis kryeqyteteve më aktive për ashpërsimin e qëndrimit ndaj Rusisë, që nga ndërhyrja e kësaj të fundit në Gjeorgji në vitin 2008 dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Burokracia e Brukselit, krahasuar me qëndrimin e Londrës, ka qenë shumë më e ngadaltë, më apatike, dhe përgjithësisht, më e butë ndaj Moskës. E “çliruar’ nga proçedurat e ngurta të Brukselit, mbase, politika dhe diplomacia britanike, mund të jenë më efektive në raportet me Moskën.

Megjithatë, Londra dhe kryeqytete të tjera europiane, janë të ndërgjegjshme se pa SHBA, qëndresa e tyre ndaj Moskës është iluzion. Konsolidimi i NATO-s, nënshkrimi i Partneritetit Atlantik për Tregëti dhe Investim, si dhe forcimi i bashkëpunimit të gjithanshëm me SHBA, janë rruga e vetme që garanton suksesin në përmbajtjen e ambicieve shoviniste të fuqisë së ripërtërirë ruse.

Sa u takon mësimeve që nxirren nga Breksiti, përgjithësisht, “ekspertët” tanë, duke satanizuar Britaninë e Madhe, përsërisin përfundimin se për Shqipërinë, integrimi europian, nuk ka alternativë. Kjo është mantra që e dëgjojmë çdo ditë, tash 25 vjet. Ky përcaktim, mendohet se është bërë në bazë të një analize shumëplanëshe e shumënivelëshe dhe Breksiti, vështirë se i shton atij ndonjë element të ri.

Në gjykimin tim, ajo që duhet të mësojmë nga Breksiti është: së pari, dakort në parim, për integrimin e Shqipërisë në BE, por duke vënë në plan të parë interesat tona kombëtare e shtetërore. Për vlera flasin edhe britanikët, por për të vepruar, ata nisen nga interesat e tyre. Ata nuk ia kanë dhënë as nuk ia japin besën kujt tjetër, veç vendit të tyre. Ne që nisemi nga “vlerat” dhe që herë ia kemi dhënë besën “babës së vatanit” (Sulltanit), herë “babait të popujve” (Stalinit) deri edhe Mao Ce Dunit në Lindjen e Largët, dihet ku kemi përfunduar. Së dyti, britanikët, me gjasë, janë të çliruar nga gjuha dhe mendimi i dyfishtë, pavarësisht se Xhorxh Oruelli, që i trajtoi këto nocione, në librin e tij “Viti 1984”, i përket këtij populli. Ata thonë dhe mbrojnë atë që mendojnë. Ata votojnë për atë ide që e kanë për zemër. Duket se për ta është jonormale që të votojnë për një ide dhe në praktikë të zbatojnë një tjetër, siç bëjnë shumë prej nesh, por sidomos politikanët tanë. Së fundi, duke qenë një popull i lië dhe i civilizuar, britanikët votuan, jo siç u thanë të tjerët, përfshirë edhe Presidentin Amerikan, Barak Obama, por, siç e gjykuan dhe e ndjenë ata vetë.

Mundet që zgjedhja e tyre të rezultojë e gabuar. Këtë askush nuk mund ta dijë tani, bile as politikanët dhe ekspertët tanë që bëjnë kasandrën. Vetëm e ardhmja do ta dëshmojë. Por edhe kur gabon, populli i pjekur di të sillet me dinjitet. Dhe me dinjitet di të korrigjohet, pa u kapur me thonj e me dhëmbë pas zgjedhjes së bërë, qoftë edhe me referendum, duke respektuar kështu, në radhë të parë, vetveten. Sepse britanikët e dinë mirë se çmimi të cilin popujt i vënë vetes, është çmimi që respektojnë edhe të tjerët.

(Autori është diplomat, pedagog, President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat