Davutoglu “do të largohet” për shkak të përçarjeve me Erdoganin

Bota

Davutoglu “do të largohet” për shkak të përçarjeve me Erdoganin

Më: 5 maj 2016 Në ora: 14:01

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, do të japë dorëheqje në një kongres të jashtëzakonshëm të partisë së tij, që do të mbahet këtë muaj, raportojnë mediat lokale.

Raportet se kongresi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim do të mbahet më 22 maj kanë ardhur pasi Davutoglu ka biseduar me zyrtarë të lartë të partisë.

Spekulimet për dorëheqjen e tij janë përhapur prejse Davutoglu ka takuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën.

Davutoglu thuhet se nuk është pajtuar me planet e Erdoganit për të lëvizur Turqinë drejt sistemit presidencial të qeverisjes.

Të enjten, ndihmësi i presidentit, Cemil Ertem, ka thënë për televizionin turk se Turqia dhe ekonomia e saj do të stabilizohen tutje “kur një kryeministër më i afërt me presidentin Erdogan të marrë detyrën”.

Zhvillimet vijnë në kohën e paqëndrueshmërive në Turqi, e cila po përballet me një konflikt të përshkallëzuar me rebelët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, me sulme nga i ashtuquajturi Shtet Islamik dhe me fluks të migrantëve dhe refugjatëve.

Turqia është po ashtu në mes të zbatimit të një marrëveshjeje të rëndësishme me Bashkimin Evropian, të ndërmjetësuar nga Davutoglu, për të kufizuar numrin e refugjatëve që kalojnë kufirin e saj, në këmbim të përafrimit të Ankarasë me BE-në dhe të ndihmës financiare.

E ardhmja e kësaj marrëveshjeje mund të vihet në rrezik nga largimi i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat