Rumania jep dënimin e parë për krimet e komunizmit pas Çausheskut

Bota

Rumania jep dënimin e parë për krimet e komunizmit pas Çausheskut

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 20:19

Rumania dënoi një drejtues burgu të kohës komuniste me 20 vjet burg, duke e bërë kështu të ndëshkuarin e parë për krimet e kryera mbi 50 vjet më parë, një hap i rëndësishëm për rehabilitimin e ish të burgosurve politikë të dikurshëm.

Marian Chiriac | BIRN | Bukuresht

Kastacioni i gjykatës së lartë të Rumanisë të mërkurën i qëndroi një dënimi 20-vjeçar për Alexandru Visinesku, një ish-drejtues burgu i akuzuar për vrasje të të paktën 12 të burgosurve politikë gjatë regjimit komunist.

Ky ishte gjyqi i parë i një kreu të epokës komuniste në Rumani që kur diktatori Nikolai Çaushesku u gjykua dhe u ekzekutua në vitin 1989.

Midis vitit 1956 dhe 1963, Visinesku drejtoi burgun famëkeq Ramnicu Sarat ku u burgosën liderët para-komunistë dhe elita intelektuale.

Visinesku, i cili tani është 90 vjeç, ishte i përfshirë në rrahje të të burgosurve, në privimin e tyre nga trajtimi mjekësor dhe ekspozimin e tyre ndaj të ftohtit. Shumë të burgosur politikë, përfshirë një ish-diplomat dhe një kryetar partie, vdiqën si rezultat i kësaj.

Më shumë se 50 vjet kanë kaluar që nga vdekjet e të dënuarve, por sipas ligjit rumun nuk ka asnjë afat kohor për ndjekjen penale të krimeve të rënda.

Visinesku nuk ishte i pranishëm në gjykatë për të dëgjuar vendimin. Në të kaluarën ai i ka mohuar akuzat dhe këmbënguli se ka ndjekur urdhrat. Ai gjithashtu pohoi se disa të burgosur vdiqën nga pleqëria.

Pas dekadave të mohimit, Rumania më në fund ka filluar përpjekjet për të ndëshkuar krimet e epokës komuniste. Në vitin 2014, Instituti Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, IIÇMER, ka publikuar një listë të 35 njerëzve të dyshuar për përfshirje në ndalimin dhe torturimin e disidentëve gjatë kohës komuniste.

“Vendimi i gjykatës për Visineskun vjen paksa vonë por ka rëndësi të madhe. Është i rëndësishëm së pari për rehabilimin e viktimave dhe nga ana tjetër, hap rrugën për më shumë ndëshkime mbi krimet e kryera në periudhën komuniste,” tha presidenti i IIÇMER, Dinu Zamfirescu të mërkurën.

Dy ish-shefa të burgjeve në periudhën komuniste, Ioan Ficior dhe Florian Cormos, gjithashtu akuzohen për shkaktim të vdekjeve dhe torturim të të burgosurve politikë. Ata i kanë mohuar akuzat.

Në vitet e fundit, kanë dalë në dritë detaje tmerruese mbi torturat që rojet i shkaktonin të burgosurve politikë.

Raportet tregojnë se rreth 120,000 nga 617,000 të burgosur politikë vdiqën në atë kohë. Shumica ishin politikanë, priftërinj, shkrimtarë dhe diplomatë, por disa ishin edhe fshatarë.

Komisioni hetues është përqendruar në krimet politike të kryera nga fillimi i viteve 1950 deri në 1964, kur u shpall një amnisti e përgjithshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat