​BE kërkon nga Turqia të lejojë kalimin e refugjatëve sirianë

Bota

​BE kërkon nga Turqia të lejojë kalimin e refugjatëve sirianë

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 22:07

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Turqisë të lejojë kalimin e mijëra refugjatëve sirianë që janë bllokuar në kufirin turk në Kilis, pasi janë larguar nga zona e luftimeve.

Shefja për politikën e jashtme në BE, Federica Mogherini tha se Turqia kishte një detyrim moral, por edhe ligjor për të ofruar mbrojtje për këta persona. Ajo tha se BE i ka dhënë Turqisë fonde për tu ofruar mbështetje dhe strehë të gjithë atyre sirianëve që kërkojnë azil.

Por autoritetet turke thanë se nuk kishte asnjë arsye që refugjatët të hyjnë në tokën turke pasi atyre po u ofrohej ushqim dhe strehim në Siri.

Janë rreth 35 mijë emigrantë u larguan pas ofensivës qeveritare në zonën e Alepos e cila kontrollohej nga rebelët opozitarë.

Edhe komisionari i Zgjerimit në BE, Johannes Hahn, dhe ministri i Jashtëm holandez Bert Koenders, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së, i bënë thirrje Turqisë të hapë kufirin dhe të lejojë kalimin e emigrantëve që kanë nevoja humanitare.

Por guvernatori i Kilis, Sulejman Tapsiz tha se për momentin nuk ishte e nevojshme që të lejohej kalimi i kaq shumë njerëzve brenda kufirit turk.

Aktualisht, në Turqi ndodhen më shumë se 2.5 milionë refugjatë sirianë, por numri i tyre pritet të shtohet pas ofensivës së qeverisë siriane që mbështet dhe sulmet ajrore të Rusisë.

Ndërkohë policia turke ka kryer një aksion në tre fabrika në provincën e Izmirit, aty ku prodhoheshin gomone dhe varka të një cilësie të dobët e të cilat më pas u shiteshin emigrantëve që vijonin udhëtimin në Greqi. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 49 mjete lundrimi.

Më shumë se një milion refugjatë kanë mbërritur në vendet e BE-së nga deti, dhe rreth 3.600 prej tyre janë mbytur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat