Presidenti Obama mbyll udhëtimin në Afrikë

Bota

Presidenti Obama mbyll udhëtimin në Afrikë

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 06:33

Presidenti Barack Obama mbylli sot udhëtimin e tij në Afrikën Lindore, duke u bërë i pari udhëheqës amerikan në detyrë që flet para Bashkimit Afrikan në Adis Abeba. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të kontinentit që t’u japin përparësi hapjes së vendeve të punës dhe mundësive për brezat e ardhshëm të të rinjve, ose përndryshe do të rrezikojnë të sakrifikojnë potencialin ekonomik dhe shkaktojnë paqendrueshmëri të mëtejshme.

Komentet e Presidentit Obama në selinë e Bashkimit Afrikan, pasuan një takim me kreun e Komisionit të kësaj organizate, Nikosazana Dlamini Zuma.

Presidenti, babai i të cilit ka lindur në Kenia, tha se ka ardhur koha që bota të lërë mënjanë stereotipet e vjetra sipas së cilave, Afrika është e destinuar të jetë e zhytur në varfëri dhe konflikt.

"Ndërsa Afrika ndryshon, unë i kam bërë thirrje botës që të ndryshojë qëndrimin ndaj Afrikës. Shumë afrikanë më kanë thënë se nuk duan thjesht ndihmë, por tregëti që të nxisë mirëqenien. Më kanë thënë se nuk duan padronë, por partnerë, që t’i ndihmojnë të ndërtojnë kapacitetin për t’u rritur. Ata nuk duan poshtërimin e varësisë, por që të bëjnë zgjedhjet e veta dhe të vendosin për të ardhmen e vet”.

Presidenti Obama u bëri thirrje udhëheqësve të Afrikës që t’i bëjnë vendet e veta më tërheqëse për investimet e huaja duke spastruar korrupsionin, duke mbrojtur liritë demokratike dhe të drejtat e njeriut dhe duke lënë postin me vullnetin e tyre dhe në paqe kur u përfundojnë mandatet.

Ai tha se e do shumë punën e tij dhe e sheh atë si privilegjin më të madh të jetës, por e di se nuk mund të kandidojë më pasi kushtetuta amerikane nuk e lejon një gjë të tillë.

“Unë nuk e kuptoj se pse njerëzit duan të rrinë kaq gjatë në pushtet veçanërisht kur kanë shumë para. Kur një udhëheqës do të ndryshojë rregullat e lojës në mes të procesit vetëm për të qëndruar në pushtet nxit rrezikun e paqendrueshmërisë dhe problemeve”, tha ai duke iu referuar rastit të Burundit.

“Shpesh dëgjon një udhëheqës të thotë se ‘unë jam i vetmi që mund ta qeverisë vendin’. Nëse kjo është e vërtetë, ai nuk ka arritur të ndërtojë një shtet”.

Zoti Obama u takua dje me Kryeministrin etiopian Hailerman Desalegn për bisedime që përfshinin thirrjen drejtuar qeverisë për më shumë liri për gazetarët dhe partitë opozitare. Ai tha se kjo “do të forconte jo të dobësonte” programin e partisë në pushtet.

Zoti Desalegn tha se Etiopia është e angazhuar të përmirësojë të dejtat e njeriut dhe qeverisjen dhe se “përkushtimi ynë ndaj demokracisë është real dhe jo sipërfaqësor”.

Të hënën, zoti Obama u përqendrua gjithashtu tek lufta civile në Sudanin Jugor, duke thënë para një takimi me udhëheqësit e Kenias, Ugandës, Etiopisë dhe Bashkimit Afrikan se kushtet në vend “janë keqësuar shumë më tepër”. Ai tha se presidenti dhe udhëheqësit e opozitës në Sudanin Jugor kanë treguar kokëfortësi dhe po mendojnë për interesat e tyre vetjake në vend të interesave të vendit.

Presidenti Obama është i pari president amerikan në detyrë që viziton Etiopinë. Në frymën e bisedimeve dypalëshe të së hënës, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të japin të paktën 40 milionë dollarë ndihmë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në Afrikën Lindore përveç 465 milionë dollarëve të propozuar për stërvitje, paisje, krijimit të kapaciteteve dhe nismat kundër ekstremizmit të dhunshëm në gjithë Afrikën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat