Katar: Takim ndërmjet zyrtarëve të qeverisë afgane dhe talibanëve

Bota

Katar: Takim ndërmjet zyrtarëve të qeverisë afgane dhe talibanëve

Më: 2 maj 2015 Në ora: 18:44

Agjencia shtetërore e Katarit, QNA, ka raportuar se zyrtarët qeveritarë të Afganistanit dhe përfaqësues të talibanëve, e mbajnë një takim dyditësh për bisedime të “pajtimit” në Doha, megjithqë të dy palët kanë synuar ta ulin pritshmërinë nga ky takim.

QNA ka raportuar se takimi ka filluar sot, por nuk i ka indentifikuar zyrtarët që marrin pjesë në bisedime.

Më herët, talibanët thanë se ata i përfaqëson një delegacion prej tetë anëtarësh dhe kanë theksuar se diskutimet “nuk duhet të keqinterpretohen si bisedime ose negociata paqësore”.

Zëdhënësi i presidencës së Afganistanit, Ajmal Abidy, tha se anëtarët e Këshillit të Lartë Paqësor të Afganistanit, do të marrin pjesë në bisedimet e Dohës në “kapacitet personal”.

“Ne nuk kemi pritje” nga ky takim, tha Abidy për agjencinë Associated Press.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, që u zgjodh në shtator të vitit të kaluar, ka kërkuar bisedime paqësore me talibanët.

Përpjekjet e mëparshme për fillimin e bisedimeve paqësore kanë dështuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat