​Cipras optimist për një zgjidhje me Bashkimin Evropian

Bota

​Cipras optimist për një zgjidhje me Bashkimin Evropian

Më: 29 mars 2015 Në ora: 16:51

Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh optimist për një përfundim të lumtur të negociatave vendimtare që po vazhdojnë me kreditorët e vendit, BE dhe FMN duke përfshirë reformat që qeveria duhet të realizojë për të përfituar kreditë ndërkombëtare.

“Ka pushtete në Evropë që përfaqësojnë interesat specifike dhe që dëshirojnë shkëputjen, por ka gjithashtu pushtete, që do të dominojnë duke parashikuar një kompromis të sinqertë dhe të ndershëm”, theksoi kryeministri i të majtës radikale Syriza, në një intervistë të publikuar nga e përjavshmja greke ”Realnews”.

”Jam optimist për një fund të lumtur të kësaj faze të parë negociatash dhe për normalizimin e situatës”, shtoi Aleksis Cipras, në pushtet që prej dy muajsh dhe i cili kërkon fundin e masave shtrënguese, njëargument që irriton disa prej partnerëve evropianë.

Dje, ekspertët e Greqisë, BE, BQE, FMN dhe Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (MES) do të diskutojnë për këtë listë reformash, që sipas Athinës, do t’i sigurojë shtetit grek tre miliardë euro dhe do të rivendosë një rritje ekonomike prej 1,4 për qind në Greqi në vitin 2015.

“Këto diskutime maratonë dhe të vështira, sipas shtypit grek, do të vazhdojnë edhe sot.

“Ka ende shumë punë për të bërë për arritjen e një marrëveshjeje”, theksoi dje agjencia e lajmeve ANA.

Sipas stacionit televiziv ”Mega”, kreditorët këmbëngulin për masa më të ashpra, ndërkohë që qeveria greke është angazhuar përballë popullit grek për të mos marrë më masa shtrënguese.

“Nuk mund të besoj se Evropa demokratike do të zgjedhë rrugën e shkëputjes”, theksoi Aleksis Cipras.

“Dëshirojmë një shkëputje me korrupsionin dhe një zgjidhje me Evropën”, shtoi ai.

“Çështja e Greqisë është kryesisht një çështje evropiane, që i përket unitetit të zonës euro dhe që nuk mund të menaxhohet vetëm nga ekonomistët dhe teknokratët, por nga drejtuesit e vendeve evropiane”, theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat