Strobe Talbott: Rusia e ka pushtuar tashmë Ukrainën

Bota

Strobe Talbott: Rusia e ka pushtuar tashmë Ukrainën

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 00:15

Strobe Talbott, një prej ekspertëve më të mirë amerikanë për çështjet e Rusisë, i cili ka përkthyer në anglisht kujtimet e Nikita Hrushovit, ka qenë Nënsekretar Shteti nga 1994 deri në 2001. Aktualisht është President i Institutit Brookings.

Si duhet të përgjigjet Perëndimi nëse Putini e pushton realisht Ukrainën?

Ata e kanë pushtuar tashmë Ukrainën. Më duket një marrëzi dhe e pakuptueshme se si qeveritë dhe media vazhdojnë të flasin për mundësinë, rrezikun, kërcënimin e pushtimit të Rusisë. Rusia e pushtoi Ukrainën në fillim të pranverës. E filluan me të ashtuquajturit “burat e vegjël të gjelbër” – ushtarë rusë pa shenja dalluese në uniforma – më pas vazhduan me uniforma me spaleta dhe aneksimin e Krimesë. Rusia ka qenë forca prapa, dhe forca në terren, me separatistët në Ukrainën lindore. Eshtë një pushtim që po ndodh tashmë. Eshtë shumë e dëmshme për kontrollin e situatës që të vazhdojmë me falsitetin që vetë rusët po hedhin në qarkullim, sikur ata nuk e kanë pushtuar Ukrainën.

Tani që europianët kanë vendosur sanksione më të fortë, a është i mjaftueshëm reagimi i Perëndimit?

Eshtë i mirë. Sigurisht mund të ishte më i ashpër, por nëse mund të jetë më i ashpër në një mënyrë që të ruajë solidaritetin e Aleancës së Atlantikut dhe që të mos shkaktojë kundërplasje në politikën e brendshme dhe publikun e SHBA, kjo është një sfidë. Fakti që kancelarja gjermane, Angela Merkel ka marrë udhëheqjen dhe ka qenë pothuajse në një hap me presidentin Obama është një plus i madh. Sanksionet po kanë efekt në Rusi. Deri tani në mes të gushtit, rusët nuk duket se e kanë ndarë mendjen se cili do jetë hapi i tyre i radhës. Dua të mendoj që, arsyeja përse nuk kanë vazhduar me përshkallëzimin e mëtejshëm është surpriza e pakëndshme për ta, pra që perëndimi ka qenë i bashkuar në reagimin e tij.

Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski ka argumentuar se NATO duhet të shkojë më tej dhe të “fuqizojë krahun e saj lindor”. A do të ishte më shumë një frenues, apo një provokim për Rusinë?

Nuk jam i sigurtë çarë do të thotë me saktësi. Por NATO është fuqizuar tashmë në shumë drejtime, përfshirë edhe Poloninë. Veç kësaj, ka një përpjekje të dukshme për të vendosur forca “nga shtetey origjinalë të NATO-s” – ata që kanë qenë anëtarë përpara fundit të Luftës së Ftohtë – në shtetet balltikë, sidomos në Estoni. Britanikët dhe Gjermanët po plotësojnë amerikanët me mbështetje nga ajri. Një kërkesë thelbësore është përmbushur: të binden rusët që çdo shtet që është anëtar me të drejta të plota i NATO-s, tashmë është tërësisht i mbuluar nga Neni 5 i Traktatit të NATO-s, që thotë se secili anëtar duhet të mbrojë të tjerët me “çizme në terren” në rast të një rreziku. Ky është një frenues.

Cili është qëllimi final i Putinit?

Eshtë vetëm një mbithjeshtëzim i vogël të thuash se Putini ka si qëllim zhbërjen e reformave që vuri në zbatim Mikhail Gorbaçovi dhe që më pas u çuan përpara nga Boris Jelsini. Këta mandate të njëpasnjëshëm të presidentit të fundit të Bashkimit Sovjetik dhe presidentit të parë të Rusisë post-sovjetike, Gorbaçov dhe Jelsin, përgjatë një periudhe 20-vjeçare, e futën Rusinë në një rrugë të re dhe premtuese – premtuese për vetë Rusinë.

Komponentët bazë të këtyre reformave duhej të hapnin shoqërinë ruse, demokratizonin dhe federalizonin Bashkimin e dikurshëm Sovjetik, me qëllim që të kishte llogaridhënie dhe një ndjesi mes qytetarëve, që ata kishin një fjalë për të thënë në hartimin e politikave të qeverisë së tyre. Reformat e tyre synonin të hiqnin qafe “gënjeshtrën e madhe” – pra lidhja e syve të popullit rus dhe maskimi i asaj që kërkonte Rusia në botë. Zëvendësimi i “glaznostit” – ose transparencës – u pasua prej “shoqërisë së hapur” të Jelsinit. Në politikën e jashtme, ata e braktisën si një kauzë të humbur qasjen agresive konkuruese të lojës me shumë zero kundrejt botës së jashtme, dhe në vend të kësaj u përpoqën të ndjekin një politikë partneriteti me Perëndimin dhe komunitetin ndërkombëtar. Të gjithë këto janë tashmë në rrezik dhe të anuuara prej Putinit. Nuk është thjeshtë e rrezikshme, siç po e shohim në Ukrainë, por edhe e keqe për Rusinë në terma kohëgjatë.

Një prej vendimeve më të rëndësishëm që Jelsini mori si më i pushtetshmi i udhëheqësve post-sovjetikë të Rusisë, ishte të garantonte që kufijtë mes republikave të shndërroheshin në kufij ndërkombëtarë të shteteve të pavarur. Vetëm kjo e bëri të mundur shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, paqësore, jo të dhunshme dhe relativisht të rregullt. Shmangu atë lloj luftërash të përgjakshme që kemi parë në shpërbërjen e ish Jugosllavisë. Putini e ka “grisur” atë vendim dhe po ndjek kursin e Sllobodan Millosheviçit, udhëheqësit serb. Putini mund të jetë fare mirë duke precipituar shpërbërjen e dhunshme të Federatës Ruse.

Ndryshimi i kufijve me forcë – dhe reagimi ndaj kësaj – ka pasoja më të gjera për rendin global në tërësi. Sado të justifikuar të jenë sanksionet ndaj Rusisë, kjo gjë ka tani efektin të styjë Rusinë drejt kinezëve – që e shohin “kthesën” amerikane drejt Azisë si një përpjekje për të frenuar ngjitjen e tyre – në një bllok anti Perëndim. A i druheni kësaj?

E shoh si një fenomen sipërfaqësor, pa rrënjë të thella. Qëllimet e shpalur të Putinit dhe presidentit kinez, Xi Jinping duket se tregojnë ndarjen në këta blloqe. Por nuk mendoj se është gjë e qëndrueshme në terma kohëgjatë. Së pari, rusët dhe kinezët janë të fiksuar pas atij që e shohin si “hegjemonizmi amerikan” dhe e mendojnë si rrezikun e madh. Nuk është ky rreziku. Rreziku për Rusinë dhe Kinën është një e ardhme ku ata vetëizolohen. Rusia dhe Kina janë raste shumë të ndryshëm dhe njësoj të komplikuar. Kina është thellësisht e integruar në ekonominë botërore dhe po përfiton nga e gjithë kjo. Ajo nuk do të vërë në rrezik këta përfitime. Eshtë diçka frenuese për Kinën kjo. Rusia nuk është e integruar në ekonominë globale, kryesisht sepse është shumë e varur nga nxjerrja dhe eksporti i produkteve të naftës. Nuk ka një ekonomi moderne të prodhimit apo shërbimeve. Kështu që Rusia dhe Kina nuk janë njësoj.

Së dyti, ka realitete gjeopolitikë dhe etnografikë që bien ndesh. Rusia ka shtetin më të madh territorial në planet, që ndan një kufi të gjatë me shtetin me popullsi më të madhe në planet, Kinën. Rusia ka shumë gjëra që Kina i do – lëndë të para. Kjo është një formulë për konkurrencë serioze, madje edhe konflikt.

Nëse tregohesh largpamës, gjë që Putini nuk po e bën, ai duhet të jetë shumë më i shqetësuar për qëndrueshmërinë e kontrollit rus mbi zona të gjera të pjesës lindore të vendit, me shumë burime që Kina i do dhe pak njerëz për t’i mbrojtur ata.

Me fjalë të tjera, Putini po sheh nga e kaluara, dhe jo nga e ardhmja.

Më keq, ai po sheh nga e kaluara për një model për të ardhmen. Eshtë gjë jo e mençur dhe ekstreme, për rusët – dhe për gjithë ne të tjerët. /Huffington Post/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat