Vahdon ofensiva izraelite në Gazë

Bota

Vahdon ofensiva izraelite në Gazë

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 19:14

Ofensiva ajrore e Izraelit në Gazë hyri sot në ditën e pestë. Një pjesë e viktimave u shkaktuan në një qendër për personat fizikisht të paaftë, kur ajo u godit nga artileria izraelite.

Personat e vrarë gjatë natës u shtohen mbi 100 palestinezëve të vrarë që kur Izraeli filloi ofensivën në Rripin e Gazës të martën. Palestinezët thonë se më shumë se 120 vetë kanë vdekur.

Tek disa njerëz në Gazë duket se zemërimi ka arritur një pikë ku nuk mban më.

"Ne nuk kemi nevojë për shtëpi, kemi nevojë për një shtet. Do të desha të isha i ri, të vishja një brez me eksploziv dhe të hidhja veten në erë në Tel Aviv," thotë Ibrahim Mahmoud Daoud, shtëpia e të cilit është shkatërruar.

Edhe pse Hamasi dhe militantë të tjerë kanë hedhur rreth 700 raketa në Izrael, deri më tani nuk ka patur izraelitë të vrarë, kryesisht për shkak të sistemit mbrojtës me raketa, të quajtur Kupola e Hekurt dhe të financuar nga SHBA.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut hodhi dyshime nëse operacioni ushtarak izraelit përputhet me të drejtën ndërkombëtare që ndalon vënien në shënjestër të civilëve.

Ja si u shpreh një zëdhënëse e kësaj zyre:

"Kemi marrë raporte tepër shqetësuese se shumë prej viktimave civile, duke përfshirë fëmijë, janë shkaktuar nga sulmet kundër shtëpive. Raporte të tilla ngrenë dyshime nëse sulmet ajrore izraelite kanë qenë në përputhje me ligjin humanitar ndërkombëtar dhe ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Vënia në shënjestër e shtëpive të civilëve është një shkelje e këtyre ligjeve nëse këto shtëpi nuk përdoren për qëllime ushtarake," tha zëdhënësja e OKB-së.

Izraeli këmbëngul se është përpjekur të shmangë viktimat civile, por akuzon Hamasin se fshihet në zonat e banuara.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli nuk do të bëjë kompromis me sigurinë e popullit të tij thjesht për shkak të presionit të jashtëm.

"Asnjë presion presion ndërkombëtar nuk do të na pengojë të veprojmë me të gjithë forcën kundër një organizate terroriste që kërkon shkatërrimin tonë. Ne do të vazhdojmë të sulmojmë me forcë cilindo që përpiqet të na dëmtojë. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri dhe urtësi qytetarët e Izraelit," tha zoti Netanyahu.

Uashingtoni tha dje se është i gatshëm t'u drejtohet disa prej aleatëve të tij në Lindjen e Mesme për të ndihmuar që t'i jepet fund dhunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat