Boston: Filloi maratona, masa të shtuara të sigurisë

Bota

Boston: Filloi maratona, masa të shtuara të sigurisë

Më: 21 prill 2014 Në ora: 17:15

Maratona e 118 me radhë në Boston, ka filluar nën masa të ashpra të sigurisë.
Vrapimi i sivjemë në shtegun prej 42.2 kilometraash, po bëhet në njëvjetorin e maratonës së vitit të kaluar, në të cilin shpërthyen dy bomba afër vijës së finishit.
Nga këto eksplodime u vranë tre vetë dhe u plagosën më se 260 të tjerë.
Dy vëllëzër etnikë çeçenë janë akuzuar se i kanë aktivizuar bombat e prodhimit shtëpiak.
Njëri nga vëllezërit, Tamerlan Tsarnaev, ishte vrarë gjatë të shtënave me policinë. Vëllai i tij, Dzhokhar Tsarnaev, është arrestuar dhe pritet procesi gjyqësor kundër tij, në të cilin ai mund të dënohet me vdekje.
Para fillimit të maratonës së sotme, është mbajtur heshtje për viktimat e sulmeve të vitit 2013.
Me këtë rast është transmetuar kënga “America the Beautiful” (Amerika e Mrekullueshme).
Për maratonën e sivjemë janë regjistruar 36 mijë atletë, që është numri më i madh i pjesëmarrësve në historinë e maratonës së Bostonit.
Në Boston dhe rrethinë janë vendosur qindra pjesëtarë të sigurisë, ndërsa helikopterët dhe qentë e specializuar për zbulimin e bombave janë në veprim, derisa po vazhdon vrapimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat