Përleshje me forcat pro-ruse, mbetet një i vrarë

Bota

Përleshje me forcat pro-ruse, mbetet një i vrarë

Më: 14 prill 2014 Në ora: 10:38

Forcat speciale të Ukrainës shkëmbyen zjarr me milicinë pro-ruse në qytetin lindor Slovyansk, dhe të dyja palët njoftuan për viktima. Sipas agjensisë së lajmeve “Reuters”, një pjesëtar i forcave të sigurisë ukrainase është vrarë, kurse pesë të tjerë janë plagosur në aksionin antiterrorist kundër militantëve pro-rusë në Slovyansk, në lindje të Ukrainës, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, Arsen Avakov, i cili mes të tjerash ka thënë se të vrarë ka edhe në radhët e militantëve pro-rusë. Arsen Avakov, ministri i Brendshëm i Ukrainës, nuk ka mundur të konfirmojë numrin e të vrarëve.“Separatistët filluan të mbrohen”, është shprehur Avakov, në një postim në Facebook.

Avakov ka shtuar gjithashtu se rreth 1000 persona kanë qenë në mbështetje të separatistëve gjatë aksionit. Shkallëzimi i trazirave në Ukrainë vjen një ditë pasi persona të armatosur pro-rusë morën stacionin policor të Slovyanskut dhe ndërtesat qeveritare në qytetet me popullatë kryesisht ruse të Donetskut dhe Kramatorskut. Kievi akuzon Moskën se po bën përpjekje për të thelluar valën e dhunës dhe kaosit në Ukrainë, pasi Kremlini kërkon që të minojë legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të 25 Majit, të cilat kanë për qëllim që ta sjellin vendin në rrugën e duhur, pas muajsh trazirash të shumta. Një reporter i Reuters-it në Slovyansk, qytet i cili ndodhet rreth 150 kilometra larg kufirit ruso-ukrainas, raportoi se dy helikopterë ushtarakë po fluturonin mbi shtabin e policisë së qytetit, vend ku ishin grumbulluar militantët. Kryetari i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, shprehu shqetësim gjatë ditës së dielë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, cituar nga agjensia “Reuters”, në lidhje me shfaqjen e separatistëve të armatosur pro-rusë, në Ukrainën Lindore, dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake ruse në Ukrainë, do të thellonte izolimin ndërkombëtar të Moskës. “Jam tejet i shqetësuar në lidhje me përhapjen e tensionit në Ukrainën Lindore”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në deklaratën e tij. BBC

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat