Ultimatumi i Ukrainës: 48 orë për pro-rusët

Bota

Ultimatumi i Ukrainës: 48 orë për pro-rusët

Më: 9 prill 2014 Në ora: 21:27

Autoritetet ukrainase paralajmëruan aktivistët dhe protestuesit pro-rusë në lindje të vendit që t’i japin fund pushtimit të godinave shtetërore brenda 48 orëve, përndryshe…

Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov deklaroi se situata në qytetet në lindje do të zgjidhet brenda 48 orëve, ose nëpërmjet bisedimeve, ose duke përdorur forcën. Avakov tha se në Kharkiv, Luhansk dhe Donetsk është gati operacioni anti-terror, që do të përmbyllet brenda dy ditëve.

“Ka dy opsione, zgjidhja politike përmes bisedimeve ose përdorimi i forcës. Për ata që dëshirojnë bisedimet ne ofrojmë një zgjidhje politike, për pjesën tjetër të minoritetit që kërkon konflikt, do të marrë përgjigjen e fortë të autoriteteve ukrainase”, deklaroi ministri Avakov.

Më herët, gjatë së mërkurës disa prej protestuesve që zaptuan godinat qeveritare të shërbimeve të sigurisë në qytetin e Luhansk-ut në fundjavë, u larguan prej andej duke dhënë shenjat e para për zbutjen e tensioneve.

Në Kharkiv forcat speciale ukrainase rimorën nën kontroll godinat qeveritare, ndërkohë që në Donetsk protestuesit pro-rusë vijojnë të mbajën nën kontroll disa godina të qeverisjes qendrore dhe vendore.

Javën e ardhshme zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës do të takohen për të diskutuar situatën e tensionuar në këtë vend. Ky do të jetë takimi i parë i këtij lloji që prej nisjes së krizës. Shefes së Politikës së Jashtme, Kethrin Eshton do t'i bashkohet Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ai ukrainas, Andrij Deshçicia.

Rusia aneksoi Krimenë dhe ka vendosur trupa përgjatë kufirit me Ukrainën. Kievi dhe Uashingtoni akuzojnë Moskën se po nxit trazirat në qytetet lindore të Ukrainës dhe synon të “rrëmbejë më shumë territor”, një pretendim që kundërshtohet nga Rusia.

Deri tani, Moska nuk ka pranuar t’i njohë autoritetet e reja të Kievit, pas rrëzimit të ish-presidentit, Viktor Janukovic në muajin shkurt.

Ende nuk është bërë publike se ku do të zhvillohen bisedimet e javës së ardhshme, megjithëse një zyrtar europian konfirmoi se do të jenë në Europë. Të martën, NATO paralajmëroi Rusinë se “ndërhyrja e mëtejshme në Ukrainë do të përbente një gabim historik, me pasoja të rënda”.

Presidenti rus, Vladimir Putin tha se “Rusia nuk ka asnjë qëllim për ta pushtuar Ukrainën, por gëzon të drejtën për të mbrojtur rusët atje”. Por nga ana tjetër Moska ka paralajmëruar autoritetet ukrainase se cdo përpjekje për t’i dhënë fund protestave do të cojë në luftë civile.

Të martën parlamenti ukrainas miratoi ligjin kundër separatizmit, një përpjekje për të ulur tensionin në rajonet lindore. Sipas ligjit të ri, të gjithë ata që akuzohen për shkelje të supremacisë territorialë të Ukrainës do të dënohen deri në 5 vjet burg ose me 10 vjet nëse kjo është e përsëritur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat