Ministrat e Jashtëm të ekonomive më të mëdha të botës mblidhen sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes mosmarrëveshjeve për luftën në Ukrainë, konfliktin me Iranin dhe tensionet tregtare ndërkombëtare.**
Takimi dyditor i G20-s, që mbahet më 30 dhe 31 tetor në Atlanta, do të drejtohet nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka nxitur shqetësime te disa aleatë perëndimorë, raporton Associated Press (AP).
Takimi shërben si përgatitje për samitin e liderëve të G20-s, të cilin presidenti amerikan Donald Trump pritet ta organizojë në dhjetor, në Florida.
Sipas AP-së, mosmarrëveshjet për luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, konfliktin e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, tarifat amerikane dhe tensionet në Detin e Kinës Jugore mund ta vështirësojnë arritjen e një qëndrimi të përbashkët.
Një nga prioritetet e Uashingtonit është siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, Detin e Kuq, Detin e Zi dhe Detin e Kinës Jugore. Diskutimet do të përfshijnë edhe sigurinë energjetike, furnizimin me ushqime dhe zinxhirët e furnizimit me minerale kritike.
Pjesëmarrja e Rusisë pritet të jetë ndër çështjet më të ndjeshme të takimit, në kohën kur lufta në Ukrainë vazhdon të shkaktojë përplasje diplomatike ndërmjet Moskës dhe vendeve perëndimore.