Sulmi me dronë nga Iraku, Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës, goditen sërish tregjet globale

Bota

Sulmi me dronë nga Iraku, Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës, goditen sërish tregjet globale

Më: 12 shtator 2026 Në ora: 08:09
Fotoilustrim

Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin strategjik Lindje–Perëndim, pasi ai u godit nga dronë të nisur nga territori i Irakut. Sulmi ka shkaktuar dëme dhe disa persona janë plagosur, ndërsa autoritetet saudite kanë nisur vlerësimin e pasojave.

Rijadi e ka marrë vendimin si masë paraprake, ndërsa Arabia Saudite ka deklaruar se, për momentin, nuk do të ndërmarrë hakmarrje ndaj Irakut. Ministria e Jashtme saudite tha se mbretëria do të mbështesë përpjekjet e qeverisë irakiane për të parandaluar sulme të tjera nga territori i saj.

Tubacioni Lindje–Perëndim, me gjatësi rreth 1,200 kilometra, është një prej infrastrukturave më të rëndësishme energjetike të Arabisë Saudite. Ai i mundëson vendit të transportojë naftën drejt porteve në Detin e Kuq dhe të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit, një prej pikave më strategjike të transportit të naftës në botë.

Sipas të dhënave të cituara nga Reuters, tubacioni ka transportuar rreth 4–5% të furnizimit global me naftë, duke ngritur shqetësime për ndikimin që një ndërprerje e zgjatur mund të ketë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Iraku ka pranuar se sulmi me dronë e kishte origjinën në territorin e tij. Zyra e kryeministrit irakian njoftoi se komandanti i operacioneve në provincën Maysan ishte shkarkuar nga detyra pasi u konfirmua se sulmi ishte nisur nga kjo zonë, e cila kufizohet me Iranin. Autoritetet irakiane kanë nisur gjithashtu një hetim për ngjarjen.

Arabia Saudite ka paralajmëruar ndërkohë se rezervon të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe objektet e saj strategjike, si dhe qytetarët dhe banorët e vendit.

Sulmi është dënuar edhe nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i cili e cilësoi atë si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe kërcënim të papranueshëm ndaj sigurisë dhe infrastrukturës jetike të Arabisë Saudite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat