Rusia në Afrikë: Puçet, mesazhet kundër Perëndimit dhe rënia e Prigozhinit

Bota

Rusia në Afrikë: Puçet, mesazhet kundër Perëndimit dhe rënia e Prigozhinit

Më: 14 janar 2024 Në ora: 17:25
Kapiteni i Burkina Fasos, Ibrahim Traore, dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Shën Petersburg, 27 korrik 2023.

Kur themeluesi i forcave mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin, u vra gjatë rrëzimit të avionit me të cilin po udhëtonte në gusht, saktësisht dy muaj pasi udhëhoqi rebelimin që sfidoi pushtetin 24-vjeçar të presidentit Vladimir Putin, kjo ngjarje hodhi një re të trashë mbi të ardhmen e Rusisë në Afrikë.

Që kur Perëndimi nisi të izolonte Rusinë pasi Moska mori nën kontroll rajonin ukrainas të Krimesë më 2014, Putin kishte tentuar që të ripërtërinte lidhjet e epokës sovjetike me shtetet në Jugun Global, veçanërisht në Afrikë, duke përdorur kompaninë paramilitare të Prigozhinit si një prej mjeteve më të rëndësishme të tij të ndikimit.

Një biznesmen i zoti dhe lider karizmatik, i cili thuhej se gëzonte besnikëri të madhe nga trupat e tij, Prigozhin kishte marrë klientë në disa shtete afrikane që kërkonin mbrojtje për regjimin pas përhapjes së paqëndrueshmërisë, duke lëvizur para dhe armë në mbarë kontinentin përmes një rrjeti të ndërlikuar kompanish që ai kontrollonte.

Përveç rritjes së ndikimit të Moskës në Afrikë, prania e Wagner-it ka qenë fitimprurëse. Një raport i publikuar në muajin dhjetor nga një grup pro-demokracisë, me seli në SHBA, tha se analiza e tij “sugjeron se Wagner-i dhe Rusia kanë fituar mbi 2.5 miliardë dollarë nga nxjerrja e arit [në Afrikë] që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022”.

Por, rënia e Prigozhinit pas nëntë vjetësh në krye të Wagner-it ngriti pyetje nëse Rusia do të jetë në gjendje të sigurojë një transferim të kontrollit mbi mercenarët afrikanë, dezinformatave dhe operacioneve të biznesit të grupit për shërbimet e sigurisë dhe për aleatët e zgjedhur të Putinit.

Zyrtarët rusë të mbrojtjes dhe ata të inteligjencës në muajt e fundit kanë shkuar në Afrikë për të siguruar klientët ekzistues për vazhdimësinë dhe potencialisht për të tërhequr klientë të rinj.

Më herët gjatë muajit dhjetor, një hulumtim i Radios Evropa e Lirë gjeti se një ish i dërguar i Kremlinit në BE, i cili sipas diplomatëve evropianë kishte lidhje me inteligjencën ruse, ishte dërguar në Republikën Qendrore të Afrikës, për të mbikëqyrur koordinimin midis grupit mercenar, Wagner, dhe forcave lokale të sigurisë.

Ndërkaq, The Wall Street Journal raportoi në dhjetor se inteligjenca perëndimore tregoi se ish-shefi operativ i kompanisë së pagesave, Wirecard, Jan Marsalek – që gjendet në arrati – tani po ndihmon Rusinë të “rikonfigurojë perandorinë e biznesit [të Prigozhinit] në Afrikë”.

Mediat kanë raportuar se ushtria ruse po krijon një forcë të quajtur Korpusi i Afrikës si zëvendësim për Wagner-in, dhe kanalet në Telegram kanë publikuar reklama për rekrutim. Por, Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka konfirmuar plane të tilla dhe është e paqartë se sa përparim është bërë për këtë nismë.

Në një nivel më publik, Putin u takua me krerët e 17 shteteve afrikane gjatë një samiti në Shën Petersburg të mbajtur në korrik të vitit 2023, një muaj pas rebelimit. Paqëndrueshmëria në rritje dhe ndjenja antiperëndimore, veçanërisht në rajonin e Sahelit, i ka ndihmuar Moskës që të fitojë terren më të madh në kontinentin afrikan edhe pse vëmendja dhe burimet e saj janë konsumuar nga lufta në Ukrainë.

Joseph Siegle, hulumtues në Qendrën Afrikane për Studime Strategjike me bazë në Uashington, tha se Rusia ka forcuar pozicionin e saj në Republikën Qendrore të Afrikës, Sudan dhe në shtetet e Sahelit, ku një sërë puçesh kanë sjell në pushtet juntat.

Në dhjetor, zyrtarët rusë të mbrojtjes u takuan me udhëheqësit e juntës në Niger për të diskutuar për bashkëpunimin e sigurisë, pasi Qeveria urdhëroi largimin e trupave franceze, duke u bërë shteti i tretë i Sahelit që urdhëron diçka të tillë.

Mali dhe Burkina Faso më herët dëbuan trupat franceze mes rritjes së ndjenjës antikoloniale dhe frustrimi mbi mungesën e përparimit kundër grupeve xhihadiste që terrorizojnë Sahelin Perëndimor.

Bëmat e Wagner-it nuk po e ndihmojnë kauzën, tha Siegle. Stabiliteti i Malit është përkeqësuar me sulmet militante në rritje që kur junta dëboi forcat franceze dhe të OKB-së, si dhe solli rreth 1.000 trajnerë të Wagner-it. Ndërkohë, Wagner-i thuhet se ka marrë asete fitimprurëse në Republikën Qendrore të Afrikës.

Bashkimi Evropian dhe të tjerët në komunitetin ndërkombëtar kanë akuzuar Wagner-in për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë torturë dhe vrasje, në shtete përfshirë Malin, Libinë, Republikën Qendrore të Afrikës dhe Sudanin.

Angazhimi rus në shtetet afrikane vazhdon, por unë mendoj se liderët kanë nisur të kuptojnë se kjo po krijon paqëndrueshmëri, se dislokimet ruse janë një kërcënim për sigurinë kombëtare, e jo një zgjidhje”, tha Siegle.

Burkina Faso dhe Nigeri ende nuk kanë nënshkruar marrëveshje me Rusinë, sikurse Republika Demokratike e Kongos, që po ashtu ka mbajtur takime me zyrtarët rusë të mbrojtjes.

Vendimi i Putinit i muajit qershor që të tërhiqet nga marrëveshja për drithërat që mundësonte kalimin e sigurt të anijeve që bartnin drithërat ukrainase nga Deti i Zi në tregjet botërore, ka dëmtuar imazhin e Rusisë në Afrikë, tha Siegle.

Ishte një demonstrim i qartë i shpërfilljes së hapur të bërë nga Putini për prioritetet reale në Afrikë. Kjo tregon qartë se për Rusinë, Afrika është vetëm një gur shahu në interesat më të gjera të saj gjeostrategjike”, tha ai.

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 2022, Rusia bllokoi eksportet e drithërave ukrainase, duke shkaktuar rritje të çmimeve globale dhe duke prekur shtetet afrikane që varen nga këto importe.

Ndikimi botëror

Ekspertët thanë se interesi në rritje i Rusisë në Afrikë nxitet nga dëshira për të zgjeruar ndikimin e saj botëror në mes të prishjes së raporteve me Perëndimin për shkak të Ukrainës dhe për të siguruar baza ushtarake në mënyrë që të projektojë fuqinë e saj.

Moska po synon po ashtu që të zgjerojë shitjen e armëve, të ndërtojë dhe drejtojë centrale bërthamore dhe të fitojë të drejta për burimet natyrore në mbarë kontinentin. Rusia është furnizuesja më e madhe e armëve në Afrikë dhe llogaritet se ka 40 për qind të shitjeve vjetore të armëve në kontinent. Kjo i jep asaj një levë politike.

Armët ruse janë të lira dhe Moska nuk i lidh shitjet e armëve me nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut të shteteve me të cilat nënshkruan marrëveshje, duke bërë që t’ua hapë dyert më shumë shteteve.

Prania e Wagner-it ka përqendruar vëmendjen ndërkombëtare në rolin në rritje të Moskës në Afrikë. Por, Amaka Anku, që mbikëqyr kontinentin për firmën e konsulencës Eurasia Group, tha se ndikimi real i Rusisë është i kufizuar.

Wagner është dislokuar në disa shtete të varfra që sundohen nga juntat apo liderët autoritarë, në të cilat ka mungesë të legjitimitetit dhe mbështetjes së brendshme, tha ajo, duke shtuar se përveç shitjeve të armëve dhe të grurit, Rusia bën pak tregti me Afrikën dhe nuk ofron shumë investime apo ndihmë.

Rusia ka pak për të ofruar” për shtetet afrikane, tha Anku.

Por, Rusia ndan pakënaqësi të thella me një numër shtetesh afrikane për atë që e shohin apo e portretizojnë si një rend të padrejtë botëror, të udhëhequr nga Perëndimi. Si Rusia, ashtu edhe Unioni Afrikan, avokojnë për një botë “multipolare”, në të cilën Shtetet e Bashkuara do të ishin më pak të fuqishme sesa janë.

SHBA-ja përdor sanksionet për të ndëshkuar shtetet që shkelin të drejtat e njeriut dhe kryejnë agresion, përfshirë edhe duke i shkëputur ata nga përdorimi i dollarit, gjë që ka alarmuar shtetet në Jugun Global.

Moska ka luajtur mbi këto dhe pakënaqësi të tjera, sikurse trashëgimia brutale koloniale në kontinent, për të krijuar një hendek midis Afrikës dhe Perëndimit, thanë ekspertët. Moska ka mbështetur lëvizjet për pavarësi afrikane gjatë Luftës së Ftohtë dhe kjo trashëgimi edhe sot është një faktor i fuqishëm.

Mendoj se ka një nënvlerësim të madh se sa ndikim të madh ka pasur Rusia me fushatën e saj të dezinformimit”, tha Siegle.

Cameron Hudson, që ka shërbyer si drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje të Afrikës gjatë presidencës së George W.Bush, tha gjatë një seance dëgjimore në Kongres të mbajtur në korrik se Rusia ka qenë më efektive sesa SHBA-ja në promovimin e qëndrimeve të saj, duke prodhuar informacione në gjuhët afrikane – jo në anglisht dhe frëngjisht – dhe duke përdorur TikTok-un për të arritur tek audienca e re e kontinentit.

“Ne po luajmë një lojë komunikimi të ndryshme nga ajo që Rusia po luan në internet, dhe po humbasim për shkak të kësaj”, tha Hudson gjatë seancës dëgjimore në Kongres. Ai aktualisht është analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Lufta në Ukrainë

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka gjeneruar edhe një pakënaqësi tjetër mes Perëndimit dhe Jugut Global, tha Bruce Jones, analist në institutin Brookings në Uashington.

Perëndimi mobilizoi shpejt dhjetëra miliarda dollarë për ndihmë ushtarake, financiare dhe ndihmë humanitare për Ukrainës pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj.

Për krahasim, ai tha se përgjigja e SHBA-së në Luftën e Tigrajt në Etiopi që ka vrarë 500.000 persona, shumica civilë, që nga viti 2020, ishte “e pakët” dhe prandaj kjo nuk harrohet nga afrikanët.

Duke i bërë jehonë kësaj pike, përfaqësuesja amerikane Sydney Kamlager-Dove (demokrate nga Kalifornia) i tha Mike Hammer, përfaqësuesit të posaçëm të presidentit amerikan, Joe Biden, për Kepin e Afrikës se afrikanët duan të shohin “konsistencë” të përgjigjes së SHBA-së ndaj vdekjeve të civilëve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Shtetet afrikane shpesh ndiejnë standardet tona të dyfishta”, tha ajo më 30 nëntor gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve për Luftën në Tigrajit.

Republika Demokratike e Kongos është njëra prej këtyre shteteve.

Qeveria në Kinshasa është ankuar për atë që ka thënë se është mungesë e vëmendjes së Perëndimit ndaj sulmeve të reja të rebelëve që kanë krijuar një krisë masive humanitare në provincat lindore të Republikës Demokratike të Kongos.

Disa muaj para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, rebelët M23 të mbështetur nga Ruanda morën kontrollin e pjesëve të mëdha të provincën të Kivut Verior, duke nxitur luftime që detyruan mbi 800.000 persona të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Kongolezët menduan se u ndërmorën pak veprime për të mbështetur sovranitetin e tyre – një pikë e ashpër e bërë duke bërë krahasime me pushtimin e Ukrainës”, tha Kristof Titeca, profesor në Universitetin e Antverpit në Holandë. Ai këto komente i bëri gjatë një raporti të publikuar në mars, pasi kishte realizuar dhjetëra intervista me politikanët kongolezë, diplomatët e huaj, pjesëtarët e shoqërisë civile dhe gazetarët.

Disa në Qeverinë e Republikës Demokratike të Kongos tani po bëjnë thirrje për orientim drejt Rusisë, tha Titeca.

“Peizazhi gjeopolitik po ndryshon vazhdimisht, dhe përdorimi i ‘opsionit të Rusisë’ nga Qeveria kongoleze ka të bëjë më shumë me atë se sa ata mund të përfitojnë në raportet me Perëndimin sesa me vetë politikën aktuale të Rusisë”, shtoi Titeca.

Republika Demokratike e Kongos mbajti zgjedhjet presidenciale më 20 dhjetor me presidentin aktual, Felix Tshisekedi, që kërkon rizgjedhjen në një votim që mund të kontestohet.

“Nëse ka polemika, Rusia shumë me lehtësi mund të mbështesë pretendimet e Tshisekedit për fitore”, me qëllim që të përmirësojë pozicionin e saj me presidentin aktual, tha Siegle.

Anku u pajtua se Rusia ka një kartë që liderët afrikanë mund ta luajnë “që t’i kundërvihen Perëndimit”.

“Bisedat me Rusinë kanë shumë vlerë në këtë kontekst”, tha ajo.

Afrikanët mendojnë se pushtimi rus i Ukrainës po prish rendin ekzistues botëror, duke hapur mundësinë për shtetet afrikane që të ndihmojnë në formësimin e një rendi të ri që do të ishte më i favorshëm për kontinentin, tha Anku.

Për shkak të rritjes së ndjenjave antiperëndimore, dhe për shkak se një numër i madh i shteteve afrikane kanë çerekun e ulëseve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, administrata Biden ka rritur në mënyrë të ndjeshme angazhimin me Afrikën gjatë 12 muajve të fundit.

Në dhjetor të vitit 2022, SHBA-ja ishte nikoqire e samitit të parë pas tetë vjetësh SHBA-Afrikë, ku 49 krerë shtetesh dhe presidentin i Unionit Afrikan morën pjesë. Pas kësaj, Biden dërgoi 17 zyrtarë të lartë në 26 shtete të kontinentit afrikan, përfshirë nënpresdenten Kamala Harris, sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretaren e Thesarit, Janet Yellen.

Gjatë këtyre vizitave, SHBA-ja njoftoi për ndihmë dhe investime në Afrikë në vlerë prej miliarda dollarësh.

Biden nuk ka përmbushur premtimin që iu dha liderëve afrikanë gjatë samitit se do të vizitojë shtetet e tyre gjatë vitit 2023. Që nga viti 2015, asnjë president amerikan nuk ka vizituar Afrikën Sub-Sahariane./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat