“Të braktisësh gjithçka dhe të jetosh në ishull”, ky shtet ofron 80 mijë euro për këdo që do të jetojë aty

Bota

“Të braktisësh gjithçka dhe të jetosh në ishull”, ky shtet ofron 80 mijë euro për këdo që do të jetojë aty

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 18:17
Irlanda

Të braktisësh gjithçka dhe të shkosh të jetosh në një ishull të largët. Kjo është tashmë e mundur, falë nismës më të fundit të qeverisë irlandeze “Our Living Islands” për të ripopulluar ishujt e saj të largët.

“Qëllimi i kësaj politike është të sigurojë që komunitetet e qëndrueshme dhe të gjalla të mund të vazhdojnë të jetojnë dhe të lulëzojnë në ishujt në det të hapur për vitet në vijim”, tha qeveria irlandeze në një deklaratë.

Programi synon të ndihmojë komunitetet në një total prej 30 ishujsh që nuk janë të lidhur me kontinentin dhe shpesh të ndërprerë nga baticat.

Nisma përfshin edhe një nxitje ekonomike prej 80 mijë eurosh, e cila synon të ndihmojë familjet dhe banorët për të rinovuar të gjitha ato shtëpi të rrënuara që kanë mbetur të pabanuara për një periudhë mbi dyvjeçare.

Projekti përbëhet nga pesë pika strategjike për ta bërë të ardhmen e komuniteteve përsëri të qëndrueshme: rivitalizimi i niveleve të popullsisë në ishuj, diversifikimi i ekonomive të ishujve, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, fuqizimi i komuniteteve ishullore dhe ndërtimi i një të ardhmeje të zgjuar.

Thirrja u hap zyrtarisht më 1 korrik 2023 dhe mund të marrin pjesë edhe qytetarët e Bashkimit Evropian dhe të gjitha informacionet mund të gjenden në faqen e internetit të qeverisë irlandeze.

Por nëse doni të ndryshoni jetën tuaj ka edhe vende të tjera që ofrojnë iniciativa të ngjashme.

Zvicra

Qyteti i vogël Albinen, i vendosur në Alpet zvicerane, është shtëpia e më pak se 250 banorëve. Për të shtuar popullsinë e saj, komuna u ofron familjeve që vendosin të zhvendosen atje mbi 50,000 euro. I vendosur në një shpat mali në kantonin e Valais, fshati piktoresk është pak më shumë se një orë me makinë nga vendpushimi popullor i skive Verbier.

Të rriturit nën 45 vjeç do të marrin 25,000 franga zvicerane (25,300 €), plus 10,000 franga zvicerane (10,120 €) për fëmijë, raporton Euroneës Travel. Nisma është e hapur vetëm për shtetasit zviceranë ose të huajt e kualifikuar që kanë jetuar në vend për një kohë të gjatë për të marrë një leje qëndrimi. Aplikantëve u kërkohet gjithashtu të jetojnë në një shtëpi me vlerë të paktën 200,000 franga zvicerane (202,310 €) dhe duhet të angazhohen të jetojnë në Albinen për një periudhë jo më pak se 10 vjet.

Spanja

Edhe në Spanjë, një numër gjithnjë e në rritje fshatrash ofrojnë iniciativa të ngjashme. Ponga, një komunë e vogël prej 600 banorësh, e vendosur në veriperëndim të vendit, do t’u paguajë banorëve të rinj një tarifë prej 2,971 euro secili, së cilës do t’i shtohen 3,000 euro të tjera për çdo fëmijë të lindur brenda komunës.

Me një rezervë biosfere të caktuar nga UNESCO në zemër të maleve Kantabriane, qyteti është parajsa e këmbësorëve dhe është vetëm një orë me makinë nga bregu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat