Gjykata e Moskës vendos që gazetari amerikan të qëndrojë në burg deri në fund të gushtit

Bota

Gjykata e Moskës vendos që gazetari amerikan të qëndrojë në burg deri në fund të gushtit

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 16:27
Evan Gershkovich

Të enjten gjykata e Moskës vendosi që gazetari amerikan i të përditshmes ‘Wall Street Journal’, Evan Gershkovich, të qëndrojë në burg lidhur me akuzat për spiunazh, të paktën deri në fund të gushtit, duke hedhur poshtë kërkesën e gazetarit për t'u liruar.

31-vjeçari u arrestua në fund të muajit mars, ndërsa ndodhej në Rusi për raportim. Një gjykatë në Moskë vendosi muajin e kaluar ta mbajë atë në paraburgim deri më 30 gusht. Aavokatët e tij e apeluan vendimina

Zoti Gershkovich, dukej i tensionuar brenda një kafazi prej xhami ku mbahen të pandehurit, ndërsa priste fillimin e seancës në Gjykatën e qytetit të Moskës. Më pas gazetarëve iu kërkua të largoheshin nga salla e gjyqit dhe procedura u zhvillua me dyer të mbyllura.

Gazetarët patën mundësi të ndjekin dhënien e vendimit nëpërmjet dy ekranesh të mëdha në një dhomë të veçantë të gjykatës.

Ndërsa priste gjyqtarin, zoti Gershkovich bisedoi me prindërit, të cilët ndodheshin në sallën e gjyqit, ku ndodhej dhe ambasadorja amerikane Lynne Tracy.

"Evan vazhdon të tregojë forcë të jashtëzakonshme në këto rrethana shumë të vështira", u tha ajo gazetarëve më pas.

Zonja Trejsi tha se ishte "jashtëzakonisht e zhgënjyer" nga vendimi, duke përsëritur se zoti Gershkovich është "një gazetar i pafajshëm" dhe se akuzat e Rusisë kundër tij, ishin të pabaza.

“Një diplomaci e tillë pengjesh është e papranueshme dhe ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse ta lirojë atë”, tha ajo.

Zoti Gershkovich dhe gazeta ‘Wall Street Journal’, i kanë hedhur poshtë akuzat dhe qeveria amerikane e kanë cilësuar të padrejtë arrestimin e tij.

Arrestimi i zotit Gershkovich në qytetin e Jekaterinburgut tronditi gazetarët që punojnë në Rusi ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje se mbi çfarë provash i kanë mbështetur akuzat për spiunazh.

Zoti Gershkovich po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës, i njohur për kushtet e tij të vështira. Zonja Trejsi tha se ambasadës amerikane i ishin mohuar takimet me zotit Gershkovich në tre raste, që pas vizitës së saj për herë të fundit në burg në muajin prill.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov u tha gazetarëve se ministria po shqyrtonte një kërkesë tjetër për vizitë nga ambasada./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat