Biden: Marrëdhëniet SHBA-Irlandë vazhdojnë të jenë të forta

Bota

Biden: Marrëdhëniet SHBA-Irlandë vazhdojnë të jenë të forta

Më: 14 prill 2023 Në ora: 16:08
Joe Biden

Presidenti Joe Biden mbajti një fjalim në Parlamentin e Irlandës në Dublin, duke u bërë udhëheqësi i katërt amerikan pas presidentëve John F. Kennedy, Ronald Reagan dhe Bill Clinton që u drejtohet ligjvënësve irlandezë. Presidenti Biden theksoi gjatë fjalimit në Parlamentin irlandez historinë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Joe Biden përmendi gjatë fjalimit në Parlament trashëgiminë e tij irlandeze dhe theksoi marrëdhëniet "e qëndrueshme" me Irlandën që filluan pas "themelimit të Shteteve të Bashkuara".

Irlandezët ndihmuan në ndezjen e pishtarit të lirisë në vendin tim dhe ndezën shpirtin e tij revolucionar. Gjaku irlandez nga i gjithë ky ishull u derdh për pavarësinë e vendit tim”, tha ai.

Presidenti Biden vlerësoi mbështetjen e Dublinit për mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni i Rusisë.

Irlanda, anëtare e Bashkimit Evropian, por jo e NATO-s, është ushtarakisht neutrale dhe ka dhënë mbështetje humanitare për Ukrainën.

Më herët, Presidenti Biden falënderoi kryeministrin irlandez Leo Varadkar për strehimin e gati 80 mijë refugjatëve ukrainas.

Ne gjithashtu riafirmuam vendosmërinë tonë që Irlanda, Amerika dhe Evropa të jenë të bashkuara në mbështetjen e demokracisë dhe lirisë në botë, e cila po sulmohet në mënyra të ndryshme”, tha kryeministri irlandez.

Siç ka bërë gjatë gjithë vizitës, e cila filloi të martën në Belfast të Irlandës së Veriut, Presidenti Biden në fjalimin e tij theksoi mbështetjen për Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, e cila në vitin 1998 i dha fund konfliktit të përgjakshëm 30 vjeçar mes atyre që kërkonin bashkimin me Irlandën dhe atyre që këmbëngulnin që Irlanda e Veriut të mbetej pjesë e Britanisë së Madhe.

Presidenti Biden tha të enjten në Dublin, pasi i ra Kambanës së Paqes, se ai shpreson që në qeverinë e Irlandës së Veriut të rikthehet rregulli i ndarjes së pushtetit, i cili së fundmi është braktisur për shkak të grindjeve të brendshme politike, duke rrezikuar marrëveshjen e paqes.

Ai tha se Britania dhe Irlanda duhet të punojnë së bashku për të shmangur rikthimin e gjakderdhjes.

Dhuna politike nuk duhet lejuar më kurrë të sundojë në këtë ishull”, tha ai.

Fjalimi i Presidentit Biden u prit me duartrokitje të forta nga ligjvënësit irlandezë.

"Ju keni treguar besim të palëkundur, vullnet dhe aftësi për të bashkuar njerëz me pikëpamje të ndryshme dhe shpesh kundërthënëse", tha Sean O Fearghail, kryetar i Parlamentit irlandez.

Fjalimi i tij u mirëprit edhe nga Mary Heaney, bashkëshortja e poetit të ndjerë irlandez Seamus Heaney, veprat e të cilit Biden i citon shpesh.

Kryeministri irlandez shtroi një darkë për Presidentin Biden në Kështjellën e Dublinit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat