Irani pritet të përjashtohet nga një komision për gratë i OKB-së

Bota

Irani pritet të përjashtohet nga një komision për gratë i OKB-së

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 12:19
Demonstratat në Gjermani në mbështetje të protestave në Iran.

Irani duket se do të përjashtohet nga një komision për gratë i Kombeve të Bashkuara, për shkak se shteti ka politika kundërthënëse sa i përket të drejtave të grave dhe vajzave.

Por, disa shtete pritet që të abstenojnë gjatë votimit të së mërkurës, votim që është iniciuar nga Shtetet e Bashkuara, thanë diplomatët.

Të 54 shtetet anëtare të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së do të votojnë për draft-rezolutën për të “larguar menjëherë Republikën Islamike të Komisionit për Statusin e Grave për mandatin 2022-2026”.

Ndërkaq, 45 anëtarët e këtij komisioni takohen çdo vit në mars dhe ky trup ka për qëllim të promovojë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Një zyrtar amerikan i tha Reuters se “po shohim vazhdimisht mbështetje” për përjashtimin e Iranit.

Irani, 17 shtete të tjera dhe palestinezët, përmes një letre thanë se largimi i Republikës Islamike nga Komisioni për Statusin e Grave do të krijonte “një precedent të keq dhe përfundimisht do të ndalojë shtetet tjera, me kultura dhe tradita të ndryshme, që të kontribuojnë në aktivitetet e komisioneve të tilla”.

Irani të hënë ekzekutoi një person në publik pasi ishte dënuar për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë. Ky ishte ekzekutimi i dytë në më pak se një javë i personave që janë përfshirë në protestat mbarëkombëtare në Iran.

Irani po përballet që tre muaj me protesta pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22 vjeçe, e cila vdiq në paraburgim, pasi dyshohej se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit apo shamisë së kokës.

Protestat janë shndërruar në sfidën më të madhe për udhëheqjen iraniane që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Irani ka fajësuar armiqtë e huaj dhe agjentët e tyre për trazirat.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së muajin e kaluar votoi për nisjen e një hetimi të pavarur lidhur me shtypjen vdekjeprurëse të protestave në Iran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat