LIVE: Vazhdon tmerri nga agresori rus, SHBA dërgon armë shtesë në Ukrainë; zbulohet plani i Putinit

Bota

LIVE: Vazhdon tmerri nga agresori rus, SHBA dërgon armë shtesë në Ukrainë; zbulohet plani i Putinit

Nga: BOTA SOT Më: 20 korrik 2022 Në ora: 06:27 Përditësuar në ora: 00:22 më 21.07.2022
Forcat ruse

Ministri i Jashtëm ukrainas i reagon Lavrovit: Rusët duan gjak, jo negociata

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba kërkoi sot më shumë armë dhe sanksione shtesë pas njoftimit të Moskës për zgjerimin e ofensivës në Ukrainë.

“Rusët duan gjak, jo negociata. Unë u bëj thirrje të gjithë partnerëve të forcojnë sanksionet kundër Rusisë dhe të përshpejtojnë dërgimin e armëve në Ukrainë”, shkroi Kuleba në Twitter.

Ai reagoi ndaj njoftimit të homologut rus, Sergey Lavrov, se Moska nuk do të përqendrohet ekskluzivisht në lindje të Ukrainës dhe se negociatat mes dyja vendeve nuk kanë “nuk ka kuptim” në situatën aktuale.

“Rrëfimet e ministrit të Jashtëm rus për ëndrrën e tij të pushtimit të territoreve të tjera ukrainase dëshmojnë se Rusia refuzon diplomacinë dhe përqendrohet në luftën dhe terrorin”, tha ministri ukrainas.

“Objektivat gjeografike” të Rusisë në Ukrainë kanë ndryshuar duke përfshirë jo vetëm republikat popullore separatiste Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, por edhe një numër rajonesh të tjera, kishte pohuar Lavrov.

“Tani gjeografia (jonë) është e ndryshme. Nuk janë vetëm DNR dhe LNR, është gjithashtu rajoni Kherson, Zaporizhzhia dhe një sërë territoresh të tjera”, tha ai.

Ndryshe, Rusia ka vazhduar edhe sot me sulme duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

​SHBA do të dorëzojë katër sisteme të tjera Himars në Ukrainë

SHBA do të dorëzojë katër sisteme shtesë artilerie Himars në Ukrainë për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Homologu i tij ukrainas i kërkoi Uashingtonit dërgesa shtesë të atyre armëve një ditë më parë, duke deklaruar se Kievi deri më tani i ka përdorur ato për të shkatërruar rreth tridhjetë poste komanduese ruse dhe depo armësh.

SHBA do të dërgojë katër sisteme të tjera Himars, duke e çuar totalin e dërguar në Ukrainë në 16, tha Austin.

"Ukrainasit kanë përdorur një përdorim të jashtëzakonshëm të sistemeve të Himarsit dhe ne mund të shohim ndikimin e tyre në terren," u tha Austin gazetarëve në Pentagon.

Saga e refugjatëve ukrainas që përpiqen të largohen nga Rusia

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë gati dy milionë refugjatë ukrainas janë zhvendosur në Rusi, sipas zyrtarëve ukrainas dhe atyre rusë. Ukraina e akuzon Kremlinin se ka detyruar me forcë zhvendosjen e ukrainasve, veprim që ata e konsiderojnë si krim lufte. Por Rusia thotë se evakuimet janë të natyrës humanitare. Materiali në vazhdim tregon sagën e refugjatëve ukrainas që përpiqen të largohen nga Rusia.

Grupe ukrainasish mblidhen pranë një ure mbi lumin Narva në pjesën veriperëndimore të Rusisë në kufi me Estoninë. Çdo ditë autobusët sjellin njerëz që duan të shkojnë drejt vendit të Bashkimit Evropian.

Pas agresionit rus në Ukrainë, forcat pushtuese i zhvendosën ata në Rusi, mijëra kilometra larg shtëpive të tyre. Përmes këmbënguljes, fatit dhe një rrjeti të padukshëm vullnetarësh rusë, disa nga refugjatët ukrainas po largohen nga Rusia për një jetë të re në Evropë.

Shkrimin e plotë lexojeni KËTU

Zonja e Parë e Ukrainës i bën thirrje SHBA-së për më shumë armë

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka kërkuar më shumë armë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të përdoren për të parandaluar sulmet ajrore ruse që “vrasin fëmijët në karroca”, dhe të cilat mund të mbrojnë ukrainasit nga “sulmet terroriste” ruse.

Zelenska, e cila gjendet për vizitë në Uashington këtë javë, ka folur para Kongresit amerikan më 20 korrik, duke thënë se Ukraina është mirënjohëse për ndihmën ushtarake që i ka siguruar SHBA-ja, ndonëse tani ka nevojë për sisteme ajrore për mbrojtje.

“Ne duam që secili baba dhe secila nënë të mund t’iu thonë fëmijëve që mund të bëjnë gjumin në paqe. Që nuk do të ketë më shumë sulme ajrore”, ka thënë ajo.

Zelenska ka thënë se armët që ka kërkuar ajo nuk janë të llojit për të nisur luftë në territorin e një shteti tjetër, “mirëpo për të mbrojtur shtëpitë dhe për të pasur mundësinë e zgjimit nga ajo shtëpi”.

Anëtarët e Kongresit kanë duartrokitur fjalimin e saj dhe kanë thënë se janë të gatshëm që të autorizojnë më shumë ndihmë.

Shtetet e Bashkuara veçse kanë ndarë tetë miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, prej nisjes së luftës.

Zelenska, e cila ka vizituar Shtëpinë e Bardhë më 19 korrik, ka thënë se derisa ligjvënësit amerikanë mund të vazhdojnë punët e tyre, ajo dhe nënat tjera në Ukrainë hamendësojnë nëse fëmijët e tyre do të kthehen në shkolla në vjeshtë, derisa mësuesit mendojnë nëse do të mund të mbajnë klasat nën zhurmën e bombave.

Përveç takimit me presidentin amerikan, Joe Biden dhe Zonjën e Parë amerikane, Jill Biden në Shtëpinë e Bardhë, Zelenska ka takuar edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Diplomatët e BE-së arrijnë marrëveshje për sanksionet e reja ndaj Rusisë

Diplomatët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një raund të ri sanksionesh kundër Moskës, duke përfshirë ndalimin e importit të arit nga Rusia dhe ngrirjen e aseteve të huadhënësit kryesor të vendit Sberbank.

Sanksionet përfshijnë listën e zezë të më shumë individëve dhe subjekteve që mbahen përgjegjës për luftën, sipas Republikës Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e rradhës të Këshillit Evropian, përcjell Bota sot.

Masat do të hyjnë në fuqi të enjten dhe do të shënojnë raundin e shtatë të dënimeve të vendosura ndaj Rusisë nga blloku që kur nisi pushtimin e saj në Ukrainë në fund të shkurtit.

Lavrov: Bisedimet e paqes nuk kanë kuptim tani

Ministri i Jashtëm i Rusisë ka thënë se nuk ka kuptim që të rifillojnë bisedimet e paqes me Kievin për momentin, ndërsa Moska po ecën përpara me ofensivën e saj në Ukrainë.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti citoi Lavrov të thoshte se diskutimet e mëparshme me zyrtarët ukrainas kishin dëshmuar se Kievi nuk kishte "dëshirë për të diskutuar asgjë seriozisht".

Bisedimet personale midis negociatorëve rusë dhe ukrainas të mbajtura në Turqi në fund të marsit nuk arritën të prodhonin ndonjë përparim për t'i dhënë fund luftë, përcjell Bota sot.

Diskutimet midis Moskës dhe Kievit kryesisht u ndalën menjëherë më pas, tha Lavrov.

Zelensky i thotë Bolsonaros të Brazilit: “Nuk mund të jesh diku në mes” në luftën Rusi-Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se i tha presidentit brazilian Jair Bolsonaro se ai nuk e mbështet “pozicionin e neutralitetit” të Brasília-s në luftën në Ukrainë.

Zelensky i tha Bolsonaros se ai donte “mbështetje” nga Brazili, sipas një videoje të intervistës së tij me kanalin e lajmeve të Brazilit GloboNews.

Presidenti ukrainas kishte treguar më parë për një bisedë me Bolsonaron, megjithëse nuk është e qartë se kur u zhvillua biseda.

“Nuk mund të jesh diku në mes… Unë nuk e mbështes një qëndrim të tillë. I thashë presidentit për këtë”, shtoi ai.

Që nga fillimi i pushtimit, Bolsonaro ka shmangur dënimin e agresionit rus ose sanksionimin e Rusisë.

“Presidenti i Brazilit më tha se ai mbështet Ukrainën, sovranitetin e saj, por Brazili mban një pozicion neutraliteti”, ka thënë më tej Zelensky.

BE-ja bën plane nëse i ndalet gazi rus

Komisioni Evropian ka propozuar një zvogëlim vullnetar prej 15 për qind të përdorimit të gazit rus për vendet e Bashkimit Evropian, në rast se ndalen furnizimet në Evropë.

“Ne duhet të përgatitemi për ndalje totale të gazit rus, dhe ky është skenar i mundshëm”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen para gazetarëve më 20 korrik.

Blloku evropian ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë, pas nisjes së sulmit të paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Këto masa kanë nxitur Moskën që të zvogëlojë sasitë e energjisë që çon në disa vende të BE-së.

“Rusia është duke na shantazhuar neve. Rusia është duke e përdorur energjinë si armë. Prandaj, në çfarëdo rasti, qoftë i pjesshëm, ndalje e madhe, apo ndalje totale e gazit rus, Evropa duhet të jetë gati”, ka thënë von der Leyen.

Sipas këtij propozimi, zvogëlimi prej 15 për qind do të mund të zgjasë nga 1 gushti deri më 31 mars, dhe do të kalkulohet në bazë në të mesatareje përdorimi që është raportuar në periudhën e njëjtë të viteve 2016-2021.

Komisioni mund ta bëjë këtë cak si të detyrueshëm nëse vlerëson se ka rrezik të madh të ndaljes së gazit për BE-në.

Për t’u miratuar, propozimi duhet të ketë një shumicë prej 15 anëtarëve - nga 27 sa janë në total - apo mbështetje nga vendet që përfaqësojnë të paktën 65 për qind e popullsisë së bllokut.

Diplomatët evropianë do të diskutojnë këtë propozim më 22 korrik, me mundësi të miratimit të tij në një takim tjetër të ministrave të Energjisë më 26 korrik.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar për fuqinë që mund të ketë presidenti rus, Vladimir Putin nëse e kthen energjinë në armë dhe bllokon ekonomitë e bllokut evropian.

“Ndalesa e pjesshme e gazit është duke ndikuar tashmë në rritjen ekonomike evropiane, andaj një ndalesë totale do të ishte shumë më e rëndë”, ka thënë FMN.

Sipas këtij institucioni, bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) në vendet anëtare të BE-së, sikurse Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, mund të tkurret në deri 6 për qind./REL

Lavrov: “Objektivat gjeografike” të Rusisë në Ukrainë janë zgjeruar përtej Donbasit

Ministri i Jashtëm i Rusisë ka thënë se “objektivat gjeografike” të “operacionit special ushtarak” të vetë-përshkruar nga Moska në Ukrainë nuk janë më të kufizuara në rajonin lindor të Donbasit, por përfshijnë një numër territoresh të tjera, përcjell Bota sot.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti citoi Lavrov të ketë thënë se Rusia tani është gjithashtu e fokusuar në rajonet e Kherson dhe Zaporizhia, në jug të Ukrainës, si dhe në një "numër territoresh të tjera".

Ai shtoi se “objektivat” e Rusisë do të zgjerohen më tej nëse aleatët perëndimorë të Kievit furnizojnë Ukrainën me armë me rreze të gjatë.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Presidenti Vladimir Putin mohoi çdo qëllim për të pushtuar territoret ukrainase, duke thënë se qëllimi i tij ishte të çmilitarizonte dhe “denazifikonte” vendin – një deklaratë e hedhur poshtë nga Kievi dhe Perëndimi si një pretekst për një luftë zgjerimi.

Pasi u rrah në një përpjekje fillestare për të marrë kryeqytetin, Kiev, ministria ruse e mbrojtjes tha më 25 mars se faza e parë e "operacionit special" ishte e përfunduar dhe se Moska do të lëvizte për t'u fokusuar në "arritjen e qëllimit kryesor, çlirimin të Donbasit”.

Pothuajse katër muaj më vonë, forcat e saj kanë pushtuar Luhansk, një nga dy rajonet që përbëjnë Donbasin, por mbeten shumë larg nga kapja e të gjithë tjetrit, Donetsk.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën”/ Tre kryediplomatë evropianë vizitojnë Kievin

Ministrat e Jashtëm të Republikës Çeke, Austrisë dhe Sllovakisë, kanë realizuar një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën, që prej pesë muajsh po përballet me pushtimin rus.

Ministri i Jashtëm çek, Jan Liptavsky, publikoi një video të shkurtër të arritjes së tij në kryeqytetin ukrainas më 20 korrik, dhe tha se ai do të takohet me liderët ukrainas gjatë ditës.

“Tronditëse të shohësh se çfarë i ka bërë lufta brutale e agresionit të Rusisë këtij shteti të bukur dhe popullit të tij. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën”, shtoi ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, përmes një postimi të ndarë në Twitter.

Sipas Radio Evropa e Lirë televizioni austriak, PULS 24, raportoi se edhe ministri i Jashtëm sllovak, Ivan Korcok, i është bashkuar kësaj vizite të përbashkët në Kiev.

Tre ministrat evropianë nuk kanë publikuar detaje të itinerarit të vizitës, edhe pse shumë diplomatë dhe liderë nga e mbarë bota kanë vizituar Ukrainën, pasi Rusia nisi pushtimin në fund të shkurtit.

Vizitat e diplomatëve dhe liderëve kanë pasur për qëllim të shprehin mbështetjen për Ukrainën, por edhe për të parë nga afër dëmin e shkaktuar nga lufta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat