Lufta Ukrainë-Rusi, si ndryshoi bota në një javë

Bota

Lufta Ukrainë-Rusi, si ndryshoi bota në një javë

Më: 3 mars 2022 Në ora: 14:41
Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin

Pushtimi i Vladimir Putin nuk ka shkaktuar thjesht një rezistencë mes ukrainasve që po frymëzon botën, po ka shkaktuar një sërë ndryshimesh gjeopolitike. Në një javë, jeta brenda kufijve të Ukrainës është përmbysur, por sulmi brutal i presidentit rus Vladimir Putin të enjten e kaluar ka bërë jehonë gjithashtu në mbarë globin, duke zhvendosur historinë në një tjetër drejtim dhe duke ndryshuar marrëdhëniet 75-vjeçare me disa nga vendet më të fuqishme dhe më të pasura të botës.

Vetëm ditë më parë, Rusia u cilësua nga Uashington, DC dhe kryeqytetet e mëdha europiane si një fuqi e zymtë dhe revizioniste, e udhëhequr nga një president i pakënaqur me pocizionin e vendit të tij në botë, por që në fund zgjodhi pragmatizmin dhe oportunizmin.

Putin tani shihet si një nga udhëheqësit më të rrezikshëm. Lufta e tij në Ukrainë është një nga provat e  dukshme, por jo e vetmja. Rusia kërcënoi se do të ndërmerrte “veprime ushtarake dhe politike” kundër Finlandës dhe Suedisë nëse ato do të anëtarësoheshin në NATO.

Edhe nëse Helsinki dhe Stokholmi nuk vendosin të jenë pjesë e aleancës, ata tashmë kanë filluar të bashkëpunojnë me NATO-n, më shumë se më përpara.

Të dy vendet,  për shembull, po dërgojnë armë në Ukrainë.

Qeveritë tani nuk kanë besim në regjimin e Putinit.

Vendet e botës, përveç Kinës, janë bashkuar duke i vënë sanksione Rusisë që synojnë ekonominë e vendit, duke nxitur një krizë financiare dhe duke i vendosur kufizime importeve ruse që do të prekin të gjithë qytetarët e saj. Vetëm sanksionet ndaj bankës qendrore të Rusisë mund ta detyrojnë vendin të mos paguajë borxhin e saj.

Ka pasur shqetësime të shumta se trazirat ekonomike mund të provokojnë paqendrueshmëri brenda Rusisë.

Roli ushtarak i Gjermanisë për një kohë të gjatë dhe buxheti i ulët i mbrojtjes i përkasin tashmë të së kaluarës.

Olaf Scholz, kancelari  gjarman njoftoi se do të rriste shpenzimet e mbrojtjes prej 100 miliardë euro dhe u zotua të shpenzojë 2 për qind të PBB-së gjermane për mbrojtjen çdo vit. Ky është një ndryshim madhor në politikën gjermane ndaj ushtrisë dhe teknikës ushtarake. Tashmë, me rritjen e buxhetit, Gjermania bëhet vendi i dytë me buxhetin më të madh ushtarak në NATO, pas SHBA-ve.

Image
Buxheti i vendeve të NATO-s për 2021

Si rezultat, agresioni i Putinit realizoi brenda disa ditësh atë që nuk e kanë arritur për dekada presidentët amerikanë

Zvicra ka qenë gjithmonë neutrale në situata të tilla, që prej vitit 1516 por konflikti Rusi-Ukrainë duket se ndryshoi kursin. Qeveria zvicerane vendosi të miratojë të njejtat sanksione që BE miratoi kundër Rusisë.

“Sulmi i Rusisë është një sulm ndaj lirisë, një sulm ndaj demokracisë, një sulm ndaj popullsisë civile dhe një sulm ndaj institucioneve të një vendi të lirë”, tha presidenti i vendit, Ignazio Cassis, gjatë fundjavës.

Ndryshimet e papritura shtrihen përtej Europës. Sanksionet e vendosura tani ndaj Rusisë janë globale, me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Kanadanë, Singaporin dhe shumë të tjerë që i janë bashkuar sanksioneve të vendosura nga blloku.

Turqia, e cila më parë kishte marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ka denoncuar “luftën e padrejtë dhe të paligjshme” të Moskës dhe do të bllokojë kalimin e anijeve luftarake ruse në Detin e Zi.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, mbajti një seancë urgjente, për herë të parë në 40 vite për të diskutuar krizën. Ndërkohë, Kina dhe Rusia kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të ngushta. Por me Putin dhe veprimet e tij brutale, Pekini ndodhet në një situatë kritike.

Bashkimi Europian, i cili tha se nuk do të ndërhynte në Ukrainë, gjatë fundjavës njoftoi se do të dërgonte armë vdekjeprurëse, duke përfshirë avionë luftarakë.

“Për herë të parë,” tha Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen “BE do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve të tjera në një vend që është në luftë. Ky është një moment vendimtar.”

Rusia është vendi më i madh në botë për nga gjeografia, një central i naftës dhe gazit, dhe një vend me arsenalin më të madh bërthamor në glob. Megjithatë, veprimet e Putin po shkëpusin rusët nga përfitimet e globalizimit, si tregtia, udhëtimi, financat dhe teknologjia.

Rezultati do të jetë një Rusi më e varfër, më e izoluar dhe më e dobët. Qeveritë nuk po përpiqen më të ndryshojnë veprimet e Putin, por në vend të kësaj po përpiqen të zvogëlojnë aftësinë e tij për të shpalosur fuqinë.

Të gjitha ndryshimet ndodhën brenda një jave.

Nuk mund të jemi të sigurt se cilat nga këto ndryshime të rëndësishme do të mbeten përgjithmonë. Lufta dhe reagimet e botës ndaj Rusisë janë ende në fillimet e tyre. Askush nuk mund ta dijë se si do të përfundojë situata në Ukrainë.

Në një javë, lufta në Ukrainë ka larguar vëmendjen e botës nga pandemia, nga inflacioni dhe problemet e zinxhirit të furnizimit dhe nga problemet  më kronike si ndryshimi i klimës.

“Në më pak se një javë, europianët e kanë kuptuar se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre,” tha Steven Pifer, një ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë.

Asnjë nga veprimet që bota ka marrë kundër Moskës deri më tani nuk ka detyruar Putin që të heqë dorë nga qëllimi i tij për të përmbysur qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës dhe për ta detyruar shtetin e ish-republikës sovjetike të kthehet në orbitën ruse.

Por, përveç izolimit të Rusisë nga komuniteti botëror dhe miratimit të një bllokimi ekonomik dhe gjeopolitik për një nga tre fuqitë kryesore bërthamore të planetit, orteku i shpejtë i veprimeve joushtarake kundër Putinit ka bindur shumë liderë botërorë se dinamika e fuqisë globale ka hyrë në një fazë befasuese.

Lufta  dhe veçanërisht perspektivat e luftës botërore dhe konfliktit bërthamor kanë një fuqi unike për të ndryshuar sjelljen e njerëzve dhe kombeve.

Kjo luftë ka kthyer opinionin publik kundër Putinit dhe Rusisë, në një mënyrë aq të frikshme sa demonstratat, nxitjet për mbledhjen e fondeve dhe bojkotet e e mallrave ruse kanë tejkaluar veprimet qeveritare.

Përgjigja globale ndaj pushtimit pothuajse ka paralizuar ekonominë e Rusisë, por konflikti ka tronditur gjithashtu tregjet në mbarë botën, duke ngadalësuar furnizimet me ushqime, të energjisë dhe duke rrezikuar rimëkëmbjen e zinxhirëve të furnizimit dhe të punësimit me fillimin e vitit të tretë të pandemisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht pas rënies së Murit të Berlinit në 1989 dhe rënies së Bashkimit Sovjetik rreth dy vite më vonë, shumë europianë besuan se duke u bashkuar në një aleancë si BE dhe duke bashkëpunuar me Uashingtonin në NATO, ata kishin krijuar një dinamikë të re në të cilën forca brutale nuk ishte më faktori kryesor në mënyrën se si kombet konkurronin me njëri-tjetrin.

Lufta në Ukrainë po teston ashpër këtë nocion. Edhe nëse aleatët e NATO-s dhe vendet e tjera ruajnë unitetin e tyre, ende nuk është e qartë nëse  përpjekjet e tyre të koordinuara kundër Rusisë do të kenë ndikimin që ata presin.

Lenini dikur tha: “Ka dekada ku nuk ndodh asgjë dhe ka javë ku ndodhin veprime sa për një dekadë”.

Kjo është një nga ato javë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat