Scholz dhe Biden takohen në shkurt në Uashington

Bota

Scholz dhe Biden takohen në shkurt në Uashington

Më: 28 janar 2022 Në ora: 08:58
Olaf Scholz

Presidenti i SHBA, Joe Biden, më 7 shkurt do të presë në Uashington kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz - kjo është vizita e parë e tij si kancelar në SHBA. Në qendër të bisedimeve do të jetë kryesisht kriza e Ukrainës.

Zëdhënësja e presidentit të SHBA-së, Jen Psaki, deklaroi, se në takim do të „diskutohet agresioni rus ndaj Ukrainës". Vizita e kancelarit Scholz do të ofrojë gjithashtu mundësinë, që të theksohen „marrëdhëniet e thella dhe të qendrueshme mes SHBA-së dhe Gjermanisë". Në këtë kuadër do të bisedohen përpjekjet e përbashkëta diplomatike, për ta ndalur Rusinë nga një agresion i „mëtejshëm" ndaj Ukrainës.

Psaki, të hënën (24.01) deklaroi, se Scholz muajin e ardhshëm do të pritet në Uashington, por pa përmendur konkretisht datën e vizitës. Ajo e quajti Gjermaninë në këtë kontekst „një ndër aleatet tona më të ngushta".

Nord Stream 2 në agjendën e bisedimeve

Për shkak të marshimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën Perëndimi druan, se Rusia mund të përgatisë ndërhyrjen në vendin fqinj. SHBA dhe Gjermania si dhe shtetet e tjera perëndimore e kanë kërcënuar Moskën me sanksione nëse ndërmerr hapa të tillë.

Megjithatë është e paqartë, se deri në ç'masë është e gatshme qeveria gjermane të bashkëveprojë për sanksionet. Veçanërisht në radhët e partisë socialdemokrate (SPD)  të kancelarit, është e diskutueshmë çështja e përmasave të sanksioneve. Këtu përfshihet edhe linja e diskutueshme e gazsjellësit Nord Stream 2.

Scholz nuk ka udhëtuar më përpara në SHBA në funksionin e kancelarit. Ministrja e Punëve të Jashtme e partisë ekologjiste Annalena Baerbock zhvilloi vizitën e saj të parë në SHBA në këtë pozicion në fillim të janarit./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat