Rrëfehet Haye: Kam bërë shumë gabime pas rikthimit në ring

Boksi

Rrëfehet Haye: Kam bërë shumë gabime pas rikthimit në ring

Më: 28 prill 2018 Në ora: 08:42
David Haye

Ish-boksieri kampion bote në peshat e rënda David Haye, në një intervistë për “Sky Sport”, në prag të revanshit të 5 majit ndaj Tony Bellew, ka pranuar se ka bërë mjaft gabime në dy vitet e fundit, kur vendosi të rikthehet në ring. Britaniku ka pranuar se e ka mbivlerësuar veten pas 3 vitesh e gjysmë pushim dhe kjo ka ndikuar në humbjen që pësoi një vit më parë ndaj patriotit të tij. Para se të shkonte te dueli me Bellew, Haye kishte zhvilluar në total vetëm 3 raunde (në përballjet që zhvilloi ndaj Arnold Gjergjaj dhe Mark de Mori), shumë pak.

“E pranoj që dueli im i fundit ku kam patur përballë një rival kompetitiv ishte ai ndaj Dereck Chisora (viti 2012), ndërsa në dy duelet që zhvillova pas rikthimit nuk kam marrë asnjë grusht nga rivalët. E mbivlerësova veten, duke kujtuar se isha po aq i mirë sa në vitin 2012, kur kisha dueluar për herë të fundit. Nuk mund të marrësh një pushim kaq të gjatë sa unë dhe më pas të rikthehesh dhe të presësh që të jesh sërish aq kompetitiv si më parë. Duhet të punosh shumë për t’u rikthyer në ato nivele”, u shpreh boksieri David Haye.

Në mars të vitit të kaluar, Haye humbi me “KO teknik” në raundin e 11-të duelin e parë me Bellew, pas një dëmtimi në “Thembrën e Akilit”, u operua dhe u bë gati për të zhvilluar revanshin në nëntor. Por një muaj para duelit u dëmtua sërish dhe tashmë revanshi i shumëpritur do të zhvillohet më 5 maj. “E bëra një herë atë gabim, e nënvlerësova rivalin, por këtë herë nuk do të përsëris më të njëjtën gjë. Këtë herë dueloj për fitore, për t’u hakmarrë. Jam në formë dhe këtë gjë do t’ua konfirmoj në ring”, tha David Haye.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat