Kombëtarja shqiptare e ka mbyllur me rezultate të shkëlqyera pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Europian të kikboksit, aktivitet që u zhvillua në Sarajevë më datat 11-14 prill.
Në këtë kompeticion konkurruan 33 shtete, me një numër total prej rreth 3 mijë sportistësh, me gara për të gjitha moshat dhe disiplinat. Ngjyrat e flamurit kuqezi në Europian i mbrojtën Rikard Lekaj, Edison Llazani dhe Alvaro Malshi.
Rezultatin më të lartë e shënoi Rikard Lekaj, i cili fitoi medalje ari, duke u shpallur kampion i Europës në peshat 74 “Kick Light”. Alvaro Malshi fitoi medalje argjendi në kategorinë 69 kg “Kick Light”, ndërsa Edison Llazani u klasifikua në vend të pestë në disiplinën K1 për peshat 71 kg.
Ndërkohë për tu theksuar është fakti se të gjitha shpenzimet e Europianit, duke nisur nga udhëtimi, akomodimi dhe deri te taksat e garave, u paguan nga xhepi sportistëve dhe nga Arbis Vjerdha, president i Federatës Shqiptare të Kik dhe Tai Boksit. Madje Vjerdha në këtë eveniment bëri edhe rolin e trajnerit për sportistët tanë, ndryshe nga kolegët e tij presidentë që i ndoqën duelet nga tribuna.