Dushku, Rugova dhe Medunjanin e përfunduan me sukses programin e FIBA Time-Out 2.0

Basketboll

Dushku, Rugova dhe Medunjanin e përfunduan me sukses programin e FIBA Time-Out 2.0

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 13:22
Dushku, Rugova dhe Medunjanin e përfunduan me sukses programin e FIBA Time-Out 2.0

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova dhe ish-basketbollistja, Edita Medunjanin më 11 shtator me sukses e kanë përfunduar programin e FIBA Time-Out 2.0.

Dushku ka qenë pjesë e programit SWISH që ka qenë i fokusuar në zhvillimin e Integritetit në Sport në Federatat Nacionale, kurse Rugova ka qenë pjesë e programit të lojtarëve që

fokusin e ka pasur vazhdimin e karrierës jashtë fushës, pas përfundimit të karrierës në fushën e lojës, dhe Medunjanin ka qenë pjesë e programit për zhvillimin dhe avancimin e basketbollit të femrave në Federatat Nacionale, i quajtur WiLEAD.

Ceremonia e diplomimit të studentëve të programit të FIBA Time Out 2.0 është organizuar në "Patrick Baumann House of Basketball" në Gjenevë.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis, Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak dhe mysafirë e bashkëpunëtorë të FIBA-s, në kuadër të këtij programi.

Mbahet Klinika për Trajnerë të Basketbollit

Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës më 20 shtator ka organizuar klinikën për trajnerë të basketbollit. Klinika është organizuar në formatin online, pasi që për shkak të situatës me pandemi dhe masave të qeverisë është i ndaluar grumbullimi i më shumë se 20 personave në hapësira të mbyllura.

Në këtë Klinikë kanë ligjëruar trajnerë të njohur si: Bil Peterson nga SHBA, Ridvan Ekmekci nga Turqia, Ahmet Çaki nga Turqia dhe John Jakus nga SHBA.

Temat e ligjërimit ishin: Përgatitja mentale e basketbollit dhe trajnerëve dhe Ridvan Ekmekci, Zhvillimi i aftësive individuale të basketbollit nga Bill Peterson, Ndërrimi i Sulmit nga Ahmet Çaki dhe Hapësira në Sulm nga John Jakus, si dhe ligjërata Menaxhimi i Skuadrës nga Doc Rivers. Klinikën e kanë përcjellur gjithsej 62 trajnerë/e.

Bordi i FIBA Evropës e përzgjedh Kosovën si organizatore të FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C

Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e mbajtur më 2 Tetor në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës ka vendosur për vendet organizatore të FIBA Kampionateve Evropiane për grupmosha të reja për vitin 2022.

Kosova sërish ka fituar një organizim madhor. Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që në Prishtinë të mbahet FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj. Ky kampionat do të mbahet më 12-17 Korrik 2022. Më herët, Kosova kishte organizuar edhe FIBA U18 Kampionatin, Divizioni C për meshkuj, ku gjithashtu kishte triumfuar Kosova dhe FIBA U20 Kampionatin, Divizioni B për femra.

Penza triumfon për Superkupë në shtëpi

Më 5 Tetor, Penza fitoi Superkupën e Kosovës, duke mundur në finale Prishtinën me rezultat 77:71. Penza në gjysmëfinale kishte mundur Vëllaznimin, kurse Prishtina ishte më e mirë se Bashkimi. Sfida finale ishte interesante, duke u vendosur në minutat e fundit të takimit.  Kupën kapitenes së Pejës, Valbona Bytyqi ia dorëzoi kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe zëvendësdrejtoresha e Ministrisë së Kulturës së Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Briana Ëilliams e Penzës u shpall MVP e Superkupës, çmim të cilin ia dorëzoi Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.

Penza fiton Superkupën Mbarëkombëtare në Vlorë

Penza e ka mundur në finale Prishtinën me rezultat 65:71 duke fituar Superkupën Mbarëkombëtare, që u organizua për herë të parë nga Liga Unike. Ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja u zhvillua në Vlorë, më 13 dhe 14 Tetor. Në gjysmëfinalen e parë, Penza mundi Flamurtarin e Vlorë, kurse Prishtina shënoi fitore ndaj Partizanit të Tiranës.

Takimet ishin mjaft interesante për adhuruesit e basketbollit, ku për herë të parë sfidoheshin klubet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë, ndërsa organizimi u ndihmua nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe asaj Shqiptare, si dhe klubi vendas Flamurtari.

Rael Whitsitt u shpall MVP e Superkupës Mbarëkombëtare, ku në finale shënoi 21 pikë e 14 kërcime. Kupën kapitenes së Penzës, Valbona Bytyqi ia dorëzoi kryetari i Bordit të Ligës Unike, Ilir Trebicka.

Golden Eagle Ylli triumfon në Superkupën Mbarëkombëtare

Golden Eagle Ylli ka fituar Superkupën Mbarëkombëtare, duke mundur Sigal Prishtinën me rezultat 76:67. Ndeshjet gjysmëfinale u zhvilluan më 16 dhe 17 Tetor, në Durrës dhe Shkodër, derisa finalja u zhvillua në Shkodër, ku mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shumë personalitete sportive dhe politike. Ylli në gjysmëfinale kishte mundur Teutën e Durrësit, kurse Prishtina mundi Vllazninë në Shkodër, duke zhvilluar një finale kosovare, në edicionin e parë.

Kupën kapitenit të Golden Eagle Yllit, Gëzim Morina, ia dorëzoi kryetari i Bordit të Ligës Unike, Ilir Trebicka.

MVP u shpall Mikaile Tmusiq, ndërsa çmimin ia dorëzoi Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi.

Fillon implementimi i projektit madhor të FBK-së, Qendra Nacionale e Basketbollit

Një projekt shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës ka filluar nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Për herë të parë në vendin tonë, (më 18 Tetor) ka filluar Qendra Nacionale e Basketbollit, ku janë përzgjedhur lojtarët me potencial për të ardhmen.

Në këtë Qendër Nacionale janë grumbulluar 16 lojtarë (13 e 14 vjeç) nga e gjithë Kosova, ndërsa do të mbikëqyren nga Valentin Spaqi, Driton Obërtinca dhe Arben Krasniqi. Basketbollistët janë grumbulluar në Qendrën Social-Edukativo “Don Bosko” në Prishtinë. Ata po stërviten dy herë në ditë gjatë pesë ditëve të javës, kurse në fundjavë luajnë në klubet e tyre. Gjithashtu kanë në program edhe ndeshje miqësore.

Ky është një projekt madhor dhe shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, ku do të grumbullohen lojtarët/et me potencial për të ardhmen, e më pas do të jenë pjesë e Përfaqësueseve të Kosovës. 

Basketbollistët që dalin nga Qendra Nacionale e Basketbollit do të jenë një ndihmë e madhe për të gjitha Përfaqësueset e reja të Kosovës, por edhe basketbollin e Kosovës.

Mbahet turneu në Istog “Her World, Her Rules”

Më 21 Nëntor në Istog është mbajtur turneu “Her World, Her Rules”, i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Në këtë turne kanë marrë pjesë gjashtë skuadra të vajzave në kategorinë U14, ku janë ndarë në dy grupe, A dhe B.

Në Grupin A kanë garuar Junior 06, Bashkimi dhe Istogu, ndërsa në atë B kanë garuar AA Prishtina, Peja DT dhe Kastrioti.

Ndeshjet kanë qenë interesante, ku në Grupin A ka fituar Junior 06, ndërsa në Grupin B ka fituar Peja DT.

Në hapje të turneut, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, është shprehur se është shumë e rëndësishme që vajzat të merren me basketboll dhe të mos largohen asnjëherë nga sporti. Ajo ju ka uruar sukses të gjitha vajzave dhe klubeve pjesëmarrëse, duke shtuar që sporti ju ndihmon shumë, madje edhe në jetën e përditshme.

Ndërkohë, anëtarja e Bordit të FBK-së, Teuta Abdullahu ka shtuar se tani vajzat kanë kushte shumë më të mira se më herët dhe mund të ëndërrojnë që të luajnë në arenën ndërkombëtare, një mundësi që nuk e kishte gjenerata e saj. Ish-basketbollistja e

Universitetit të Prishtinës nënvizoi se basketbolli ju ka ndihmuar shumë në jetë, për të qenë më të vendosura, për të arritur synimet dhe të kenë një jetë më të shëndetshme.

FBK nënshkruan marrëveshje me Kompaninë Tregtia

Federata e Basketbollit e Kosovës më 24 Nëntor ka nënshkruar marrëveshje sponsorizuese me kompaninë e njohur Tregtia. Marrëveshja është për 4 vjet dhe dy palët janë shprehura të lumtura për arritjen e marrëveshjes. Në kuadër të kompanisë Tregtia, vepron edhe kompania Trepharm. Tregtia është kompani ndërtimore që nga viti 1999 me mbi 21 vite përvojë pune në industrinë e ndërtimit. Tregtia është kompani lidere në përmbushjen e kërkesave  të klientit, inovacion, profesionalizëm dhe zgjidhje me cilësi superiore.

Ndërkohë, Trepharm është prodhuesi farmaceutik në Kosovë. Trepharm është i ndërtuar në pajtueshmëri te plotë me direktivat Evropiane të cGMP-së. Praktika aktuale e prodhimit të mirë të barnave, por edhe standardet tjera globale të cilësisë, janë marrë parasysh dhe janë aplikuar gjatë projektimit, ndërtimit dhe vënies në funksion të këtij projekti kaq të rëndësishëm, jo vetëm për farmaceutikën në Kosovë, por për kombin në përgjithësi.

Fitore e madhe e Kosovës

Kosova ka shënuar fitore të madhe më 28 Nëntor, duke e mundur Danimarkën 78:73 në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e FIBA Eurobasket 2025.

Fillimi i ndeshjes ishte shumë interesant, ku herë njëra kalonte në epërsi e herë tjera dhe ishte një lojë e baraspeshuar që përfundoi 19:18 për vendasit. Dardanët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, edhe pse hasën në rezistencën e danezëve, megjithatë, me përkrahjen e tifozëve, këtë pjesë e fituan 20:16, duke shkuar në pushim me shifrat 38:33. Dardanët vazhduan me lojë të mirë në periudhën e tretë, ku shkëlqyen, duke rritur epërsinë minute pas minute. Epërsia më e lartë ishte 58:44, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 60:46. Epërsia u rrit edhe më shumë në çerekun e fundit, në 69:50, por danezët nuk u dorëzuan për ta ngushtuar epërsinë në 72:63, katër minuta nga fundi. Epërsia u ngushtua deri në vetëm tri pikë 76:73, megjithatë, Dardanët ishin të përqendruar në fund dhe triumfuan 78:73.

Te Kosova u dalluan Valon Bunjaku dhe Drilon Hajrizi me nga 14 pikë dhe Dardan Berisha me 16.

Kosova ka një fitore dhe një humbje nga Norvegjia me rezultat 86:77, ndërsa Danimarka një humbje.

I pranishëm në sfidën në Prishtinë ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shumë personalitete, si dhe pas një kohe të gjatë, rreth dy vjet, u rikthyen edhe Dardanët në tribuna.

Në pushimin mes pjesëve ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, më 28 Nëntor, është zhvilluar ceremonia e pensionimit të kapitenit legjendar, Edmond Azemi.

Fanellën me numër 4, ia ka dhuruar Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ndërsa topin e nënshkruar nga basketbollistët e Kosovës, ia ka dhuruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu e nënshkroi.

Kryeministrit Kurti ia ka dhuruar një fanellë me numrin 1, Kryetari Fetahu, duke e falënderuar për përkrahjen e dhënë.

Prishtina, kampione vjeshtore, 10 ndeshje - 10 fitore

Prishtina është kampione vjeshtore e Superligës së Femrave. Skuadra prishtinase ka shënuar fitore në derbin ndaj Penzës me rezultat 91:65 në kuadër të javës së dhjetë në elitën e femrave.

Prishtina e përfundoi stinorin vjeshtor me dhjetë fitore në dhjetë ndeshje, duke qenë skuadra e vetme pa humbje, kurse kampionet me tetë fitore dhe dy humbje.

Mbahet Klinika për trajnerët në Minibasketboll

Më 12 Dhjetor është mbajtur klinika online për trajnerët e gjeneratave të reja për minibasketboll. Klinika është organizuar nga FBK në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës dhe FIBA-n, ku ligjërues ishte eksperti i mirënjohur spanjoll Dr. Sergio Lara Bercial.

Tema e klinikës ka qenë: Trajnimi në minibasketboll-Filozofia, Metodologjia&Pedagogjia e punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat