Pamja e zgjedhjeve parlamentare në Izrael ka ndryshuar gjatë natës. Exit poll-et e rishikuara, të përditësuara me të dhëna të reja pas mbylljes së qendrave të votimit, tregojnë se blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka ngushtuar diferencën me opozitën dhe në disa sondazhe e ka barazuar ose kaluar atë.
Sipas exit poll-it të përditësuar të Kanalit 13, blloku pro-Netanyahu u ngjit nga 50 në 51 mandate, ndërsa blloku kundër Netanyahut ra nga 52 në 51. Kështu, dy kampet tani janë të barabartë. Likudi u rrit nga 25 në 27 mandate, ndërsa partia Yashar e Gadi Eisenkot ra nga 23 në 22, transmeton "Bota sot".
Sipas raportimeve të mediave izraelite, edhe Kanali 12 e rishikoi sondazhin e tij, duke i dhënë bllokut të Netanyahut 52 mandate kundrejt 49 për opozitën. Sondazhi i Direct Polls e jep bllokun e Netanyahut me 55 mandate dhe opozitën me 49, ndërsa sondazhi i Shlomo Filber, i prezantuar në Kanalin 14, parashikon 60 mandate për koalicionin qeverisës.
Edhe me këto shifra, asnjë kamp nuk i arrin 61 mandatet e nevojshme për shumicë në Knesetin me 120 ulëse. Partitë arabe, që parashikohen të fitojnë 17 deri në 18 mandate, mbeten faktor kyç në llogaritë për formimin e qeverisë.
Abbas: Ende nuk ka numra për qeveri
Lideri i partisë arabe Ra'am, Mansour Abbas, deklaroi se është në kontakt me të dy blloqet, por theksoi se për momentin nuk ka numra për formimin e një qeverie.
Kjo kthesë vjen vetëm pak orë pasi Eisenkot, Naftali Bennett dhe Yair Lapid kishin shpallur humbjen e Netanyahut, bazuar në sondazhet e para që i jepnin opozitës 52 deri në 53 mandate kundrejt 50 për koalicionin.
Ndërkohë, Netanyahu ende nuk ka folur publikisht pas mbylljes së votimit. Mbështetësit e Likudit e prisnin në Qendrën Ndërkombëtare të Kongreseve në Jerusalem.
Exit poll-et nuk janë rezultate zyrtare. Numërimi i votave sapo ka filluar dhe mund të zgjasë deri të premten, pasi mbi 650 mijë vota me zarf të dyfishtë numërohen veçmas. Rezultatet zyrtare duhet të shpallen deri më 4 nëntor.