Ushtarët që luftuan talibanët i druhen kthimit në Afganistan

Azia

Ushtarët që luftuan talibanët i druhen kthimit në Afganistan

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 09:19
Komandot e Ushtrisë Kombëtare Afgane në pozicione gjatë një operacioni ushtarak më 2016.

Afganët që jetojnë ilegalisht në Iran dhe Pakistan, janë në rrezik nga dëbimi, dhe ushtarët që kanë luftuar kundër talibanëve tani në pushtet, kanë frikë se kthimi i tyre në atdhe, do të nënkuptonte vdekje të sigurt.

Dhjetëra mijëra ish-anëtarë të Forcave të Sigurisë Kombëtare të Afganistanit - të cilat kanë përfshirë ushtrinë e ish-Qeverisë afgane, forcat speciale, policinë kombëtare dhe shërbimin e inteligjencës - kanë ikur në vendet fqinje, pasi talibanët kanë marrë pushtetin në gusht të vitit 2021.

Ata u janë bashkuar miliona afganëve që janë vendosur në Pakistan dhe Iran gjatë katër dekadave të fundit të luftës, varfërisë dhe trazirave politike në Afganistan.

Por, javëve të fundit, Pakistani ka përmbushur urdhrin e tij që rreth 1.7 milion afganët në këtë vend, që nuk e kanë dokumentacionin e duhur, të largohen deri më 1 nëntor.

Vendimi ka bërë që mbi 300.000 njerëz të kthehen në Afganistan dhe është pasuar me bastisje policore dhe dëbime të detyruara.

Irani, po ashtu, ka marrë qëndrim të ashpër kundër afganëve që jetojnë ilegalisht në këtë vend. Kohëve të fundit, ministri i Brendshëm, Ahmad Vahidi, ka deklaruar dy herë se ata që nuk kanë status ligjor, do të kthehen në Afganistan. Kërcënimi prek rreth 4.5 milionë afganë që jetojnë në Iran - shumica e të cilëve kërkojnë strehim dhe punë të përkohshme.

Fahimi, një ish-ushtar afgan që jeton në Pakistan, thotë për Shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë se i frikësohet dëbimit dhe kthimit në Afganistan.

“Qeveria pakistaneze i ka marrë seriozisht masat e saj dhe vizat tona kanë skaduar”, thotë ai.

“Ne jemi të dëbuar. Nuk ka asnjë garanci [sigurie] nga Emiratet Islamike [Qeveria e talibanëve] për anëtarët e ushtrisë dhe unë jam shumë i shqetësuar”, shprehet Fahimi.

Talibanët kanë ofruar një amnisti të përgjithshme për anëtarët e ushtrisë afgane, policinë dhe burokratët menjëherë pas kthimit në pushtet, por mbikëqyrësit ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut dhe Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar raste të shumta të ndëshkimit - përfshirë vrasje pa gjyq dhe tortura - kundër atyre që kanë punuar me ish-Qeverinë afgane.

Në një raport të publikuar në gusht, Misioni i Ndihmës i OKB-së në Afganistan ka thënë se talibanët janë përgjegjës për së paku 218 vrasje pa gjyq, 14 zhdukje të detyruara, mbi 144 raste të torturës dhe keqtrajtimit dhe 424 arrestime dhe ndalime arbitrare të ish-zyrtarëve të Qeverisë dhe ish-pjesëtarëve të forcave të armatosura, në periudhën nga 15 gushti 2021 deri më 30 qershor.

Image
Një ish-komandant i forcave speciale afgane duke mbledhur mbeturina në Iran në vitin 2022 pasi u arratis nga Afganistani.

Sipas disa llogaritjeve, rreth 30.000 ushtarë afganë kanë ikur në Iran për t’i shpëtuar rrezikut të ndjekjes nga talibanët.

Fawadi, një ish-ushtar afgan që tani jeton në Iran, është larguar nga vendi i tij, për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Tani, ai frikësohet se do të përballet sërish me atë kërcënim.

“Ka pasur kërcënime në Afganistan”, thotë ai, duke përshkruar përpjekjet e talibanëve për të kapur ish-anëtarë ushtarakë. “Kanë ardhur disa herë në adresa specifike për të na kërkuar”.

“Ne përballemi me një kërcënim serioz në Afganistan”, thotë Fawadi.

Shumë ish-ushtarë afganë që kanë mbetur në Afganistan, jetojnë duke u fshehur, për t’iu shmangur talibanëve.

Zyrtarët ushtarakë nga Qeveria e rrëzuar afgane kanë nxjerrë në dukje seriozitetin e situatës dhe u kanë bërë thirrje ish-aleatëve dhe OKB-së që të ndërmarrin hapa për t’i mbrojtur anëtarët e ish-forcave afgane të sigurisë.

“Jeta e tyre dhe familjet e tyre janë në rrezik - 100 për qind”, i ka thënë REL-it gjenerali Farid Ahmadi, ish-komandant i forcave speciale.

“Aktualisht, mijëra ish-shokë të tyre ndodhen në burgjet e talibanëve. Nuk ka asnjë lajm për fatin e tyre”, ka thënë ai.

Shumë ish-forca afgane të sigurisë i akuzojnë vendet perëndimore se i kanë braktisur ato pas pushtimit nga talibanët.

Ahmadi ka thënë se “Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, që kanë punuar me ta në luftën kundër terrorizmit, nuk duhet të jenë indiferente ndaj fatit të familjeve të [anëtarëve të forcave të sigurisë]”.

Talibanët nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat