Disa kilometra të gjatë dhe 30 metra të thellë, si funksionojnë tunelet e Hamasit në Gaza?

Azia

Disa kilometra të gjatë dhe 30 metra të thellë, si funksionojnë tunelet e Hamasit në Gaza?

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 16:33
Foto ilustrim

Tunelet në Gaza janë krijuar për t’i mbijetuar bllokadës dhe që pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, janë shndërruar në një armë për milicët.

Fraksioni i armatosur i palestinezëve i ka shndërruar ato në një instrument mbrojtjeje, sulmi dhe strehimi, ndërsa Izraeli i ka caktuar tunelet si objektivin kryesor të çdo operacioni tokësor.

Kështu ato morën rolin e një fronti “të fshehtë”, gjithmonë të rrezikshëm. Të shtunën u njoftua vdekja e katër parashutistëve për shkak të shpërthimit të një bombe në “grykën” e një tuneli, i cili ndoshta ishte bllokuar nga milicët.

Askush përveç disa liderëve palestinezë nuk e di saktësisht se sa i gjerë është rrjeti nëntokësor. Në intervista, udhëheqësit e rezistencës konfirmojnë vlerësimet e armikut, duke folur për një sistem të përpunuar, të zgjeruar mbi dhjetëra kilometra. Më pas ata specifikojnë se tunelet janë projektuar për luftëtarë dhe jo për civilë.

Raportet e inteligjencës i paraqesin ato si një rrjetë merimangash të mbrojtur me mure betoni, e që kanë rrjete komunikimi të telefonisë fikse, energji elektrike, sisteme të filtrimit të ajrit të mundësuar nga bateritë e makinave dhe gjeneratorët.Çdo tunel mund të ketë degë të shumta, me shumë hyrje e dalje, të dobishme për nisjen e veprimeve të befasishme dhe më pas zhdukjen.

Videot propagandistike tregojnë “dhomat” e shumta. Bunkeri ku grupet e sulmuesve presin urdhrin e sulmit, “korridore” për të akomoduar raketa dhe mjedise të përdorura si burgje për pengjet. Po ashtu ka dhoma apostafat për qendrat e komandës si dhe “dyqane” ushqimesh dhe municionesh.

Thellësia mesatare e këtyre tuneleve përllogaritet të jetë rreth 20-30 metra, shifër kjo e cila nuk përjashton punimet e kryera në nivele më të ulëta për t’i bërë ato më rezistente ndaj bombardimeve të mundshme ose për të kapërcyer pengesat nëntokësore. Dheu i Rripit – sigurojnë gjeologët – i ka ndihmuar “minatorët”, edhe nëse ka pasur shembje dhe aksidente.

Pikat e hyrjes dhe daljes janë kudo. Në fshat të hapur, nën një ndërtesë të madhe, brenda një dhome të çdo shtëpie. Të kamufluara pas një garderobe, brenda një sere, apo nën një xhami, ato ekzistojnë për aq kohë sa kanë një boshllëk të mjaftueshëm për të kaluar një milici e armatosur me granatahedhës dhe kallashnikov. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat