Përdoruesit kinezë të internetit komente me përmbajtje urrejtjeje në faqen e ambasadës izraelite

Azia

Përdoruesit kinezë të internetit komente me përmbajtje urrejtjeje në faqen e ambasadës izraelite

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ambasada izraelite në Pekin filloi të postonte në platformën e mediave sociale të Kinës, Weibo.

Përpjekja që synonte të fitonte mbështetjen e opinionit në Kinë, duket se ka sjellë efekt të kundërt, pasi komentet përmbajnë fyerje për shtetin hebre, mbështesin Hamasit dhe lavdërojnë Adolf Hitlerin.

Ambasada izraelite në Pekin, që ka 24 milionë ndjekës në këtë rrjet social, ka bërë rreth 100 postime, që nga sulmi i 7 tetorit. Disa postime janë shqetësuese, të tilla si një imazh i kufomës së një foshnjeje të djegur gjatë sulmit të Hamasit. Të tjerë pohojnë rezistencën izraelite, siç është historia e një personi që u plagos në Festivalin Nova, por shpëtoi disa persona të tjerë, pas sulmit.

Hapësira e komenteve është e mbushur me gjuhë urrejtjeje si "Hamasi heroik!" dhe "Hitleri ishte i mençur" duke iu referuar udhëheqësit gjerman që urdhëroi vdekjen e 6 milionë hebrenjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Herë pas here, dikush shpreh mbështetje për Izraelin dhe akuzon Hamasin si një grup terrorist. Kjo shkakton reagime të forta nga përdorues të tjerë të rrjetit, të tilla si "Vetëm izraelitët e vdekur janë izraelitë të mirë" dhe "Shtetet e Bashkuara mbështesin Izraelin dhe miku i armikut është armik".

Komente të ngjashme janë bërë edhe në faqet e tjera, ndërsa interneti është shumë i censuruar në Kinë.

Shërbimi në gjuhën kineze i Zërit të Amerikës nuk mund të përcaktojë se sa nga llogaritë në Weibo që postohen në llogarinë e ambasadës izraelite u përkasin njerëzve që punojnë për qeverinë kineze.

Ambasada izraelite në Kinë nuk iu përgjigj kërkesave për intervistë nga shërbimi në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës .

Eric Liu, ish-moderator në forumet e diskutimit në Weibo, i cili tani është redaktor i faqes së internetit China Digital Times, i tha shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se në faqen e ambasadës izraelite "janë bërë shumë komente kohët e fundit, me përmbajtje urrejtjeje dhe antisemitike."

Zoti Liu beson se për shkak se komentet antisemitike mbeten në internet, kjo tregon se qeveria kineze i pranon ato. Kina ka mbështetur prej kohësh cështjen palestineze, por kohët e fundit ka rritur gjithashtu lidhjet me Izraelin, pasi kërkon një rol më të madh në tregti, teknologji dhe diplomaci.

"Është më shumë një zë i ndikuar nga opinioni publik," tha ai. “Relativisht, është një zë ekstrem. Zërat e moderuar nuk mund të dëgjohen. Shumica e pjesëmarrësve janë kritikë të zakonshëm që urrejnë të tjerët”, shprehet ai.

Gu Guoping, një mësues në pension nga Shangai, i tha shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se plaftorma si Weibo, WeChat ose QQ janë platforma anti-njerëzore, indoktrinimi të kontrolluara nga Partia Komuniste Kineze. “Për shkak të indoktrinimit afatgjatë të njerëzve të zakonshëm nga partia në pushtet, si dhe censurës në internet, shumë përdorues të platformës Weibo ... [ngatërrojnë] të drejtën me të gabuarën."

"Ata nuk e njohin fare Izraelin. Kombi izraelit është një komb i mahnitshëm, i madh, njerëzor dhe i civilizuar," tha zoti Gu, i cili thekson se Hamasi vrau njerëz të pafajshëm në Izrael dhe kundërsulmi i Izraelit ishte vetëmbrojtje legjitime.

Zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington, Liu Pengyu, tha se "Kina po ndjek nga afër tensionet aktuale midis Palestinës dhe Izraelit. Ne besojmë se përparësi urgjente është ulja e tensioneve, mundësimi i armëpushimit dhe ndërprerja e dhunës, mbrojtja e civilëve dhe shmangia e një katastrofe humanitare”.

Ndërsa bëjnë thirrje për një armëpushim në konfliktin Izrael-Gaza, zyrtarët kinezë nuk e kanë dënuar Hamasin me emër. Disa vëzhgues thonë se Pekini po shfrytëzon luftën Izrael-Hamas për të zvogëluar ndikimin e Shteteve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat