Izraeli është armatosur deri në dhëmbë për më të keqën

Azia

Izraeli është armatosur deri në dhëmbë për më të keqën

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 12:08
Foto ilustrim

Dita e shtatë e luftës filloi me bombardimet e vazhdueshme të Izraelit mbi Rripin e Gazës, me qindra objektiva të goditura. Pas ultimatumit të IDF, filloi eksodi i popullsisë drejt jugut, ndërsa përfaqësues të rangut të lartë të Perëndimit mbërritën në Tel Aviv për të shprehur mbështetjen e tyre për shtetin hebre. Nga ana e saj, bota arabe ka mbajtur anën e Hamasit, me demonstrata të mëdha në Teheran, Aman dhe Bagdad. Ndërsa bombardimet izraelite të Rripit të Gazës vazhdojnë dhe të dyja palët numërojnë vdekjet e tyre, përshkallëzimi i dhunës retorike dhe praktike ka bërë që të dyja palët të shpalosin pikat e tyre të forta, dhe armët që mund të ndryshojnë gjithçka. E përbashkëta është se secila prej tyre, duket se po përgatitet në heshtje për më të keqen.

Raketat Jericho

Izraeli po përgatitet të fusë në lojë sistemin e parandalimit bërthamor: raketat Jericho. Ishte deputeti i partisë Likud Tally Gotliv ai që ka bërë thirrje për përdorimin e kësaj super arme, duke shkruar disa herë në X “idenë e fillimit të një lufte bërthamore në vend të futjes së forcave tokësore masive” dhe duke i kërkuar ushtrisë të vendosë arsenalin e raketave në hakmarrje për sulmet e Hamasit. I emëruar njësoj si qyteti që historia biblike pretendon se u shkatërrua nga hebrenjtë e Joshuas, secila prej këtyre transportuesve është 14 metra e lartë dhe peshon 21 mijë kilogramë. Mund të mbajë një ngarkesë termonukleare dhe të godasë objektiva midis 1500 dhe 2500 kilometrave. I pari Jericho-1 me lëndë djegëse të ngurtë u krijua në 1973, gjatë Luftës së Yom Kipur. Duke marrë parasysh që shumë prej armiqve të Izraelit janë në një distancë minimale nga territori i shtetit hebre, shumë pyesin pse Tel Avivi ka krijuar një arsenal raketash balistike. “Përgjigja mund të jetë se gjithmonë merr në konsideratë skenarët e rasteve më të këqija”, shkroi Mark Fitzpatrick i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike. Midis viteve 1970 dhe 1980, Izraeli zhvilloi Jericho-2, më të gjatë dhe më të gjerë se paraardhësi, por me një ngarkesë identike dhe një distancë prej 1500 deri në 3500 kilometra. Ngarkesa është afërsisht 1300 kilogramë. Sipas raporteve nga shumë analistë, testi i parë i Jericho-3 daton në vitin 2008, midis janarit dhe shkurtit. “Të gjithë mund të bëjnë llogaritë, ne mund të arrijmë në çdo zonë të botës”, ishte komenti i bërë në atë kohë nga Isaac Ben-Israel, kreu i Agjencisë izraelite të Hapësirës.

“Metroja e Gazës”

Nga ana tjetër, pengesa më e madhe me të cilën do të përballet ushtria izraelite në përplasjen me Hamasin janë padyshim tunelet nëntokësore të Hamasit nën Gaza. Ata dyshohet se janë aq të gjera sa quhen “Metroja e Gazës”, dhe ekspertët perëndimorë këto ditë, duke shpjeguar se si duket në tokë, e përshkruajnë Gazën si një zonë me “dy shtresa”. Njëra është ajo mbi tokë, ku jetojnë civilë, dhe tjetra është nën tokë, bota e Hamasit. Është shumë e vështirë të vlerësohet madhësia e rrjetit, thuhet në analizën e korridoreve nëntokësore nga BBC, e cila kujton se pas konfliktit të vitit 2021, IDF tha se kishte shkatërruar më shumë se 100 kilometra tunele, ndërsa Hamasi, ndërkohë tha se tunelet ishin 500 kilometra të gjatë dhe se janë prekur vetëm pesë për qind. Ndërtimi filloi përpara tërheqjes së Izraelit nga Gaza në 2005. Kur Hamasi mori pushtetin dy vjet më vonë, gërmimet u intensifikuan dhe Izraeli dhe Egjipti, filluan të kufizojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. “Tunelet ndërkufitare janë kryesisht të thjeshta, që do të thotë se ata nuk kanë pothuajse asnjë fortifikim,” thotë Dr. Daphné Richemond-Barak, ekspert i luftës nëntokësore, nga Universiteti Reichman në Izrael. “Ato janë gërmuar për një qëllim tëvetëm, për të pushtuar territorin izraelit. Tunelet brenda Gazës janë të ndryshëm, pasi ato përdoren rregullisht nga Hamasi. Ata janë ndoshta më të rehatshëm për një qëndrim më të gjatë. Ata janë padyshim të pajisur për një qëndrim më të gjatë. Udhëheqësit fshihen aty, kanë qendra komandimi dhe kontrolli, i përdorin për linja transporti dhe komunikimi. Ato janë të pajisura me energji elektrike, ndriçim dhe shina hekurudhore”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat