Liria e shtypit dhe akuzat e agjencive të zbulimit ndaj faqes WikiLeaks

Amerika

Liria e shtypit dhe akuzat e agjencive të zbulimit ndaj faqes WikiLeaks

Më: 3 mars 2024 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Aktivistët e mbrojtjes së lirisë së shtypit dhe zyrtarët e agjencive amerikane të zbulimit po ndjekin zhvillimet në Londër, ku Gjykata e Lartë pritet të vendosë për fatin e themeluesit të faqes WikiLeaks, Julian Assange. Uashingtoni kërkon ekstradimin e tij për t’u përballur me 18 akuza për ndërhyrje kibernetike dhe vjedhje të dokumenteve sekrete. Por, ka shqetësime dhe pyetje të shumta mbi domethënien e një dalje të mundshme në gjyq të zotit Assange në Shtetet e Bashkuara për agjencitë amerikane të zbulimit dhe mediat.

Ai ka frymëzuar shumë njerëz nga Spanja deri në Britani dhe me gjerë. Por mënyra se si njerëzit e shikojnë themeluesin e faqes sinjalizuese WikiLeaks, Julian Assange, varet nga pozita që ata kanë.

“Pasojat për lirinë e shtypit varen nga mënyra se si e kategorizojmë vetë zotin Assange. A konsiderohet ai gazetar, disident, aktivist apo një njeri që merret me sulme kibernetike?”, thotë Roy Gutterman nga Universiteti i Sirakuzës.

“Nuk ka rëndësi nëse ju mendoni se Julian Assange është gazetar. Është i rëndësishëm fakti se ndaj tij janë ngritur akuza dhe prokuroria në thelb pohon se ai ishte angazhuar në aktivitete të rregullta të mbledhjes dhe raportimit të lajmeve”, thotë Trevor Timm nga Fondacioni për Lirinë e Shtypit.

Nëse në gjyq do të shqyrtohet mbledhja dhe raportimi i lajmeve, atëherë ai thotë se çështja është shumë e qartë.

“Nëse ai shpallet fajtor për akuzat që i ka ngritur prokuroria, kjo do të nënkuptonte një shndërrim në vepra penale të të gjitha gjërave që bëjnë gazetarët”, thotë Zoti Timm.

Por, publikimi i dokumenteve dhe videove sekrete amerikane, si ato nga operacionet në Irak, kanë shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët e agjencive amerikane të zbulimit, duke çuar në shpalljen e organizatës WikiLeaks një shërbim jo-shtetëror zbulimi në vitin 2017.

“Ka ardhur koha që WikiLeaks të shpallet një shërbim jo-shtetëror zbulimi, që shpesh nxitet dhe përdoret nga vende si Rusia”, tha Mike Pompeo, drejtor i CIA-s gjatë administratës së Presidentit Trump.

Ish zyrtarë amerikanë të zbulimit thonë se ka një dallim të madh mes gazetarisë dhe veprimeve të kryera nga zoti Assange.

“Ai nuk merrte në mënyrë pasive informacioneve nga sinjalizuesit. Ai nuk takohej në fshehtësi me njerëz për t’i pyetur për tema të ndryshme, ose për të marrë dokumente. Ai punonte me këta individë, duke i mësuar dhe duke u dhënë atyre mjete për të ndërhyrë në sistemet kompjuterike për të marrë sasi të mëdha informacionesh”, thotë ish zyrtari i CIA-s, Larry Pfeiffer.

Akuzat e Shteteve të Bashkuara ndaj zotit Assange përqendrohen pikërisht në këtë çështje, duke pohuar se ai po punonte me njerëz të tjerë për të zbuluar fjalëkalimet dhe ndihmonte personat që publikonin informacione të shmangnin forcat e zbatimit të ligjit. Sipas akuzës, me veprimet e tij të pamatura ai rrezikonte disidentët dhe aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Megjithatë, disa ekspertë thonë se akuzat ndaj zotit Assange nuk janë të qarta.

“Elemente të caktuara të gjërave që WikiLeaks dhe Julian Assange kanë bërë, përputhen me funksionin e gazetarisë. Por, publikimi i sasive të mëdha të informacioneve pa një kontroll, vërtetim dhe një analizë të kontekstit në të cilat janë përdorur ato mund të mos arrijë në nivelin e cilësisë që ne presim nga një gazetar”, thotë Roy Gutterman nga Universiteti i Sirakuzës.

Një çështje potencialisht polarizuese në një botë tashmë të polarizuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat