Presidenti Biden fajëson ish-Presidentin Trump për bllokim të projektligjit për sigurinë kufitare

Amerika

Presidenti Biden fajëson ish-Presidentin Trump për bllokim të projektligjit për sigurinë kufitare

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 21:59
Joe Biden

Presidenti Joe Biden tha se një projektligj ndërpartiak që parashikon ndihmë financiare për Ukrainën dhe fonde për rritjen e sigurisë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës është bllokuar në Kongres. Presidenti demokrat bëri përgjegjës për situatën ish-presidentin Donald Trump, kandidati kryesor republikan për president.

Ai i bëri thirrje Kongresit të “tregojë vendosmëri” dhe të kundërshtojë ish-Presidentin.

Projektligji duket se po shkon drejt mosmiratimit, pasi republikanët në Senat sinjalizuan kundërshtimin e tyre. Kjo e lë presidentin Biden pa ndonjë rrugë të qartë për të çuar përpara ndihmën për Ukrainën, përmes Kongresit.

"Sinjalet tregojnë se ky projektligj nuk do të shkojë në Senat. Përse? Arsyeja e thjeshtë: Donald Trump-i", tha Presidenti Biden. "Sepse Donald Trump-i mendon se kjo e dëmton politikisht".

Shqetësimet për emigracionin janë bërë një ndër çështjet kryesore në fushatën presidenciale të këtij viti, ndërsa ish-Presidenti Trump përgatitet për një tjetër përballje me Presidentin Joe Biden.

Zoti Trump ka nxitur republikanët në Kongres të refuzojnë marrëveshjen ndërpartiake rreth sigurisë kufitare, e cila u bë publike të dielën.

Projektligji me një buxhet prej 118 miliardë dollarësh, që përfshin gjithashtu ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën, po humbet mbështetjen në Kapitol. Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve janë shprehur kundër ndërsa më shumë se 20 senatorë republikanë kanë thënë se parashikimet ligjore nuk janë të rrepta mjaftueshëm.

Disa demokratë e kanë kundërshtuar gjithashtu projektligjin sepse thonë se disa nga masat e tij i trajtojnë emigrantët shumë ashpër.

Presidenti Biden nuk i përmendi kundërshtitë në radhët e demokratëve, por fajësoi republikanët se po i nënshtrohen trysnisë së ish Presidentit Trump, që sipas tij, i ka kontaktuar ligjvënësit republikanë për t'i "frikësuar ata që të votojnë kundër këtij propozimi".

“Sinqerisht, ata e kanë detyrim ndaj popullit amerikan të tregojnë vendosmëri dhe të bëjnë atë që është e drejtë”, tha Presidenti Biden.

Të martën, edhe udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer kritikoi ish-Presidentin Trump për rritjen e kundërshtive ndaj marrëveshjes rreth sigurisë kufitare.

“Donald Trump-i parapëlqen që të vazhdojë kaosi në kufi, në mënyrë që ta shfrytëzojë në fushatën elektorale, në vend që të lejojë Senatin të bëjë gjënë e duhur dhe të japë zgjidhje për situatën”, tha zoti Schumer.?VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat