AP: Juria e madhe në Florida e përfshirë në hetimin mbi dokumentet sekrete të zotit Trump

Amerika

AP: Juria e madhe në Florida e përfshirë në hetimin mbi dokumentet sekrete të zotit Trump

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 16:39
Donald Trump

Prokurorët federalë po përdorin një juri të madhe në Florida si pjesë të hetimit të tyre mbi shkeljen e mundshme të rregullave të ruajtjes së dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Palm Beach, tha një person i njohur me këtë çështje të martën mbrëma.

Juria e madhe i shtohet një jurie tjetër të veçantë që është mbledhur në Uashington prej muajsh për të shqyrtuar akuzat kundër zotit Trump për mbajtjen e qindra dokumenteve sekrete në Mar-a-Lago dhe pengimin e mundshëm të përpjekjeve të qeverisë për t’i rimarrë ato.

Nuk është e qartë pse prokurorët po përdorin një juri të madhe shtesë, para së cilës, një person që ka njohuri për këtë çështje i tha agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ në kushte anonimiteti se, mund të paraqiten dëshmitarë për rastin ndaj zotit Trump.

Një numër dëshmitarësh, duke përfshirë avokatë të zotit Trump, ndihmës të afërt të ish-presidentit dhe zyrtarë të Organizatës Trump, janë paraqitur gjatë vitit të kaluar para jurisë së madhe në Uashington. Por përdorimi i një jurie të madhe në Florida sugjeron se prokurorët gjithashtu mund të kenë në mendje ngritjen e të paktën disa akuzave ndaj zotit Trump në atë shtet.

Hetimi për dokumentet sekrete në Mar-a-Lago, i udhëhequr nga ekipi i prokurorëve të prokurorit të posaçëm Jack Smith, mendohet të jetë në fazat e tij përfundimtare dhe një vendim lidhur me ngritjen e akuza pritet të merret së shpejti. Avokatët e zotit Trump u takuan në Departamentin e Drejtësisë të hënën me zyrtarë, përfshirë prokurorin e posaçëm Smith, në kuadër të një përpjekjeje të ekipit të tij ligjor për të ngritur shqetësime për atë që ata thonë se është sjellje e pahijshme e prokurorisë dhe për t'u përpjekur të argumentojnë kundër një aktakuze të mundshme.

Hetimi është përqendruar jo vetëm në posedimin e dokumenteve sekrete, por edhe në refuzimin e ish-presidentit Trump për t’ia kthyer ato qeverisë dhe pengim të mundshëm të drejtësisë.

Një zëdhënës i prokurorit të posaçëm Jack Smith nuk pranoi të komentojë të martën mbi ekzistencën e jurisë së madhe në Florida për çështjen e ish-presidentit Trump./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat