Gjykata e Lartë lejon kundërshtimin e ndalimit gjashtë-javor të abortit në Teksas

Amerika

Gjykata e Lartë lejon kundërshtimin e ndalimit gjashtë-javor të abortit në Teksas

Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 18:28
Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë ka vendosur që klinikat që ofrojnë kryerjen e abortit në Teksas mund të padisin shtetin për ndalimin e abortit, por gjykata po lejon që ligji të mbetet në fuqi.

Gjykata mori vendimin të premten, më shumë se një muaj pasi dëgjoi argumentet mbi ligjin që e bën të paligjshëm abortin pasi zbulohet aktiviteti kardiak në një embrion. Kjo është rreth gjashtë javë, para se disa gra të kuptojnë se janë shtatzënë. Ligji nuk parashikon përjashtime për përdhunime apo inçest.

Ligji është në fuqi që nga 1 shtatori.

Rezultati është në rastin më të mirë vetëm një fitore e pjesshme për klinikat që ofrojnë abortet. I njëjti gjyqtar federal, i cili tashmë e ka bllokuar dikur ligjin, pothuajse me siguri do t'i kërkohet ta bëjë këtë veprim përsëri. Por më pas vendimi i tij do të shqyrtohet nga Gjykata e 5-të e Apelit, e cila ka votuar dy herë për të lejuar zbatimin e ndalimit të abortit.

Çështja mund të rikthehet përsëri para gjykatësve dhe deri më tani nuk ka pasur pesë vota në gjykatën me nëntë anëtarë për ta ndaluar ligjin.

Shumica konservatore e gjykatës duket gjithashtu se do të pakësojë të drejtat e abortit lidhur me çështjen e ligjit të Misisipit që u argumentua javën e kaluar, megjithëse ky vendim nuk pritet deri në pranverë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi një ditë pasi një anëtar i gjykatës shtetërore në Teksas vendosi se zbatimi i ligjit, i cili shpërblen paditësit kundër shkelësve duke u dhënë 10,000 dollarë, është jokushtetues, por e ka lënë ligjin në fuqi.

Votimi ishte 8 me 1 në favor të lejimit të padisë për të vazhduar, me vetëm gjyqtarin Clarence Thomas që votoi kundër.

Lufta gjyqësore mbi ligjin e Teksasit është përqendruar në strukturën e tij të pazakontë dhe nëse ai kufizon mënyrë se si ligji mund të kundërshtohet në gjykatë. Ligjvënësit e Teksasit ua dorëzuan përgjegjësinë për zbatimin e ligjit qytetarëve privatë, në vend të zyrtarëve shtetërorë.

Ligji autorizon padi kundër klinikave, mjekëve dhe kujtdo që "ndihmon ose nxit" një abort të kryer pas zbulimit të aktivitetit kardiak. Kjo është zakonisht rreth gjashtë javë të shtatzënisë para se disa gra të kuptojnë se janë shtatzënë.

Rasti ngriti një grup kompleks çështjesh se kush mund të padisë ligjin në gjykatën federale, rruga tipike për sfidat ndaj kufizimeve të abortit. Në të vërtetë, gjykatat federale rregullisht vënë nën kontroll ligje të ngjashme, të cilat mbështeten në zbatimin tradicional nga autoritetet shtetërore dhe lokale.

Gjykata u nda 5-4, me konservatorë në mazhorancë, për një tjetër çështje të ndërlikuar. Gjykata vendosi që zyrtarët e licencimit të Teksasit mund të paditet, por hodhi poshtë pretendimet kundër gjyqtarëve të gjykatave shtetërore, nëpunësve të gjykatës dhe Prokurorit të Përgjithshëm Ken Paxton.

Shefi i drejtësisë John Roberts dhe tre gjyqtarët liberalë kundërshtuan atë pjesë të vendimit në një opinion që thoshte se qëllimi i ligjit të Teksasit ishte "të anulonte vendimet e kësaj gjykate" për abortin.

"Natyra e të drejtës federale të shkelur nuk ka rëndësi; është roli i Gjykatës së Lartë në sistemin tonë kushtetues që është në rrezik," shkroi Roberts.

Në një opinion të veçantë, gjyqtarja Sonia Sotomayor kritikoi kolegët e saj për atë që ajo tha se ishte "vonesë" në çështjen që ka pasur "pasoja katastrofike për gratë që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për një abort në Teksas". Ajo tha se vendimi i gjykatës mbylli rrugën më të drejtpërdrejtë për të sfiduar ligjin dhe do t'u "hapë rrugën" shteteve të tjera për të "riparuar dhe përsosur skemën e Teksasit në të ardhmen për të synuar ushtrimin e çdo të drejte të njohur nga kjo gjykatë me të cilën ata nuk bie dakort."

Që kur hyri në fuqi në shtator, ligji ka vendosur kufizimet më të rrepta të abortit në vend që kur Gjykata e Lartë shpalli për herë të parë të drejtën e një gruaje për abort në vendimin e saj të vitit 1973 Roe kundër Wade.

Në muajin e parë të funksionimit, një studim i publikuar nga hulumtues në Universitetin e Teksasit zbuloi se numri i aborteve në mbarë vendin ra me 50% krahasuar me shtatorin e vitit 2020. Studimi u bazua në të dhënat e 19 nga 24 klinikat e abortit të shtetit, sipas Projektit të Vlerësimit të Politikave të Teksasit.

Gjyqtarët refuzuan të bllokonin ligjin një herë më parë, duke votuar 5-4 në shtator për ta lënë atë të hyjë në fuqi. Në atë kohë, tre të emëruarit e ish-presidentit Donald Trump dhe dy kolegë të tjerë konservatorë përbën shumicën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat