Anëtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë sinjalizojnë mbështetje për kufizimin e abortit

Amerika

Anëtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë sinjalizojnë mbështetje për kufizimin e abortit

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 20:43
Gjykata e Lartë

Anëtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë të Shteteteve të Bashkuara lanë të kuptohet të mërkurën se do të mbështesnin një ligj që kufizon abortin në Misisipi. Një vendim i tillë do të minonte ose përmbyste plotësisht vendimin historik të vitit 1973 Roe kundër Wade që legalizoi abortin në gjithë vendin.

Gjykata, e cila ka një shumicë konservatore 6-3, dëgjoi për rreth dy orë argumenta gjatë apelit të shtetit jugor për të rikthyer ndalimin e abortit duke filluar nga java e 15-të e shtatzënisë, një ligj i mbështetur nga republikanët, i bllokuar nga gjykatat më të ulëta. Gjatë argumenteve, tre gjyqtarët liberalë paralajmëruan me forcë kundër shfuqizimit të precedentëve ligjorë të rëndësishëm si rasti Roe kundër Wade.

Jackson Women's Health Organization, e vetmja klinikë e abortit në Misisipi, e ka sfiduar ligjin kufizues dhe ka mbështetjen e administratës së presidentit demokrat Joe Biden. Vendimi pritet të merret deri në fund të qershorit të ardhshëm.

"Pse nuk janë 15 javë një kohë e mjaftueshme” që një grua të vendosë për të bërë një abort, pyeti kreu konservator i gjykatës, John Roberts.

Ndërsa zoti Roberts duket se sinjalizoi se gjykata mund të mbështeste ligjin e Misisipit pa e përmbysur Roe kundër Wade, gjyqtarë të tjerë konservatorë, përfshirë Neil Gorsuch, dukej se ishin të interesuar të shkonin më tej.

Anëtari konservator i gjykatës Brett Kavanaugh tha se kushtetuta ia lë çështjen për zgjidhje procesit demokratik. Ai ngriti pyetjen nëse gjykata duhet të jetë neutrale ndaj të drejtave të abortit, gjë që do të kërkonte rrëzimin e Roe kundër Wade.

Nëse shteti i Misisipit fiton, shtoi zoti Kavanaugh, një vendim i tillë nuk do të ndalonte abortin në mbarë vendin, por do t'i lejonte shtetet ta rregullojnë atë sipas dëshirës.

Julie Rikelman, avokatja që përfaqëson klinikën e abortit, tha se përmbysja e precedentit Roe kundër Wade nuk do të thotë se gjykata është neutrale pasi do të thoshte se edhe pse Kushtetuta mbron lirinë, gratë "nuk do të kishin kurrë status të barabartë sipas Kushtetutës."

Kavanaugh dhe gjykatësja tjetër konservatore Amy Coney Barrett, të dy të emëruar nga ish-presidenti republikan Donald Trump, mund të hedhin votat kyçe që do të përcaktonin se deri ku do të shkojë gjykata lidhur me precedentin Roe kundër Wade.

Aktivistët kundër abortit besojnë se janë më pranë se kurrë shfuqizimit të tij, një objektiv i kahershëm për konservatorët e krishterë.

Gjykatësja liberale Sonia Sotomayor tha se Misisipi e paraqiti sfidën e re ligjore, vetëm sepse balanca në Gjykatën e Lartë është zhvendosurdjathtas.

"A do t'i mbijetojë ky institucion këtij precedenti?” pyeti zonja Sotomayor duke thënë se kjo do të jepte përshtypjen se Kushtetuta dhe interpretimi i saj "janë politike".

Gjyqtarët konservatorë e minimizuan idenë se gjykata duhet të jetë e kujdesshme në përmbysjen e precedentëve të saj, duke vënë në dukje se ajo e ka bërë këtë në shumë kontekste të dukshme, duke përfshirë përmbysjen e një vendimi famëkeq të 1895-ës që lejonte ndarjen racore.

"Ka rrethana në të cilat një vendim duhet të anulohet thjesht sepse ishte jashtëzakonisht i gabuar në momentin kur u vendos," tha gjyqtari konservator Samuel Alito.

Zoti Roberts shprehu njëfarë skepticizmi në lidhje me përmbysjen e precedentëve, duke vënë në dukje se "do të jetë një listë e gjatë" e vendimeve të kaluara që gjyqtarët aktualisht mund të mendojnë se janë vendosur gabimisht.

Anëtarja liberale e Gjykatës së Larët, Elena Kagan përmendi rëndësinë që gjykata t'i përmbahet precedentit "për të parandaluar njerëzit që të mendojnë se kjo gjykatë është një institucion politik që do të ndryshojë në varësi të asaj se cila pjesë e publikut bërtet më fort dhe pikëpamjet e shumicës anëtarëve të gjykatës në kohën e diskutimit të një çështjeje."/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat