SHBA, padi ndaj analistit rus që kontribuoi për dosjen 'Steele'

Amerika

SHBA, padi ndaj analistit rus që kontribuoi për dosjen 'Steele'

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 20:44
Foto ilustrim

Një juri e madhe ka ngritur akuza ndaj analistit rus që kontribuoi duke ofruar materiale për të ashtuquajturën "Dosja Steele", ku aludohej për lidhje të mundshme mes zyrtarëve të fushatës elektorale në vitin 2016 të ish-Presidentit Donald Trump dhe Rusisë. Ky zhvillim u njoftua të enjten nga një prokuror i posaçëm që po heton këtë çështje.

Analisti Igor Danchenko përballet me pesë akuza për dhënien e deklaratave të rreme FBI-së në lidhje me burimet për materialin që i kishte dhënë kompanisë britanike që përgatiti dosjen, tha John Durham, prokurori i posaçëm i emëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë gjatë administratës së ish-Presidentit Trump.

Gjatë një seance të shkurtër dëgjimore të enjten në Aleksandria, të shtetit amerikan Virxhinia, Gjykatësja Theresa Buchanan urdhëroi lirimin me kusht të zotit Danchenko, kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh, në pritje të gjykimit, dhe pasi avokati i tij i tha gjykatës se i akuzuari jeton me familjen e tij në Virxhinia.

Avokati i zotit Danchenko sinjalizoi se klienti i tij nuk do të pranojë fajësinë për akuzat, megjithëse nuk u paraqit ndonjë deklaratë zyrtare e tij. Një prokuror tha se nëse do të shpallet fajtor, zoti Danchenko mund të përballet me pesë vite burg për secilën nga akuzat.

Akuza thotë se gjatë periudhës qershor - nëntor 2017, zoti Danchenko bëri deklarata të rreme për burimet e disa informacioneve që i kishte ofruar një kompanie investigative britanike, firmë të cilën ai nuk e identifikoi me emër.

Burimet i konfirmuan agjensisë së lajmeve Reuters se kompania kishte lidhje me ish-zyrtarin e shërbimit britanik të zbulimit, Christopher Steele. Dosja, e cila iu qarkullua FBI-së dhe organeve të mediave përpara zgjedhjeve të nëntorit 2016, paraqiste të dhëna ende të paprovuara se Rusia zotëronte informacion shantazhi për zotin Trump dhe për disa nga këshilltarët e tij republikanë, dhe se Moska po punonte mbrapa skene për mundjen e kundërshtares demokrate Hillary Clinton.

Akuza thotë se zoti Danchenko bëri deklarata false për informacionin që ai tha se e kishte marrë nga një telefonues anonim që pretendonte se Kremlini mund të ishte duke ndihmuar për zgjedhjen e zotit Trump. Akuza thotë se zoti Danchenko e dinte se informacioni nuk ishte i vërtetë. Një avokat i zotit Danchenko nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për të komentuar për këtë çështje.

Dy burime të mirëinformuara rreth aktiviteteve të Prokurorit Durham thanë se ai ka lëshuar fletëthirrje për të kërkuar evidencë nga burime të shumta, ndër ta edhe persona të lidhur me Fusion GPS, kompania investigative me seli në Uashington e cila porositi ngritjen e dosjen.

Zoti Steele është ish-zyrtari i zbulimit britanik që përgatiti dosjen për kompaninë Fusion GPS, që punonte për një firmë ligjore që përfaqësonte Partinë Demokrate dhe fushatën presidenciale të zonjës Clinton për zgjedhjet e vitit 2016. Zoti Steele refuzoi të komentojë nëpërmjet një mesazhi të postës elektronike.

Një nga burimet në dijeni të aktivitetit të Prokurorit Durham tha se kompania Fusion GPS nuk është pjesë e hetimit të tij. Zoti Steele kishte refuzuar më parë të bashkëpunonte me hetuesit e Prokurorit Durham./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat