SHBA, Gjykata e Lartë u jep shteteve më shumë hapësirë për të kufizuar votën

Amerika

SHBA, Gjykata e Lartë u jep shteteve më shumë hapësirë për të kufizuar votën

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 22:06
Gjykata e Lartë

Të enjten Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e bëri më të lehtë për shtetet që të vendosin kufizime në votime, duke mbështetur masat e miratuara në këtë drejtim nga republikanët në Arizona, për të cilat një gjykatë më e ulët kishte arritur në përfundimin se shkakton pengesa, në mënyrë jo të barabartë me pjesën tjetër të popullsisë, për afro-amerikanët, komunitetet latine dhe indegjenë. Vendimi i Gjykatës së Lartë shihet si një humbje për demokratët të cilët i kishin sfiduar këto përpjekje.

Në një vendim 6 me 3, gjykata tha se kufizimet në mbledhjen e hershme të votave nga palët e treta dhe lidhur me atë se ku mund të hidhen votat, nuk e shkelin Ligjin mbi të Drejtën për të Votuar, një ligj i rëndësishëm federal i vitit 1965, që ndalon diskriminimin mbi baza racore në votim.

Presidenti Joe Biden dhe demokratët e tjerë e dënuan menjëherë vendimin e Arizonës dhe një të dytë të lëshuar gjithashtu nga gjykatësit të enjten, në një rast lidhur me Kaliforninë që mund të rrezikojë disa ligje mbi identifikimin e donatorëve politikë. Kjo ishte dita e fundit për të marrë vendime nga ana e gjykatës brenda sesionin aktual nëntëmujor të saj. Në të dy vendimet, gjashtë gjyqtarët konservatorë të gjykatës ishin në shumicë, ndaj votave kundër të tre gjyqtarëve liberalë.

Shtete të ndryshme kanë miratuar kufizime gjithëpërfshirëse që përfshijnë procesin e votimit, masa këto të mbështetura nga republikanët dhe nën vazhdën e pretendimeve të pa mbështetura në fakte të ish-Presidentit Donald Trump për manipulime të gjera në zgjedhjet e vitit 2020, që u fituan nga demokrati Joe Biden.

"Ndërsa ky sulm i gjerë kundër të drejtës për të votuar nuk është fatkeqësisht një rast i pashembullt, ai po merr forma të reja. Nuk ka të bëjë më, vetëm me një luftë se kush mund të votojë dhe se si mund ta bëjmë më të lehtë procesin për zgjedhësit me të drejtë vote, por ka të bëjë me atë se kush duhet t'i numërojë votat dhe nëse vota vlen apo jo", tha Presidenti Biden.

Vendimi i Arizonës e bën më të vështirë për të provuar shkeljen e Ligjit mbi të Drejtën për të Votuar. Kjo mund të ndërlikojë zhvillimet lidhur me një padi të 25 qershorit të bërë nga administrata Biden, e cila sfidon kufizimet e reja të vendosura ndaj votës, të mbështetura nga republikanët e Xhorxhias, bazuar në Aktit mbi të Drejtën e Votës. Ligji i Xhorxhia shkoi deri aty sa të ndalonte shpërndarjen e ujit apo ushqimit për zgjedhësit që presin në radhë të gjata për të votuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat