Nënpresidentja Kamala Harris, vizitë në Guatemalë e Meksikë

Amerika

Nënpresidentja Kamala Harris, vizitë në Guatemalë e Meksikë

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 16:19
Nënpresidentja Kamala Harris

Nënpresidentja Kamala Harris po zhvillon një vizitë pune në Guatemalë dhe Meksikë në përpjekje për të diskutuar problemet që shoqërohen me imigracionin në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit, Nënpresidentja Harris do të flasë me zyrtarë dhe udhëheqës të organizatave joqeveritare në Guatemalë dhe Meksikë lidhur me problemet e vështira si varfëria dhe dhuna, të cilat sipas aktivistëve ushqejnë imgracionin nga Amerika Qendrore drejt Shteteve të Bashkuara.

Kjo vizitë zhvillohet pasi administrata e Presidentit Biden njoftoi anulimin zyrtarisht të politikës së krijuar nga ish-Presidenti Trump që u kërkonte azil-kërkuesve të prisnin në Meksikë gjatë kohës kur autoritetet rishikonin aplikimin e tyre për status ligjor. Kjo politikë rezultoi në kthimin në Meksikë të 70,000 vetëve në dy vjetët që ishte në fuqi.

Gjatë javëve të fundit ka rënë interesimi publik mbi zhvillimet në kufirin jugor, ndërkohë që numri i të miturve të pashoqëruar nën kujdesjen e autoriteteve kufitare, ra nga afro 5700 në fund të marsit në 677 në fillim të majit.

Megjithatë, imigrantë të rinj mbërrijnë çdo ditë. Agjencia për Mbrojtjen e Kufijve njoftoi se në prill kishte regjistruar 180,000 vetë, ose një rritje prej 3% krahasuar me muajin mars. Një anketë e organizatave NPR/Ipsos në maj arrin në përfundimin se katër ndër pesë amerikanë e shohin gjendjen në kufi si problematike.

Disa zyrtarë thonë se përveç masave për forcimin e kufirit, duhen trajtuar edhe problemet në El Salvador, Guatemalë dhe Honduras që i shtyjnë shtetasit e këtyre vendeve të imigrojnë.

“Po adresojmë shkaqet që ushqejnë imgracionin nga vendet e Amerikës Qendrore, për të kuptuar arsyet përse njerëzit dërgojnë fëmijët në këtë vend,” thotë Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

Republikanët e kanë kritikuar administratën Biden për politikat në kufi, sidomos anulimin e disa politikave të administratës së mëparshme. Ja si u shpreh Ligjvënësi Steve Scalise në prill.

“Nënpresidentja Harris duhet të shkojë në kufi për të parë me sytë e saj situatën, pasi ndoshta më pas do t’i kërkojë Presidentit Biden të anulojë këto politika të dështuara”.

Zonja Harris do të takohet me përfaqësues qeveritarë dhe aktivistë guatemalas të hënën. Të martën ajo shkon në Meksikë për takime me zyrtarët e këtij vendi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat