Anëtarja e LDK-së reagon ashpër: Rugova nuk ia ndaloi Berishës hyrjen në Kosovë, por Thaçi dhe Nano

Aktuale

Anëtarja e LDK-së reagon ashpër: Rugova nuk ia ndaloi Berishës hyrjen në Kosovë, por Thaçi dhe Nano

Nga: A.ZH Më: 4 gusht 2018 Në ora: 17:31
Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Melihate Tërmkolli, ka reaguar ashpër pas përplasjes mes ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe presidentit të tanishëm të Kosovës Hashim Thaçi.

Në një reagim të dërguar ekskluzivisht për “Bota sot”, Tërmkolli ka kritikuar presidentin për reagimin e tij, duke e akuzuar atë se po përdor emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, për të sulmuar Berishën.

Thaçi, sot në reagimin e tij në Facebook, ka thënë se presidenti Rugova, nuk e kishte lejuar Berishën të shkelte tokën e Kosovës.

“Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, ka shkruar Thaçi.

E këtë e ka demantuar ish-deputetja Tërmkolli, duke ia kujtuar Thaçit se ishte pikërisht ai, “bashkë me Nanon dhe të gjithë kreatorët e “revolucionit të vonuar demokratik”, ata të cilët paralajmëruan trazira në Kosovë në rast të vizitës së Sali Berishës, gjë e cila e detyroi UNMIK-un të anulonte këtë vizitë”.

Image
Melihate Termkolli

Ajo më tej ka akuzuar Thaçin se po helmon dhe po nxit shqiptarët kundër njëri tjetrit.

Reagimi i plotë i Melihate Tërmkollit:

Gjarpëri “në përqafim” të Rugovës, për të “therrur’ Sali Berishën

Sot, Presidenti i Kosovës, z. Thaçi, paska lëshuar edhe një gënjeshtër “historike” duke përdorur Presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, për të sulmuar Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, i cili ka reaguar si çdo shqiptar kundër pretendimeve për ndarje të Kosovës dhe gjëja bashkim me Preshevën. Presidenti Thaçi gënjen opinionin e painformuar (sepse pjesa më e madhe e din të vërtetën), kur thotë se Presidenti Rugova nuk paska lejuar që Sali Berisha “të shkelë tokën e Kosovës”, dmth. nuk paska lejuar që Sali Berisha ta vizitojë Kosovën.

Sa për të kthjellur memorien duhet thënë se ishte pikërisht Hashim Thaçi, bashkë me Nanon dhe të gjithë kreatorët e “revolucionit të vonuar demokratik”, ata të cilët paralajmëruan trazira në Kosovë në rast të vizitës së Sali Berishës, gjë e cila e detyroi UNMIK-un të anulonte këtë vizitë.

Dhe, edhe sot është e njëjta situatë, i njëjti qëllim. Ta përdorësh Presidentin Rugova kundër Sali Berishës (me gjithë mosmarrëveshjete e herë pas herëshme të tyre), është përpjekje për nxitje të shqiptarëve kundër njëri tjetrit, ashtu siç është vepruar historikisht për interesa të Serbisë. Në fakt është edhe përpjekje për të shuar çdo lloj kundërshtimi (sidomos nëse vjen nga Sali Berisha), për copëtim të mëtejmë të tokave shqiptare të cilave u janë turrur këta yryshgjinjë sikur të ishin toka të lëna shkret.   

Për fat të mirë, shqiptarët kanë bërë nga një grimë shkollë dhe kënë një grimë atdhetarie sa për të kuptuar kush dhe pse po përpiqet t’i helmojë./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat